
Foto:VCG
Presidenti rus Vladimir Putin dhe udhëheqësit e shtatë vendeve afrikane të përfshirë në një mision paqeje në Ukrainë ranë dakord të vazhdojnë dialogun e tyre, njoftoi një zyrtar rus.
“Në të vërtetë, dialogu do të vazhdojë. Nuk ka ende data të sakta”,- deklaroi sekretari i shtypit i Kremlinit, Dmitry Peskov, për agjencinë ruse të lajmeve “Tass”, citon “Xinhua”.
Autoritetet e Afrikës së Jugut lëshuan të enjten një deklaratë të përbashkët mes presidentit rus dhe Misionit afrikan të Paqes, pas takimit të tyre në kuadër të samitit Rusi-Afrikë të mbajtur në Shën Pjetërburg në fund të korrikut.
Misioni, i udhëhequr nga Afrika e Jugut, përfshin gjithashtu Komoret, Senegalin, Zambian, Egjiptin, Republikën e Kongos dhe Ugandën.
Në deklaratë thuhet se liderët ranë dakord të vazhdojnë dialogun, mbështetën heqjen e sanksioneve ndaj eksporteve ruse të grurit dhe plehrave dhe pranuan përparimin e bërë në aspektet humanitare të nismës.
Ky ishte raundi i dytë i bisedimeve të tilla këtë verë. I pari u zhvillua më 17 qershor, kur Putin tha se Rusia ishte e hapur për negociata me Ukrainën.
Në qershor, delegacioni afrikan i paqes vizitoi Ukrainën dhe Rusinë dhe prezantoi një plan paqeje prej dhjetë pikash që bën thirrje për përfundimin e konfliktit përmes negociatave dhe mjeteve diplomatike dhe uljes së tensioneve nga të dyja palët. (Irma)
