Rea Hyseni duke interpretuar (Foto personale)
Rea Hyseni ka lindur dhe jeton në SHBA. Ajo është vajza e artistëve të njohur Merita Halili dhe Raif Hyseni, të cilët janë cilësuar si ambasadorë të muzikës dhe kulturës shqiptare në botë. Rea vazhdon studimet e larta në universitet në Nju Xhersi për muzikën xhaz dhe njëkohësisht mëson fëmijët se si të këndojnë dhe të luajnë në instrumentat e violinës dhe pianos. Ajo është mjaft e talentuar dhe po ndjek rrugën e prindërve të saj në fushën e muzikës, ku së shpejti shpreson të ketë dhe një bashkëpunim me Meritën dhe Raifin. Në një intervistë për Radio Ejani Rea tregon për pasionin për xhazin dhe muzikën në përgjithësi si dhe planet e saj për të ardhmen.
Rea Hyseni interviste per CMG
CMG: Ke ardhur për disa ditë pushime në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ku ke udhëtuar në disa vende të bukura. Si ju duk Shqipëria këtë herë?
Rea Hyseni: Shqipëria duket njësoj për mua sepse nuk kam adhur këtu prej gjashtë vitesh. Jam kënaqur shumë në Sarandë dhe Durrës, kam shkuar pak edhe në Vlorë sepse nuk kam qenë më përpara në Vlorë dhe Sarandë. Kështu që këtë herë jam kënaqur me familjen time, me mamin dhe babain ku vetëm kemi ndenjur të qetë duke pushuar.
CMG: Të pëlqyen plazhet e Sarandës dhe Durrësit?
Rea Hyseni: Janë plazhe shumë të bukura dhe besoj se janë më të mira sesa në SHBA.
CMG: Po në Kosovë cilët qytete vizituat dhe si kaluat me të afërmit tuaj atje?
Rea Hyseni: Kemi shkuar në shumë vende në Kosovë, si në Gjakovë, Prizren, Prekaz, Pejë, Mitrovicë dhe Prishtinë më shumë. Jam kënaqur shumë sepse kisha pa parë familjen prej shumë kohësh dhe jam kënaqur duke i parë të gjithë. Vendi nuk ka ndryshuar shumë, por njerëzit kanë ndryshuar shumë.
Rea me prinderit, Merita Halili dhe Raif Hyseni (Foto personale)
CMG: Të pëlqejnë gatimet tradicionale shqiptare?
Rea Hyseni: Më pëlqejnë shumë, nuk ka si gatimet shqiptare. Më vjen keq që nuk hamë më shumë në SHBA, sepse mami gatuan por edhe ka punë. Unë kisha dëshirë që të mësoja sesi të gatuaj vetë.
CMG: Cilat nga gatimet tradicionale shqiptare të pëlqejnë më tepër?
Rea Hyseni: Kam qejf shumë byrekun, brumra, fasulen, speca të mbushur dhe çdo gjë tjetër nga gatimet shqiptare.
CMG: Studion në universitet në Nju Xhersi për muzikën xhaz. Si lindi pasioni për këtë zhaner muzikor?
Rea Hyseni: Unë zgjodha xhazin në shkollë sepse ishte diçka e re për mua, ngaqë nuk e kam kënduar ndonjëherë. Tani jam duke shkuar në vitin e tretë në universitet dhe nuk kam ditur asgjë për xhazin kur jam futur në program, por tani kam mësuar shumë nga profesorët e mi.
Rea me prinderit e saj, Merita Halili dhe Raif Hyseni.(Foto personale)
CMG: Pse të pëlqen kjo rrymë muzikore?
Rea Hyseni: Xhazi është muzikë shumë e hapur, ku mund të bësh improvizim sa të duash dhe ke shumë opsione për idetë e tua. Unë i mësoj teknikat e vjetra dhe shtoj disa teknika të reja të miat, stilin tim. Prandaj e kam qejf shumë, sepse në muzikën klasike nuk ke mundësi që të shtosh aq shumë improvizim. Kështu që unë e mësoj më shumë për teknikën, por më pëlqen xhazi dhe prandaj e zgjodha për shkollën.
CMG: Cilat janë synimet tuaja në të ardhmen në lidhje me muzikën xhaz?
Rea Hyseni: Kur të mbaroj shkollën kam qejf të bëj muzikën time, nuk duhet të jetë zhaz, por kam dëshirë që xhazi të më infuencojë. Kështu që pas përfundimit të shkollës kam qejf të bëj muzikën time dhe të këndoj me të tjerë. Gjithashtu dua të vazhdoj edhe me violinën sepse luaj në këtë instrument, si dhe të mësoj psikologjinë sepse më intereson për ta shtuar këtë degë me muzikën.
CMG: Si je ndjerë në skenë kur ke kënduar përpara publikut?
Rea Hyseni: Sa herë bëhem me emocion kur performoj, edhe në shkollë por dhe kur jam diku tjetër. Ndërkohë që tani jam mësuar dhe kur këndoj kam pak emocione.
Rea Hyseni gjate nje performance ne skene (Foto personale)
CMG: Të dy prindërit tuaj janë artistë të njohur dhe profesionistë, Merita Halili dhe Raif Hyseni. Kanë qenë mbështetës dhe këshillues prindërit në rrugën tuaj të muzikës?
Rea Hyseni: Prindërit më kanë ndihmuar shumë dhe më kanë dhënë shumë këshilla në drejtimin që duhet të ndiqja unë për muzikën dhe karrierën. Ata dinë shumë sepse kanë shumë eksperiencë në botën e muzikës, më kanë inspiruar shumë sepse jam rritur me muzikën popullore shqiptare, muzikë ballkanike si dhe muzikë amerikane popullore. Unë kam dëshirë që t’i vendos të dyja bashkë me stilin tim.
CMG: Ke provuar të këndosh me Meritën këngë popullore?
Rea Hyseni: Unë vdes të këndoj me mamin sepse e kam dëgjuar shumë duke kënduar kur isha e vogël dhe kur jam rritur edhe babi gjithmonë i binte fizarmonikës në shtëpi, dhe më është mësuar veshi shumë duke i dëgjuar ata.
CMG: Besoj se prindërit e tu janë krenar që ti je e vetmja që po ndjek rrugën e muzikës në familje?
Rea Hyseni: Shpresoj të vazhdoi sepse motrat e mia kanë synime të tjera, por dhe ato kanë bërë muzikë kur ishin të vogla, por unë më në fund vazhdova të ndiqja rrugën e muzikës.
CMG: Si është një ditë e zakonshme e juaja në Nju Xhersi?
Rea Hyseni: Ka shumë autostrada në Nju Xhersi, dhe është bukur sepse jemi dhe shumë afër Nju Jorkut, ku mund të shkojmë me autobus ose tren. Në Nju Xhersi ka shumë njerëz dhe gjithmonë ka trafik.
Rea Hyseni gjate nje aktiviteti (Foto personale)
CMG: Pse të pëlqen psikologjia dhe si e lidh atë me muzikën?
Rea Hyseni: Unë kam mundësi të mësoj psikologjinë e muzikës sepse muzika është shumë interesante jo përveç aspektit të artistëve, por dhe shkenca e muzikës është shumë interesante. Kam qejf psikologjinë sepse kam dëshirë të di se si njerëzit të gjithë mendojnë ndryshe, sepse njerëzit nuk kanë një mendim njëlloj.
CMG: Prindërit tuaj Merita dhe Raifi prej vitesh japin mësim muzikë në SHBA për studentët. Do të kishe dëshirë që më vonë t’i mësonit muzikën xhaz një brezi tjetër?
Rea Hyseni: Unë për momentin jam mësuese në një shkollë për fëmijët dhe i mësoj se si të këndojnë, si t’i bien violinës dhe pianos.
CMG: Pse të pëlqen violina si instrument?
Rea Hyseni: Violinën e kam qejf shumë, dhe kam qejf më shumë muzikën ballkanike sesa atë klasike për violinë, sepse ka shumë shpirt dhe emocion. Mua më pëlqen shumë sepse jam rritur me këtë muzikë dhe më është mësuar veshi.
CMG: Cilat janë planet tuaja kur të ktheheni në Nju Xhersi?
Rea Hyseni: Unë do të vazhdoj punën për t’u mësuar fëmijëve muzikë, dhe në gusht do të filloj sërish shkollën. Të them të vërtetën shkolla më merr shumë kohë, por që sa herë kam kohë kam dëshirë të bëj muzikën time. Kam dëshirë të bëj dhe një bashkëpunim me babin.
Rea Hyseni gjate nje performance (Foto personale)
CMG: Kur keni qenë e vogël keni pasur një eksperiencë muzikore në Shqipëri te spektakli “Albanians Got Talent”. Flasim për këtë eksperiencë tuajën?
Rea Hyseni: Kam qenë 7 ose 8 vjeç në vitin 2011, ku edhe pse nuk e mbaj mend mirë sepse ndjehesha pak nervoze dhe kisha pak ankth, por më ndihmoi shumë mami në atë periudhë. Kjo ishte një eksperiencë shumë e madhe për mua në atë moshë.
CMG: Ke emocione në skenë kur performon përpara publikut?
Rea Hyseni: Disa herë kam emocione dhe disa herë jo, kjo varet nga provat që bëj sepse sa më shumë prova të bëj aq më pak emocione kam. Nëse nuk këndoj për një kohë të gjatë, pastaj kur dal para publikut kam pak emocione.
CMG: Ke dëshirë të bësh ndonjë bashkëpunim në muzikën popullore me Meritën?
Rea Hyseni: Kam shumë dëshirë, por ngaqë mami punon shumë në SHBA, dhe ne të tre nuk kemi shumë kohë të bisedojmë me njëri-tjetrin për muzikën shqiptare, sa herë ata gjejnë kohën më mësojnë mua këngët e vjetra se i kam shumë qejf. Kam dëshirë që kur të filloj shkollën këtë semestër, do të kem mundësi që të mësoj këngët e vjetra, që në fakt janë të reja për mua
Intervistoi: Gazmend Agaj