Gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të enjten, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken bëri përgjegjëse Rusinë dhe ndikimin që ka patur agresioni i saj ndaj Ukrainës, tek uria globale. Rusia u tërhoq muajin e kaluar nga marrëveshja që i krijonte mundësi Ukrainës të eksportonte grurë drejt tregjeve globale, duke shkaktuar rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore.

foto: VCG
Rusia ka vënë në shënjestër portet dhe objektet e magazinimit, jetike për transportin e grurit nga Ukraina. Sulmet vijnë pasi Moska u tërhoq muajin e kaluar nga marrëveshja për grurin që e lejonte Kievin të eksportonte drithëra drejt tregjeve globale gjatë agresionit rus.
Të enjten, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken kryesoi një takim në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i përqendruar tek pasiguria ushqimore...duke fajësuar Moskën për pamundësinë e Ukrainës që të eksportojë grurë.
“Çdo anëtar i këtij këshilli, çdo anëtar i Kombeve të Bashkuara duhet t'i thotë Moskës mjaft. Mjaft përdorët Detin e Zi si mjet shantazhi. Mjaft me shfrytëzimin e njerëzve më të rrezikuar në botë për të përfituar. Mjaft me këtë luftë të pajustifikuar dhe të paarsyeshme”, tha Sekretari Blinken në Këshillin e Sigurimit.
Muajin e kaluar presidenti rus Vladimir Putin priti udhëheqësit e vendeve afrikane për një takim të nivelit të lartë, ndërsa kontinenti po përgatitej për pasojat e tërheqjes së Moskës nga marrëveshja e eksportit të grurit ukrainas.
Moska u përpoq të qetësonte partnerët e saj afrikanë, duke thënë se e kuptonte "shqetësimin" e tyre dhe ishte gati të eksportonte grurë falas në vendet afrikane që kanë nevojë.
