Banka e Shqipërisë dhe reagimi ndaj kursit të këmbimit të lekut ndaj euros
2023-08-07 15:41:14

Rënia e euros (Foto Scan Tv)

Rënia e euros (Foto Scan Tv)

Kursi i këmbimit të lekut ndaj euros ka ardhur në forcim të vazhdueshëm gjatë vitit 2023 me  një vlerë mesatare prej 8.5 % gjatë tremujorit të dytë dhe u përshpejtua më tej në muajin korrik, duke regjistruar vlerën 12.1 %. Kjo ka sjellë vazhdimisht shqetësim tek eksportuesit shqiptarë të cilët e kanë ngritur shpesh këtë problem.

Së fundmi shoqatat e eksportit në një letër drejtuar institucioneve ndërkombëtare financiare si FMN, Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankës Botërore dhe atyre shqiptare  Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Bankës së Shqipërisë kërkojnë marrjen e masave, pasi efektet nga zhvlerësimi i euros do të ndihen ndër vite. Ata thonë se rënia e euros po ndikohet nga paratë kriminale në pasuritë e paluajtshme.

Ndërkohë në një dalje të fundit për mediat Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko tha se, forcimi i kursit të këmbimit ka ardhur nga përmirësimet strukturore të ekonomisë shqiptare, shkëmbimeve ekonomike e financiare me jashtë dhe se për këtë çështje Banka e Shqipërisë operon brenda kuadrit të saj ligjor dhe rregullator dhe ajo shikon situatën makro brenda objektivave të saj kryesorë që është stabiliteti i çmimeve dhe stabiliteti financiar.

“Ne kemi një regjim të lirë të kursit të këmbimit i cili ka avantazhet e tij. Në mungesë të regjimi të lirë të kursit të këmbimit do të vepronim ndryshe me instrumentin e politikës monetare. Do të kishim norma shumë më të larta interesi dhe kosto më të larta të shtuara si për bizneset ashtu dhe për qytetarët. Do të kishim norma më të larta interesi të kredisë do të kishim probleme me performancën në kthimin e kredive që ndikojnë në stabilitetin financiar e të tjera me radhë në efekt zinxhir. Pra situata duhet parë në kompleks. Banka e Shqipërisë e shikon efektin e kursit të lirë të këmbimit valutor dhe vetë kursin e këmbimit në kompleks dhe në konteksin makro. Banka e Shqipërisë e ka të përcaktuar me ligj dhe me rregullore kur duhet të ndërhyjë për kursin e këmbimit. Siç e kemi theksuar disa herë, ne ndërhyjmë për efekt të rezervës valutore, për efekt të çrregullimeve dhe për efekt të objektivave tanë ligjorë, siç është stabiliteti i çmimeve dhe stabiliteti financiar, Sigurisht, që duam që biznesi, jo vetëm ai eksportues, por të gjithë bizneset të kenë një performance sa më të mirë në funksion të rritjes ekonomike në funksion të mirëqenies së qytetarëve, por dhe në funksion të stabilitetit financiar dhe monetar të vendit, por fatkeqësisht ne nuk disponojmë instrumente të caktuara për të stimuluar ose ndihmuar industri të ndryshme. Për shembull, për ta thjeshtëzuar, ne nuk mund të përcaktojmë një kurs fiks këmbimi për një industri dhe një kurs të lirë këmbimi për një pjesë tjetër të industrive ose të populates “- tha Sejko.

Banka e Shqipërisë (Foto Monitor)

Banka e Shqipërisë (Foto Monitor)

Sipas Sejkos  kursi i këmbimit monitorohet me kujdes dhe BSH e ndjek jo vetëm në bazë ditore, por në çdo moment. Ka një monitorim dhe analizë të kursit të këmbimit nga departamentet kryesore të Bankës së Shqipërisë dhe së fundmi dhe direkt nga drejtimi i lartë i Bankës së Shqipërisë.

“Analizat tona sugjerojnë se kahu forcues i kursit të këmbimit është në linjë me përmirësimin e bilancit të shkëmbimeve ekonomike e financiare me jashtë, të ndikuara nga rritja e shpejtë e të ardhurave nga turizmi, nga reduktimi i vazhdueshëm i deficitit të llogarisë korrente, si dhe nga vlerat e larta të investimeve të huaja direkte. Gjithashtu, ai është konsistent me rritjen e besimit të publikut në monedhën tonë kombëtare dhe reduktimin e primeve të rrezikut në tregjet e brendshme financiare.I parë në këtë prizëm, në përputhje edhe me përfitimet që ofron një regjim i lirë i kursit të këmbimit, kahu forcues i kursit të këmbimit ka ndihmuar në reduktimin e presioneve të huaja inflacioniste dhe ka mundësuar një normalizim më të ngadaltë të qëndrimit të politikës monetare. Megjithatë, shpejtësia e forcimit të kursit mbetet e lartë dhe luhatjet në tregun valutor janë rritur.”- thotë Guvernatori.

Gent Sejko (FotoBanka e Shqiperise)

Gent Sejko (FotoBanka e Shqiperise)

Guvernatori Gent Sejko ka bërë me dije se nëse luhatjet e forta në kursin e këmbimit do të vijojnë, atëherë Banka e Shqipërisë do të ndërhyjë.

“Këshilli Mbikëqyrës vëren se është duke ndjekur më vëmendje ecurinë e kursit të këmbimit. Këshilli gjykon se forcimi i kursit të këmbimit i ka mundësuar ekonomisë shqiptare të ketë – në mënyrë të njëkohshme – një nga nivelet më të ulëta të inflacionit, të normave të interesit e të kostove të financimit, si dhe një nga nivelet më të larta të rritjes ekonomike në rajon. Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës thekson Banka e Shqipërisë mbetet e vëmendshme ndaj shpejtësisë së forcimit dhe luhatjeve të shtuara të kursit të këmbimit gjatë muajve të fundit. Nëse zgjerohen më tej, këto fenomene mund të dëmtojnë funksionimin normal të tregut valutor, si dhe – potencialisht – objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve dhe stabilitetin financiar.  Nëse do të konstatohen këto premisa, Banka e Shqipërisë rezervon të drejtën të ndërhyjë në tregun e brendshëm valutor, në përmbushje të mandatit të saj ligjor.”

Përditësimi i parashikimeve të Bankës Qëndrore   sugjeron se trendet e vëna re në gjysmën e parë të vitit do të vijojnë të jenë të pranishme edhe në të ardhmen.

“Sipas skenarit bazë, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet gjatë tremujorëve e viteve në vazhdim. Ritmi i rritjes pritet të shënojë një ngadalësim të lehtë gjatë vitit aktual e atij në vazhdim, si pasojë e ngadalësimit të aktivitetit ekonomik në Eurozonë dhe e kushteve më të shtrënguara të financimit, si në vend dhe në botë. Më tej, rritja ekonomike pritet të kthehet pranë niveleve të saj historike në horizontin afatmesëm. Nga ana tjetër, po sipas skenarit bazë, inflacioni pritet të vijojë të bjerë gradualisht gjatë tremujorëve të ardhshëm dhe të kthehet në objektiv gjatë mesit të vitit të ardhshëm. Kjo trajektore do të përcaktohet nga rënia e mëtejshme e inflacionit në partnerët tanë tregtarë, si dhe nga balancimi më i mirë i kërkesës dhe ofertës në vend. Në të njëjtën kohë, përditësimi i analizës dhe parashikimeve sugjeron një profil më neutral të balancës së rrezikut në krahasim me parashikimet e mëparshme.”- tha Guvernatori.

Guvernaori G. Sejko (Foto Banka e Shqipërisë)

Guvernaori G. Sejko (Foto Banka e Shqipërisë)

Në këtë mënyrë  Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.00%,të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 4.00% dhe të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 2.00%.

“Këshilli Mbikëqyrës vëren se kjo vendimmarrje u mbështet nga ecuria pozitive e zhvillimeve të pritura ekonomike në skenarin bazë, nga balanca më neutrale e rrezikut, si dhe nga forcimi i kursit të këmbimit dhe përshpejtimi i trendit të konsolidimit fiskal gjatë gjysmës së parë të vitit.Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend. Në këtë kontest, ai thekson se mbetet i gatshëm të vazhdojë procesin e normalizimit të qëndrimit të politikës monetare, nëse kjo masë do të konsiderohet e nevojshme për garantimin e stabilitetit të çmimeve.”

Sipas Bankës së Shqipërisë   normalizimi i qëndrimit të politikës monetare ka pasur një rol pozitiv në këtë tablo, duke ndihmuar në kontrollin e presioneve të brendshme inflacioniste dhe duke mundësuar funksionimin normal të tregjeve financiare