Kryeministri i Gjeorgjisë Irakli Garibashvili bëri një vizitë në Kinë dhe mori pjesë në ceremoninë e hapjes të Universiadës Botërore të Chengdu-s 2023. Gjatë vizitës në Kinë, Garibashvili dha një intervistë ekskluzive për CMG-në, ku u shpreh që ceremonia e hapjes e universiadës ishte plot me supriza, dhe ishte fantastike si ajo e një olimpiade. Ai tregoi që i pëlqen shumë kuzhina kineze, sidomos rosa e pjekur e Pekinit. Kryeministri gjeorgjian shprehu shpresën që vera cilësore gjeorgjiane të pëlqehet gjithnjë e më shumë nga kinezët dhe mirëpriti më shumë turistë kinezë në vendin e tij. Për partneritetin strategjik Kinë-Gjeorgji, Garibashvili tha që ky është një vendim historik dhe theksoi se ai shpreson që bashkëpunimi i ardhshëm të vazhdojë të thellohet në mënyrë praktike.
Garibashvili vuri në dukje se kjo është për të një vizitë historike. "Së pari, unë falënderoj nga zemra kryetarin Xi Jinping për ftesën që më bëri për të vizituar Kinën. Patëm arritje konkrete dhe kjo ishte një vizitë shumë e suksesshme. Dua të ndaj ndjenjat e mia mbi Chengdu-në dhe ceremoninë e hapjes së Universiadës. Ceremonia e hapjes ishte shumë madhështore dhe e mrekullueshme. Dua të uroj qeverinë kineze dhe popullin kinez për organizimin e një ceremonie hapjeje të nivelit më të lartë. Nuk e teproj kur them se kjo ceremoni mund të krahasohet me atë të çdo olimpiade. Dua të theksoj sërish që kjo ceremoni më la përshtypje të thellë dhe shpreh urimet e mia më të mira! Lidhur me pandat, ndihem i nderuar që pata fatin që të shikoja edhe foshnjat e pandës,” vuri në dukje Irakli Garibashvili.
Për sa i përket takimit me presidentin kinez Xi Jinping, ai u shpreh se ishte një takim shumë i suksesshëm dhe i frytshëm. "Kjo është hera e parë që takohem me kryetarin Xi Jinping. Dua ta falënderoj sërish kryetarin Xi për ftesën për të vizituar Kinën. Jam shumë i kënaqur që të dy vendet i ngritën marrëdhëniet dypalëshe në një nivel të ri. Krijimi i një partneriteti strategjik mes Gjeorgjisë dhe Kinës është një vendim i rëndësishëm historik, nga i cili do të përfitojnë të dy vendet. Jam shumë i kënaqur dhe më vjen mirë që e kemi arritur këtë. Sot jam krenar të them se Kina dhe Gjeorgjia janë partnere strategjike. Dua të theksoj edhe një herë se kjo ishte një vizitë historike. Do t'i çoj këto rezultate thelbësore në Gjeorgji,” u shpreh kreu i qeverisë së Gjeorgjisë.
Garibashvili vlerësoi gjithashtu lart një numër propozimesh të bëra nga Kina, si nisma “Një brez, një rrugë”, Nisma e Zhvillimit Global, Nisma e Sigurisë Globale dhe Nisma e Qytetërimit Global.
Gjatë 30 vjetëve, vëllimi i tregtisë dypalëshe është rritur shumë. Kina dhe Gjeorgjia nënshkruan në vitin 2018 marrëveshjen e tregtisë së lirë. Lidhur me këto, Garibashvili tha: "Në mandatin tim të parë si kryeministër, unë isha nismëtar i negociatave për marrëveshjen e tregtisë së lirë. Kjo është marrëveshja e parë e tregtisë së lirë mes Kinës dhe vendeve euroaziatike. Jemi shumë krenarë dhe ndihemi me fat që kemi nënshkruar këtë marrëveshje. Rezultatet janë shumë të dukshme dhe tregtia dypalëshe është ngritur mbi 400 herë. Kina shumë shpejt është bërë partnerja e 3-të më e madhe tregtare e Gjeorgjisë." Ndërsa lidhur me potencialet e zhvillimit të bashkëpunimit në të ardhmen, ai theksoi: "Unë mendoj që, nëse vazhdojmë të eksportojmë më shumë mallra dhe produkte cilësore në tregjet e njëri-tjetrit, Kina shpejt do të bëhet partnerja më e madhe tregtare e Gjeorgjisë. Ka ende shumë potencial për zhvillim dhe jam shumë optimist, prandaj jam entuziast për mundësitë e tjera të përfshira në marrëveshjen e tregtisë së lirë Gjeorgji-Kinë. Kina është shumë e rëndësishme për ne, kështu që ne mbështesim plotësisht forcimin e lidhjeve ekonomike dhe tregtare me Kinën. Unë inkurajoj kompanitë gjeorgjiane të bëjnë biznes me kompanitë kineze dhe të eksportojnë më shumë produkte në Kinë, si verë dhe produkte të tjera. Ka shumë hapësirë zhvillimi.”
Garibashvili shtoi në intervistë që Gjeorgjia ka një kulturë dhe njerëz të veçantë. “Populli ynë është i dashur dhe mikpritës, kemi verë të mirë dhe pamje të bukura natyrore. Gjithçka është fantastike. Kemi shkretëtirë, zona subtropikale e zona malore dhe Detin e Zi. Kemi 26 mijë lumenj dhe liqene. Prandaj mund të themi që Gjeorgjia është destinacion unik për turizëm,” tha Garibashvili, duke shprehur shpresën që Gjeorgjia të presë më shumë turistë ose grupe turistike nga Kina.