Protestat për djegien e Kuranit/ Danimarka shton kontrollet kufitare
2023-08-05 13:35:20

Foto:VCG

Foto:VCG

Policia e Danimarkës është duke shtrënguar kontrollet kufitare pas djegieve të fundit të kuranit, të cilat kanë ndikuar në situatën e sigurisë, njoftoi Ministria e Drejtësisë.

Vendim të ngjashëm ka marrë edhe Suedia më herët gjatë javës.

Aktivistët kundër islamit në Danimarkë dhe Suedi kanë dëmtuar dhe djegur disa kopje të kuranit, gjë që ka zemëruar botën myslimane dhe janë rritur kërkesat që qeveritë t’i ndalojnë këto veprime, përcjell “Panorama”.

“Autoritetet besojnë se është e nevojshme në këtë kohë që ta rrisim fokusin se kush hyn në Danimarkë, në mënyrë që t’u përgjigjemi kërcënimeve specifike”, njoftoi Ministria daneze e Drejtësisë përmes një deklarate.

Kontrollet më të ashpra kufitare do të zbatohen fillimisht deri më 10 gusht.

“Djegiet e fundit të librit të shenjtë për myslimanët kanë ndikuar në situatën aktuale të sigurisë”, deklaroi ministri i Drejtësisë, Peter Hummelgaard.

Si Danimarka, ashtu edhe Suedia, i kanë dënuar aktet e djegies së kuranit dhe kanë bërë të ditur se janë duke shqyrtuar mundësinë e hartimit të ligjeve të reja që do të ndalonin diçka të tillë.

Mirëpo, kritikët kanë thënë se vendime të tilla rrezikojnë lirinë e shprehjes, që u garantohet qytetarëve me kushtetutë. (Irma)