Kantautori Adhurim Demiri, së fundi solli për publikun koncertin e tij recital, si një premtim për t’u rikthyer fuqishëm në tregun muzikor shqiptar, si dhe në skenat e muzikës live. Adhurim Demiri, i cili suksesin e tij e ka patur në fillim të viteve ’90 me grupin X, nuk është ndarë nga muzika. Edhe pse prej vitesh nuk jeton në Shqipëri, pasi e ka ndërtuar jetën në Austri, ai vazhdon të realizojë këngë të reja për publikun. Ishte rikthimi me këngën “Mall bulevardi”, për të vazhduar me “Invictus”, ”Endem si një bohem”, të cilat të shoqëruara edhe me videoklip, erdhën për publikun shqiptar, duke u vlerësuar edhe me çmime në spektaklin “Netët e klipit shqiptar”. Në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës ai tregon për realizimin e koncertit të tij unplugged "Mall Bulevardi", si dhe emocionet e asaj mbrëmjeje kaq të veçantë, por dhe përlotjen në fund të koncertit.
Foto nga koncerti për CMG
CMG: Zgjodha që të zhvillojmë këtë intervistë pikërisht në ambjentin e Qendrës kulturore pranë Kishës Ortodokse në Tiranë, ku ti ndave emocionet me publikun në koncertin recital “Malli bulevardi”bashkë me miqtë e tu artistë.
Adhurim Demiri: Sigurisht që ishte një eksperiencë e bukur me mbështetjen e miqve të mi. Elton Deda, dihet që është një nga kantautorët më të mirë dhe plus që është një arranxhues i mirë, por mora maksimalen si koleg, sepse e kisha të nevojshme. Mendoj se i dhamë Tiranës një koncert të mirë, i dhamë brumin e mirë që i mungonte, në kuptimin e mirë të rrokut ose të elitës dhe jam ndjerë tej mase mirë.
CMG: Pata mundësinë që të të ndiqja live në koncert dhe ishe shumë i emocionuar, madje në fund kishte edhe lot gëzimi. Çfarë pate ndër mënd në ato momente?
Adhurim Demiri: Ishte një natë me emocione, sepse unë isha shkëputur nga media 10 vjet, e lemë mënjanë pjesën e klipeve, “Mall Bulevardi“ etj, kjo është gjë tjetër, por në përballjen me live-in, me skenën, i thonë 10 vjet nuk janë pak. Normal që kam pasur emocione që në fillim dhe nga fundi edhe u përlota. Madje i thashë stafit “Ishalla mos qaj në skenë me “Mall bulevardi”. Janë vargjet e këngës që të prekin! Ajo është këngë që secili gjen veten aty. Nuk është vetëm kënga ime! Në momentin që doli nga unë nuk është më kënga ime, është e të gjithëve.
CMG: Në fakt të gjithë u përlotën…unë, publiku, miqtë e tu, pasi një pjesë e mirë në publik ishin miqtë e tu.
Adhurim Demiri: Është e vërtetë, prandaj unë doja këtë koncert jo thjesht që doja një koncertin timin që të këndoja, por doja një koncert të përbashkët me miqtë. Publiku me mua unë me publikun, një natë familjare në kuptimin e mirë të fjalës. Them se ja arritëm, ja dolëm me çunat. E ndjeva edhe në skenë që kisha ngrohtësi nga publiku. Kaq desha dhe mendoj se ja dolëm. Gjithsecili prezantoi veten me materialet e tij muzikore. Asnjëherë nuk kisha parë kaq shumë njerëz që njihja. E veçanta ishte se çdo artist e prezantoi vetë materialin e këngës që këndoi, nuk kishim skaletë përpara dhe kjo ishte më origjinale.
Foto nga koncerti i Adhurim Demirit për CMG
CMG: Ishte një hyrje e veçantë, jo nga mbrapa skene, por aty në mes të publikut, mes duartrokitjeve, për t’u ngjitur në skenë.
Adhurim Demiri: Ishte ideja e regjisorit Armand Vllahu, të cilin unë e kam shumë për zemër. Ai ma dha atë ide, që të bëja diçka ndryshe, gjë e cila mu duk më e goditur.
CMG: Sa kohë t’u desh për të realizuar këtë koncert, i cili kishte rreth 17 materiale muzikore.
Adhurim Demiri: Është punuar fort me Elton Dedën dhe djemtë kemi bërë prova te “The Jack” dhe te “Production” te Arbëri për rreth dy muaj. Kanë qenë dy muaj intensivë, sepse ishte përgjegjësi e madhe, sepse ai publik duhet shpërblyer, në të gjitha format, si morale, emocionale.
CMG: Ishte idea jote që këngët të vinin në versionin akustik dhe kënga “Mall bulevardi“ të lihej për në fund?
Adhurim Demiri: Po, po normal që e lashë për në fund dhe nuk e bëra pa qëllim. Zgjodha të luata në versionin akustik, sepse dhe sound-i është më i ngrotë për publikun, plus që salla këtu ka një akustikë perfekte dhe është fiks për muzikën elektro-akustike. Nuk është si rock, jazz apo bluez, sepse në atë version je më i lirshëm në aranxhimin e këngëve, në komunikim. Eltoni është djalë me diapazon të gjërë. I trajtoi në mënyrë perfekte gjërat. Këngën “Mall bulevardi” e lashë për në fund, qershia mbi tortë, sepse kështu mbante titullin edhe ky koncert.
CMG: Ti ke mall për qytetin, sepse jeton në Austri, por tashmë ke filluar të vish më shpesh në Shqipëri… A do kesh projekte të tjera në vazhdim?
Adhurim Demiri: Po patjetër, me këtë lloj rikthimi them që edhe qëndrimi im do jetë edhe pak më i gjatë se herët e tjera. Kam një projekt tjetër po si ky format, si ky koncert ndoshta pak më i gjerë. Kemi menduar me stafin, me Elton Dedën dhe djemtë e grupit, që ta zhvillojmë një koncert me përmasa më të mëdha tek Teatri i Operas dhe Baletit, le te themi nga muaji shtator. Do të kem projekte të tjera që janë në rrugë e sipërme,këngë të reja të kompozuara, bashkpunime, etj.
CMG: Adhurim në këtë koncert recital ti kishe të ftuar miqtë e tu artistë si Eneda Tarifa, Elton Deda, Aleksandër Gjoka etj. Si ishte përzgjedhja e tyre?
Adhurim Demiri: Unë i ftova që të ishin pjesë e këtij projekti dhe i vlerësoj shumë që erdhën. Jam me fat që i kam miq prej vitesh. Jo pa qëllim e hapa koncertin me Sandrin dhe e mbylla po me Sandrin me këngën “Zemër gruaje” sepse janë super hite.
Doja që të vinte dhe Dashnor Diko, por kishte punë dhe disa gjëra personale familjare e nuk ka qenë në Shqipëri. Kurse Eneda, është kolege, shoqe, ajo është një dimension njerëzor i pa llogaritshëm. Unë kam pasur një problem personal me vokalin, një javë para koncertit që ndoshta e dinin shumë pak persona. Pata një akut laringit dhe isha pa zë, fare pa zë. Ajo Tarifa, që është një këngëtare super yll, por që është një dimension njerëzor, ka ardhur ditë për ditë, natën me ilaçe, me gjilpëra dhe ja arrita që të përmirësohesha deri në momentin e konceritit.
Foto nga koncerti i Adhurim Demirit për CMG
CMG: Ehodhe pas sëmundjen dhe ishe perfekt.
Adhurim Demiri: Gjenden afër orë pas orë dhe unë këtë e vlerësoj shumë. Jemi njerëz në rradhë të parë dhe pastaj jemi artistë. Dhe unë them “God thank you”.
CMG: Çfarë do të presim në koncertin e ardhshëm?
Adhurim Demiri: Do ketë këngë të reja. Do jenë disa materiale të reja muzikore, të cilat nuk kanë dalë ende, pra janë të pa prezantuara më parë. Më duket optimale që koncerti të zhvillohet në Teatrin e Operas dhe Baletit, sepse është sallë më e madhe.
CMG: Koncerti do të jetë në versionin akustik, apo do të jetë më rrok?
Adhurim Demiri: Ndoshta do jetë pak më rock, sepse dhe salla aty është e tillë që ta imponon atë gjë. Shpresojmë që t’ja dalim si gjithmonë.
CMG: Cilët do jenë të ftuarit në koncertin e ardhshëm dhe bashkëpunimet e reja?
Adhurim Demiri: Një bashkëpunim i mirë do jetë me kantautorin e mirënjohur Dren Abazi. Më vonë do të kem edhe disa projekte të tjera, një projekt i ri do jetë me kolegen time Mimoza Selimin. Është një kompozim i Valentin Markvukaj, tashmë solisti i grupit Djemve të Detit. Ai ka bërë një rock- alternativë, por ngelet surprizë. Ndoshta mund të jetë për një event muzikor me përmasat e festivalit kombëtar.
Adhurim Demiri në intervistë për Radio Ejani
CMG: Unë të uroj suksese në gjithçka, por nëse kemi lënë diçka pa përmëndur, mund të na thuash në këto momente.
Adhurim Demiri: Dua të them dhe diçka tjetër, qëllimi i këtij koncerti ishte rikthimi im i fuqishëm në tregun muzikor shqiptar.
Dua të falenderoj dhe vlerësoj, menaxheren Marsida Kadiu e cila bëri gjithçka, projektin e koncertit, duke e ndjekur nga a-ja deri tek zh-ja, pra gjithçka në këtë projekt dhe e falenderoj shumë. Plus edhe ana morale, falenderoj bashkëshorten time që është edhe menaxhere në heshtje nga ana psikologjike. Falë Zotit ja dolëm bashkë me miqtë e mi dhe publikun që ma shpërbleu. Jam borxhli moralisht, sinqerisht.
CMG: Unë të uroj shumë suksese. Shpresoj që të shkelësh aty ku ti dëshiron, ndoshta pse jo edhe në festivalin e RTSH- së, që të ngjallësh ato emocione që dikur i ke përjetuar me “Zemra e një gruaje”, këngë që ti e ke krijuar vetë, e tashmë vjen me një material mjaft të bukur, me shpresën që kjo këngë t’i rezistojë kohës.
Adhurim Demiri: Shpresojmë.
Intervistoi: Sava Lena