
Viktima, të zhdukur dhe miliona euro dëme pas përmbytjeve në Slloveni
Shiu i dendur dhe përmbytjet e jashtëzakonshme kanë shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha në Slloveni.
Trupi i një burri u gjet të shtunën në brigjet e lumit të fryrë Sava në Ljubjanë.
Tre persona vdiqën një ditë më parë dhe policia sllovene është ende duke hetuar nëse vdekjet e tyre kishin lidhje me motin ekstrem, më i keqi në tre dekada.
“Midis viktimave ishin dhe dy alpinistë holandezë, që vdiqën të premten në malet pranë Kranj, me sa duket si rezultat i goditjes nga rrufeja”, njoftoi agjencia sllovene e lajmeve, “STA”, citon “ATSH”.
Gjithashtu të premten, një grua vdiq për shkak të përmbytjeve në qytetin e Kamnikut, 20 kilometra në veri të kryeqytetit.
Disa qytete ndërprenë qarkullimin për shkak të përmbytjeve dhe mbeturinave të grumbulluara. Autoritetet dërguan helikopterë për t’i siguruar ushqim dhe ujë të pijshëm, ndërkohë që ushtarët u përpoqën të arrinin zonat në këmbë.
Mbrojtja Civile raportoi më shumë se 3700 operacione në mbarë vendin brenda 36 orëve.
Kryeministri slloven, Robert Golob, foli për ndoshta dëmin më të madh të shkaktuar nga një fatkeqësi natyrore në historinë e Sllovenisë së pavarur.
Ai e vlerësoi dëmin e pronës në më shumë se 500 milionë euro (551.3 milionë dollarë).
Dëmet kryesore janë shkaktuar nga infrastruktura rrugore dhe energjetike dhe qindra ndërtesa banimi.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, siguroi Slloveninë për ndihmë.
Komisioneri Evropian për Ndihmën Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiç, tha se planifikon ta diskutojë këtë çështje me qeverinë sllovene. (Fatosi)
