Policia pakistaneze ka arrestuar ish-kryeministrin Imran Khan pasi një gjykatë e shpalli atë fajtor për fshehje pasurie, duke i dhënë një dënim me tre vjet burg. Partia e tij politike thotë se do të kundërshtojë vendimin në një gjykatë të lartë, e cila mund të pezullojë vendimin, por karriera e tij politike varet përfundimisht nga organi zgjedhor i vendit. Përkrahësit e tij tanimë kanë filluar të mblidhen në rrugë duke iu përgjigjur thirrjes së ish-kryeministrit për protesta kundër vendimit.

foto: VCG
E ardhmja politike e ish-kryeministrit pakistanez Imran Khan është vënë në dyshim pasi policia e arrestoi atë të shtunën në bazë të një vendimi gjykate që e dënoi atë me tre vjet burg për fshehje pasurie.
Qeveria pakistaneze reagoi përmes Ministres për Informim duke thënë se arrestimi nuk ka lidhje me zgjedhjet e ardhshme dhe se dënimi i zotit Khan pasoi një hetim të plotë dhe procedura të duhura ligjore në gjykatë.
Që nga rrëzimi i tij nga pushteti përmes një mocioni mosbesimi në parlament në prill të vitit 2022, zoti Khan është përballur me më shumë se 150 çështje ligjore, përfshirë disa me akuza për korrupsion, terrorizëm dhe nxitje të njerëzve në dhunë për protestat vdekjeprurëse në maj kur përkrahësit e tij sulmuan pronat qeveritare dhe ushtarake në të gjithë vendin.
