Hiroshima, përkujtohet 78-vjetori i bombës atomike
2023-08-07 19:00:19

Hiroshima (Foto Atsh)

Pak muaj para samitit të G7-s, qyteti japonez i Hiroshimës përkujtoi 78-vjetorin e bombardimit atomik të 6 gushtit 1945 nga SHBA-ja.

Përfaqësues nga 111 vende dhe Bashkimi Evropian morën pjesë në përkujtimore, numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë, njofton ATSH.

Gjatë ceremonisë, të mbajtur tradicionalisht në parkun që strehon Memorialin e Paqes, në qendër të qytetit, kryebashkiaku Kazumi Matsui vlerësoi vizitën historike që u zhvillua në maj, duke u kërkuar udhëheqësve të ekonomive kryesore të botës të braktisin idenë se armët bërthamore janë një pengesë për luftën.

“Bota duhet të përballet me idenë se kërcënimet bërthamore të shprehura aktualisht nga disa sundimtarë zbulojnë marrëzinë e teorisë së posedimit të bombave atomike”, tha Matsui duke përsëritur se duhet të ndërmerren menjëherë masa konkrete për t’u larguar nga rreziku aktual dhe të ecet drejt botës ideale.

Në orën lokale 08:15, kambana shënoi fillimin e minutës së heshtjes. Kjo është koha e saktë kur 77 vjet më parë bomba atomike u hodh nga bombarduesi amerikan tip B29 “Enola Gay”, duke shkaktuar vdekjen e rreth 140.000 personave.

Një bombë e dytë u hodh në Nagasaki më 9 gusht, duke i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore gjashtë ditë më vonë, me dorëzimin e pakushtëzuar të Japonisë. (Fatosi)