foto: VCG
Departamenti i Kontrollit të Përmbytjeve dhe Ndihmës ndaj Thatësirës në Kinë ka dërguar 10 ekipe për të ndihmuar punën e shpëtimit dhe ndihmës në rajonet e goditura nga përmbytjet në veri dhe verilindje të vendit, sipas një mbledhjeje zyrtare të së shtunës. Takimi u mbajt bashkërisht nga zyra e departamentit dhe Ministria e Menaxhimit të Emergjencave e Kinës, Administrata Meteorologjike, Ministria e Burimeve Ujore, ajo e Burimeve Natyrore dhe zyrat provinciale për kontrollin e përmbytjeve.
Në këtë mbledhje u analizuan përmbytjet dhe fatkeqësitë gjeologjike në Kinën Veriore dhe Verilindore, dëmet nga tajfuni Khanun, si dhe u rregulluan punët e shpëtimit dhe ndihmës në rajonet më të prekura. Sipas departamentit, 10 ekipet po ndihmojnë autoritetet lokale në kontrollin dhe shpëtimin nga përmbytjet në Pekin, provincën Hebei dhe qytetin Tianjin të Kinës Veriore, si dhe provincat Jilin dhe Heilongjiang të Kinës Verilindore. Ministria kineze e Menaxhimit të Emergjencave ka dërguar edhe ekipe profesioniste të shpëtimit në zonat më të prekura.
foto: VCG
Departamenti kinez i Kontrollit të Përmbytjeve dhe Ndihmës ndaj Thatësirës i Kinës vendosi mbajtjen e vazhdueshme të Nivelit II për reagimin emergjent në Tianjin e Hebei dhe të Nivelit III në Pekin, Jilin dhe Heilongjiang. Kina ka një sistem reagimi emergjent me katër nivele për kontrollin e përmbytjeve, ndërsa niveli I është më i rëndi.
Përveç kësaj, Kina caktoi të premten një investim shtesë prej 100 milionë juanësh (rreth 14 milionë dollarë) nga buxheti qendror për qytetin Tianjin dhe provincën Hebei, tha planifikuesi kryesor ekonomik i vendit. Fondi do të përdoret për restaurimin dhe rindërtimin emergjent të infrastrukturës dhe objekteve thelbësore të shërbimit publik, sipas Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës.
foto: VCG
Ministria e Financave dhe ajo e Burimeve Ujore njoftuan gjithashtu të premten se do të ofrojnë 450 milionë juanë (rreth 63 milionë dollarë) për të mbështetur restaurimin pas katastrofës në Pekin, Tianjin dhe Hebei. Në përgjigje të shiut të dendur të shkaktuar nga tajfuni, autoritetet kineze nisën një përpjekje masive shpëtimi. Gjatë ditëve të fundit, Pekini ka pësuar reshjet më të rënda që nga fillimi i regjistrimeve 140 vite më parë, të cilat shkaktuan 11 viktima. (Li Huailiang/Edmond)
foto: VCG