Është kthyer në një trend tashmë, që kushdo që shkon me pushime e merr një libër me vete. Në plazhe ka shumë persona që lexojnë dhe pothuajse në çdo çadër plazhi ndodhet një libër.
Leximi është i rëndësishëm në çdo stinë, por sidomos leximi në verë bëhet edhe më joshës, sepse na ndihmon të relaksohemi dhe të shkëputemi nga rutina e përditshme, si një mundësi për t'i kushtuar kohë vetes, për të dëgjuar mendimet dhe emocionet tona.
Në fakt libri ka kohë që është vënë në luftë me teknologjinë e cila duket kokëfortë për ta mposhtur mbretërimin e librit, mik shekullor të njeriut, atij që i rrudhosen apo zverdhën fletët nga koha dhe zvenitet ngjyra e shkronjave, por që për një pjesë mbetet shumë i dashur.
Kësaj vere libri po rikthehet dhe treguesi më i mirë është libri poshtë çadrës së plazhit. Në rrjetet sociale janë të shumta fotot ku pushues të ndryshëm prezantonë librat që po lexojnë gjatë pushimeve dhe ne po rendisim disa prej tyre:
Gruaja me kimono te bardhe - foto FB Dituria
“Gruaja me kimono të bardhë” nga Ana Johns
"Gruaja me kimono të bardhë" ka në qendër një histori të vërtetë. Një dramë që ndodh në Japoninë e viteve të Pasluftës së Dytë Botërore, dashuria mes një ushtari amerikan dhe një vajze japoneze, Naokos. Romani është krahasuar, për nga forca dhe emocionet që përcjell, me "Kujtimet e një gejshe". Një roman marramendës, i frymëzuar nga ngjarje të vërteta. Historia e dy grave që jetojnë në dy anët e Paqësorit dhe e një sekreti që i lidh ato. Libri është përkthyer nga Afërdita Shuteriqi, është një botim i vitit 2023 dhe vjen nga Shtëpia Botuese “Dituria”. Një nga librat më të bukur që do të lexoni.
Pas asaj vere- foto FB botimet Dritan
“Pas asaj vere” nga Carley Fortune
Është një roman triller, i një autoreje bashkëkohore, e konsideruar bestseller nga Neë Jork Times për vitin 2022. Është një histori dashurie që të lë pa frymë për dy të panjohur që bashkohen kur kanë më shumë nevojë për njëri-tjetrin. Një herë, në fillim të të njëzetave dhe përsëri një dekadë më vonë.
Kjo histori dashurie, e treguar gjatë gjashtë verave në të kaluarën dhe një fundjave plot ngjarje në të tashmen, i çon lexuesit në zemrën e verës në një vilë në një qytet vogël, me të cilin do të lidhen lehtësisht.
Persephone "Percy" Fraser është 13 vjeç kur prindërit e saj e befasojnë atë duke blerë një pronë verore dhe i bëjnë të ditur asaj se është vendi ku ata do të kalojnë verat e tyre. Ditën e saj të parë atje ajo takon vëllezërit adoleshentë që jetojnë në vilën fqinje, Charlie dhe Sam Florek, të cilët janë banorë gjatë gjithë vitit në qytetin e fjetur.
Rrëfyer përgjatë gjashtë verave dhe një fundjave, “Pas asaj vere”është një nostalgji mbresëlënëse për dashurinë, njerëzit dhe zgjedhjet që na shënojnë përgjithmonë. Libri është përkthyer nga Manushaqe Bako dhe është botuar në vitin 2023 nga Shtëpia Botuese “Dritan”.
Vera kur ime me i kishte syte jeshile - foto FB Dituria
“Vera kur imë më i kishte sytë jeshile” nga Tatiana Tîbuleac
Një roman që të prek në zemër dhe në mendje, që gërsheton jetën me vdekjen, në një thirrje dashurie dhe faljeje. Si ta kapërcesh vdekjen e një motre? Si mund ta falësh nënën, që nuk të ka pranuar kurrë? Si të përballosh sëmundjen e saj, që po e ha të gjallë? Kjo është historia e një vere pajtimi, prej tre muajsh, kur nënë e bir përfundimisht ulin armët, të shtyrë nga vdekja e pashmangshme dhe nevoja për të bërë paqe, midis tyre dhe me veten.
Aleksit i kujtohet ende vera e fundit që kaloi me të ëmën. Kanë kaluar shumë vjet që atëherë, por, kur psikologu e këshillon ta rijetojë atë periudhë, në mënyrë që të arrijë të kapërcejë bllokimin krijues që po përjeton si piktor, Aleksi nis një udhëtim që do ta përballë me emocionet e verës kur ai dhe mamaja e tij mbërritën në një fshat pushimi në Francë…
Me këtë histori për marrëdhëniet nënë-bir, që bashkon pendesën, pamundësinë dhe brishtësinë, Tatiana Ţîbuleac tregon se talenti i saj lidhet jo vetëm me dramën e fortë, por edhe me stilin dhe narracionin origjinal.
Ordesa- foto FB Dudaj
“Ordesa” nga Manuel Vilas
Është një roman autobiografik që është shkruar për të ndërgjegjësuar lexuesit për dashurinë e pakushtëzuar të prindërve para shuarjes së tyre. Romani është një rrugëtim shpirtëror, që zë fill pas vdekjes së prindërve të tij, mbushur me dhimbje, nostalgji, humor e mbi të gjitha dashurinë e pakushtëzuar ndaj prindërve. Me zërin e tij guximtar dhe transgresiv, përzien realitetin me trillimin, proza dhe poezia, autori ka shkruar romanin ku secili prej nesh mund ta gjejë veten dhe të përshkojë rrugën e kundërt nga e tashmja e pagabueshme deri në origjinën e imagjinuar.
Romani është përkhyer nga Albana Murra, është botuar në vitin 2023 nga Shtëpia Botuese “Dudaj”.
Dyshimi- foto FB Botimet Dudaj
“Dyshimi” nga Ashley Audrain
“Dyshimi” është një kryevepër, një novelë krejtësisht përthithëse. Është një dramë psikologjike, e tensionuar, që ka në qendër krijimin dhe rrënimin e një familjeje – dhe një grua, përjetimi mëmësor i së cilës nuk ka të bëjë aspak me atë që ka shpresuar, por me gjithçka që i druhej.
Blajth Konor është e vendosur për të qenë një nënë e ngrohtë dhe e dashur për foshnjën e saj, Violetën. Por, që në ditët e para rraskapitëse të mëmësisë, Blajthi krijon bindjen se ka diçka që nuk shkon tek e vogla e saj – ajo nuk sillet njëlloj si fëmijët e tjerë.
I shoqi, mendon se ajo po përfytyron gjëra dhe i injoron frikërat e saj, ndërkohë që Blajthi fillon të vërë në pikëpyetje shëndetin e saj mendor. Më pas vjen në jetë djali i tyre, Semi. Blajthi krijon atë lidhje të bekuar që gjithmonë ka ëndërruar në raport me krijesën e saj. Edhe Violeta duket se e do vëllanë e saj të vogël. Por kur jeta e tyre befas ndryshon, shkëputja e saj shkatërruese e detyron Blajthin të përballet me të vërtetën. Romani është llojit psikologjik dhe është botuar nga Shtëpia Botuese “Dudaj”.
Aristoteli dhe Dantja zbulojne te fshehtat e universit - foto FB Pegi
"Aristoteli dhe Dantja zbulojnë misteret e universit" nga Benjamin Alire Saenz
Romani "Aristoteli dhe Dantja zbulojnë misteret e universit" i Benjamin Alire Saenz, sjell me elegancë dhe ndjeshmëri, historinë e dy adoleshentëve në zbulim të vetes dhe të tjetrit.
Rëndësia e miqësisë, familjes, e mbi të gjitha dashurisë që i lidh, në formën më të lirë të saj, përballë dhunës, homofobisë dhe diskriminimit racor, ftojnë lexuesin në një rrëfim emocionues. Libri është përkthyer nga Rezarta Reso, është botim i vitit 2923 dhe është publikuar nga Shtëpia Botuese “Pegi”.
Është një bestseller me një histori që po korr sukses dhe në kinematografi.
Ëndrrat dhe dashurite e një jete - foto FB Pegi
"Ëndrrat dhe dashuritë e një jete" nga M. Karagatsis
Autori grek M. Karagatsis, siç njihet me ermin e artit shkrimtari grek Dimitrios Rodopoulos, është një nga autoret më të rëndësishëm te Greqisë moderne i njohur ndryshe si novelist, gazetar e kritik.
“Ëndrrat dhe dashuritë e një jete”, i botuar për herë të parë më 1938, është një ndër romanet më të njohura dhe emocionuese të letërsisë greke moderne. Shpesh, për nga struktura e rrëfimit dhe tematika që trajton, është konsideruar si “Getsbi i madh” i shkrimtarit të njohur amerikan F. S. Fitzgerald.
Personazhi kryesor, Vasili Karloviç Junkerman, është pinjoll i një familjeje të pasur finlandeze, i kredhur në botën e qejfit, alkoolit, kumarit, mashtrimeve dhe zhvatjeve, i cili, për shkak të revolucionit rus e të tjera ngjarjeve të turbullta, përfundon në brigjet e Pireut.
Ashtu si Xhej Getsbi, Vasili Junkerman arrin të fitojë pushtet dhe pasuri përmes veprimtarive të dyshimta. Punësohet në një bankë dhe shpejt bëhet një prej krerëve të saj më të lartë, duke siguruar kështu jo vetëm një post qendror, por edhe mundësinë për të siguruar një mirëqenie të jashtëzakonshme. Në jetën e tij hyjnë e dalin shumë gra, të bukura, joshëse, përfituese, por vetëm njëra e përfshin në një pasion marramendës, zjarri i të cilit do ta shenjojë përgjithmonë. Sidoqoftë, ai do të mbetet i pazoti për të kuptuar gruan që dashuron e, kësisoj, thellësisht i papërmbushur dhe i dëshpëruar. Libri është botuar në vitin 2022 nga Shtëpia Botuese “Pegi”, ndërsa është përkthyer nga Romeo Çollaku.
Perrallat e udhetareve te mencur - foto FB beti Njuma
“Përrallat e udhëtarëve të mençur” nga Jean - Jacques
Në këtë libër lexuesi mbi 10 vjeç deri në 90 gjen nga të gjitha llojet e udhëtimeve: Udhëtime për të zbuluar, udhëtime për aventurë, udhëtime për t'u qetësuar, udhëtime për t'u gjallëruar, udhëtime koti, udhëtime për të ikur, udhëtime për të ardhur, udhëtime mitike, udhëtime të frytshme.. madje ka edhe udhëtime pa lëvizur.
Duke ndërthurur të gjitha tipet e udhëtimeve sipas traditave të ndryshme në mijëra cepa të botës – Evropë, Azi, Afrikë, Amerikë, Indi, Poli i Veriut, Australi, madje edhe në vende të pafundme në ëndrra dhe botë imagjinare libri “Përrallat e Udhëtarëve të Mençur” përbëjnë në vetvete, sapo kthehet faqja, mrekulli me udhëtime, të cilat u bëjnë thirrje shqisave dhe mendjes, që për pak të harrojmë se ku ndodhemi. Libri është përkthyer nga Kleopatra Koleka dhe është publikuar nga Shtëpia Botuese “Papirus”.
Neritana Kraja