Indrit Cakaj ka përfunduar studimet e larta në Universitetin e Arteve në instrumentin e fizarmonikës dhe aktualisht është pedagog në Fakultetin e Muzikës pranë këtij universiteti. Ai rrjedh nga një familje e njohur muzikantësh dhe prej 10 vitesh është pjesë e grupit muzikor “Salabeg Band”, me të cilin merr pjesë në aktivitete muzikore brenda dhe jashtë vendit. Së fundi Indriti ka realizuar disa instrumentale në studion e tij muzikore dhe pret që së shpejti të vijë me një koncert recital. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për fillimet e karrierës së tij muzikore, pasionin për fizarmonikën si dhe projektet në të ardhmen.
Indrit Cakaj në intervistë për CMG
CMG: Si ka nisur rrugëtimi juaj me muzikën?
Indrit Cakaj: Në fakt rrugëtimi im me muzikën ka nisur që i vogël, sepse unë vij nga një familje muzikantësh dhe mësimet e para i kam marrë nga babai dhe gjyshi im. Kështu nisi, duke u dashuruar shumë me tingujt e muzikës. Më vonë kam vazhduar kurset në pallatin e pionierëve që ka qenë atëhere, me profesor Agim Çumanin i cili më përgatiti për konkursin e shkollës së mesme në liceun artistik “Jordan Misja”, ku zura vendin e parë. Pastaj kam vazhduar me studimet e larta në Universitetin e Arteve në degën e fizarmonikës klasike, ku sot jam pedagog i fizarmonikës.
CMG: Ju jeni një familje e njohur muzikantësh dhe ju e trashëguat këtë zanat nga familjarët tuaj. Sa ka ndikuar mbështetja e familjes në formimin tuaj muzikor?
Indrit Cakaj: Fati im i mirë është që vij nga një familje artistësh, ku gjyshi im Lakmi Hasimi ka qenë këngëtar dhe instrumentist në Ansamblin e shtetit, ku luante në shumë instrumenta. Gjithashtu xhaxhai im Vladimir Hasimi është dirigjent prej shumë vitesh në Ansamblin Popullor dhe fizarmoniçist, ndërsa babai im instrumentist në shumë instrumente, por edhe xhaxhai tjetër lunate në kitare dhe lahutë. Pra një familje e madhe muzikantësh.
Indrit Cakaj me frupin pas nje aktiviteti (Foto personale)
CMG: Sa ka ndikuar shkollimi në fushën e muzikës për formimin tuaj profesional?
Indrit Cakaj: Mendoj se për formimin tim në përgjithësi ka ndikuar jo vetëm Universiteti i Arteve në mënyrë të padiskutueshme, por dhe liceu artistik si dhe eksperiencat e ndryshme në kurse, masterklase, prova dhe koncerte të ndryshme, të cilat kanë luajtur një rol të çmuar në formimin tim muzikor.
CMG: Pse zgjodhët të studionit për instrumentin e fizarmonikës?
Indrit Cakaj: Me thënë të drejtën nuk jam akoma i qartë nëse është fizarmonika që më ka zgjedhur mua apo unë atë. E them këtë duke shmangur disi modestinë, por trashëgimia familjare, historitë familjare, ku xhaxhai im është shëmbëlltyra më e mirë e këtij instrumenti, i cili pa diskutim ka frymëzuar tek mua këtë instrument. Unë mund të kisha zgjedhur shumë instrumente të tjera, por thjesht tingulli i fizarmonikës është në zemrën time.
Indrit Cakaj gjate nje performancë në fizarmonike (Foto personale)
CMG: Përveç fizarmonikës luani dhe në ndonjë instrument tjetër muzikor?
Indrit Cakaj: Unë luaj në piano dhe tastierë.
CMG: Prej shumë vitesh jeni pjesë e grupit muzikor “Salabeg Band”, ku merrni pjesë në shumë aktivitete muzikore. Cila është muzika që lëvroni me grupin?
Indrit Cakaj: Unë prej 10 vitesh jam pjesë e një grupi muzikor shumë të mirë “Salabeg Band”, me të cilin jam rritur akoma më shumë profesionalisht falë përkushtimit tonë maksimal, sodomos të Nimetit dhe Manolës. Ne jemi një grup që luajmë muzikë ndërkombëtare, ku baza kryesore është muzika qytetare. Mundohemi me përkushtimin tonë që të krijojmë momente sa më speciale për dëgjuesit tanë.
Indrit Cakaj me grupin Salabeg Band (Foto personale)
CMG: Cilat kanë qenë aktivitetet ku keni marrë pjesë me grupin tuaj muzikor?
Indrit Cakaj: Ne kemi marrë pjesë në shumë aktivitete muzikore në mjaft qytete të vendit, por dhe jashtë shtetit. Kemi qenë me grupin në koncerte të ndryshme, gëzime familjare dhe shumë evente të tjera.
CMG: Besoj se keni krijuar një harmoni me njëri-tjetrin, që vazhdoni të jeni 10 vite bashkë?
Indrit Cakaj: Patjetër që po dhe ndjehemi mirë me njëri-tjetrin.
CMG: Kohët e fundit keni realizuar disa instrumentale në studion tuaj muzikore. Flasim për këtë projekt muzikor?
Indrit Cakaj: Kam luajtur disa instrumentale, ku përfshihen motive shqiptare, motive ballkanike dhe nga kompozitorë të ndryshëm ku kryesisht kam luajtur shumë dhe nga kompozitori dhe fizarmoniçisti im i preferuar Agim Krajka. Këto instrumentale për momentin i kam publikuar vetëm në rrjetet sociale, por kam projekte të cilat dua t’i shfaq dhe në një recital timin në të ardhmen.
CMG: Si keni menduar ta organizoni recitalin tuaj?
Indrit Cakaj: Si fillim po punoj për një recital timin, ku do të ketë shumë pjesë të përzgjedhura nga muzika folklorike dhe jo vetëm, sepse ky recital do të mbledhë edhe profesionistë si dhe talente të rinj. Qëllimi im është që të bëj qytetin të dëgjojë muzikë me shije të hollë dhe të kënaq publikun. Përveç recitalit projekti im kryesor aktualisht është produksioni muzikor në studio, që e kam sfidë me veten, dhe produksioni në rryma të ndryshme muzikore, ku muzika moderne do të dominojë e parë në një këndvështrim tjetër.
Indrit Cakaj (Foto personale)
CMG: Sa kohë kaloni në studion tuaj muzikore për të krijuar muzikë?
Indrit Cakaj: Unë pjesën më të madhe të ditës e kaloj në studion time dhe ndjehem mirë aty.
CMG: Si janë marrëdhëniet tuaja me studentët e Fakultetit të Muzikës?
Indrit Cakaj: Marrëdhëniet që kam krijuar me studentët e mi janë shumë shoqërore, e njëjta marrëdhënie që kam pasur edhe unë më përpara me pedagogun tim. Unë e shoh që siç ka qenë përkushtimi ynë me instrumentin ashtu është edhe i brezit të ri tani, ku ka shumë talente dhe kanë edhe vullnet për të studiuar.
CMG: Mendon se brezi i ri tashmë është rikthyer tek muzika tradicionale shqiptare?
Indrit Cakaj: Mendoj që ka përpjekje, sepse unë nuk jam lloji i muzikantit që vetëm kritikojnë siç bëjnë rëndom shumë të tjerë kur flitet për brezin e ri. Unë mendoj se muzika eksperimentale është tregues i rrymave të kohës, është produkt i faktorëve social-ekonomikë, dhe këto nuk duhen ndarë veçmas. Këto janë tregues të vlerave që ne ndajmë me njëri-tjetrin. Unë them se muzika tradicionale duhet eksperimentuar në kuadrin e cilësisë së regjistrimit të produksionit muzikor, si dhe të orientimit në një faktor më të kohës.
CMG: Cili do të ishte kulmi i karrierës suaj në muzikë?
Indrit Cakaj: Gjëja e mirë nuk ka fund, por mendoj që projekt- idetë e mia që kanë nisur të punohen dhe përpunohen janë shumë. Projekti kryesor për momentin është recital im dhe produksionet e mia muzikore, që dua të realizoj në studio. Gjithashtu një projekt tjetër i imi është promovimi i talenteve të reja.
Indrit Cakaj me grupin muzikor (Foto personale)
CMG: Jemi në kulmin e sezonit të gëzimeve familjare, ku dhe ju bashkë me grupin tuaj keni një agjendë të ngarkuar pune besoj.
Indrit Cakaj: Normal që me grupin që unë punoj kemi aktivitete muzikore dhe mundohemi me përkushtimin tonë të krijojmë momente sa më speciale për miqtë dhe dëgjuesit tanë.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Indrit Cakaj: Ju përshëndes dhe uroj të kaloni sa më mirë.
Intervistoi: Gazmend Agaj