Pse u rritën eksportet bujqësore gjatë gjysmës së parë të këtij viti?
2023-08-04 10:19:02

Prodhimet bujqësore shqiptare (Foto Ministria e Bujqësisë )

Prodhimet bujqësore shqiptare (Foto Ministria e Bujqësisë )

Sipas INSTAT, vetëm gjatë muajit maj 2023, u shitën në tregjet e huaja 53 mijë ton ushqime, pije dhe duhan nga Shqiperia, në krahasim me 42 mijë ton në po të njëjtin muaj të një viti më parë, duke regjistruar një zgjerim në vëllim me 26.5 përqind, ose mbi një të katërtën.

Eksportet bujqësore janë shtuar, pavarësisht zhvlerësimit të euros ne tregun e këmbimit të Shqipërisë. Eksportet jane rritur jo vetëm në vëllim fizik, por edhe në vlerë. Vetëm në maj 2023, sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit, kompanitë shqiptare kanë përfituar 6.53 miliardë lekë apo rreth 62 milionë euro, shifër kjo 24.6 përqind më e lartë, në krahasim me muajin maj të vitit 2022. Sipas Ministres së Bujqësisë dhe Ushqimit, Frida Krifca, kjo ka ardhur, si rezultat i një punë te jashtëzakonshme të fermerëve shqiptarë, tregtarëve, eksportuesve dhe standartizuesve të produkteve ushqimore, si dhe një zinxhiri ushqimor që po forcohet dita-ditës. Bashkëpunimi mes hallkave të ndryshme të zinxhirit ushqimor në vend është shtuar ndjeshëm, me sektorin financiar dhe kryesisht atë bankas dhe institucionet e mikro-kredisë, të cilat kanë ndihmuar dhe ofruar më bindshëm huatë e tyre, në dispozicion të fermerëve dhe agro-përpunuesve.

Po sipas INSTAT, gjatë muajve janar-maj 2023, sasia e eksporteve të produkteve ushqimore shqiptare ka arritur një vellim fizik rreth 162 mijë tonë, ose 15.3 përqind me shume, krahasuar me një vit më parë. Vetëm eksporti i vajit të ullirit ka siguruar të ardhura 26 herë më të larta se periudha janar-maj 2022, kur praktikisht kishim eksport shumë të paktë. Kjo ka ardhur edhe si rezultat i marrëveshjes me Qeverinë Italiane. Ministri i Bujqësisë, Sovranitetit Ushqimor dhe Pylltarisë i Republikës së Italisë, Francesco Lollobrigida vizitoi Shqipërinë në fund të marsit 2023, së bashku me një numër sipërmarrësish italianë, të cilët lidhën kontrata me prodhuesit shqiptarë të vajit të ullirit.

Edhe pse rënia e euros ne tregun shqiptar po ndikon pak në zhvlerësimin e të ardhurave të eksportuesve shqiptarë të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale, qeveria shqiptare është e gatshme të ofrojë mbështetje për eksportuesit, në rast se do të lindë nevoja. Ilir Pilku, specialist i lartë i bujqësisë në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës flet për eksportet bujqësore shqiptare gjatë 6 mujorit të parë të vitit.

 

Ilir Pilku në intervistë për CMG

Ilir Pilku në intervistë për CMG

CMG: Sipas INSTAT, eksportet e produkteve bujqësore të Shqipërisë u rritën gjatë periudhës janar-maj 2023 me 11.3 përqind si sasi dhe me 15.3 përqind si vlerë. Rritja e eksporteve ka vazhduar edhe gjatë dy muajve qershor-korrik. Çfarë tregojnë këto shifra?

Ilir Pilku: Kjo ishte e pritshme. Në rradhë të parë, ishte e pritshme që ky gjashtëmujor të kishte trendin pozitiv të rritjes së eksporteve bujqësore. Kjo, nisur nga fakti që Shqipëria e mbylli vitin 2022, për herë të parë me një rritje të lartë të eksporteve bujqësore. Është shtimi më i madh në historikun e eksporteve tona bujqësore, me rreth 480 milionë euro eksporte gjatë 2022-it. Kjo është e dukshme.

Edhe pse bujqësia nuk është në një situatë shumë të favorshme, pavarësisht kësaj, kemi rritje të eksporteve.

Pse cilësoj se nuk është në një situatë të favorshme? Ju të gjithë e shikoni se ndryshimet klimaterike kanë sjellë pasoja shumë negative në bujqësi. Vijmë në një thatësirë dhe në një situatë rreshjesh të paparashikuara. Kemi temperatura tejet të larta që shkuan deri në 45 gradë celsius. Këto e stresojnë dhe e kushtëzojnë prodhimtarinë bujqësore.

Është fakt që ngrohja globale ka prishur ekuilibrat botërorë. Kemi shkrirje të akullnajave dhe zvogëlim të sipërfaqës së tokës së punueshme. Nga ana tjetër, kemi rritje të popullsisë globale. Po shkohet drejt nëndë miliardë banorë.

Kjo nënkupton që ulja e sipërfaqes së punueshme dhe rritja e njerëzimit do të kërkojnë më shumë ushqim. Kërkesa për ushqim në botë rritet me 1-2 përqind çdo vit.

Të gjitha këto kërkojnë që të jemi sa më produktivë dhe sa më intensivë në bujqësi, në mënyrë që të plotësojmë kërkesat e eksporteve. Kjo është situata që na sjell rritje të eksporteve. Ka një kërkesë shumë të madhe.   

 

CMG: Si të thuash, ka një uri në treg.

Ilir Pilku: Po, por Fatos, kjo është një lloj sfide. Duhet të jemi drejt një cilësie sa më të lartë. Duhet të jemi drejt një standardi sa më të lartë. Është plotësisht e mundur që të arrihet ajo vlera e parashikuar dhe e paraqitur nga qeveria për 1 miliardë dollarë eksporte bujqësore brenda disa viteve.

Në shkrimet dhe në daljet e mija publike, unë shpesh herë e them që shifra 1 miliardë dollarë eshte totalisht e arritshme, për këtë bujqësi dhe klimë të mirë që ka Shqipëria.

Por pastaj kuptohet që duhet të ulim importet e mallrave bujqësore, pasi, pavarësisht se kemi ecur përpara në dhjetë vitet e fundit, ende jemi defiçitarë në bilancin tregtar, pra importojmë më shumë produkte bujqësore, nga sa eksportojmë.

 

Eksportet bujqësore (Foto INSTAT)

Eksportet bujqësore (Foto INSTAT)

CMG: Në gjykimin tuaj Ilir, çfarë roli kanë luajtur skemat e subvencioneve shtetërore në bujqësi, në rritjen e eksportit?

 

Ilir Pilku: Do t’i jepja një emërtim: subvencionet shteterore janë një oksigjen nxitës për eksportet bujqësore. Me të vërtetë që subvencionet janë fonde të vogla, por, nga ana tjetër, përfshirja është e një grupi shumë të madh. Janë shumë fermerë që përfitojnë prej tyre.

Vetëm në skemën e subvencionit të naftës pa akcizë për aktivitetet bujqësore, janë 35 mijë fermerë që përfitojnë. Kanë aplikuar rreth 45-50 mijë fermerë, por 35 mijë përfitojnë.

Edhe në fusha të tjera të aktiviteteve bujqësore, kemi subvencione, ku mesatarisht përfitojnë rreth 3-4 mijë fermerë për fushë ndihme shtetërore. Pra, kjo ndihmë shtetërore është një oksigjen për ta mbajtur sektorin në këmbë. Fermerët motivohen nga këto skema.

Pastaj, ajo pjesë që lidhet me futjen e kapitaleve, ka të bëjë me grantet. Pra grantet si ato të qeverisë shqiptare, dhe ato të Bashkimit Evropian, apo të donatorëve të tjerë.

Ato sjellin rritje të kapitaleve investuese në bujqësi. Janë kryesoret, në garantimin e këtij trendi rritës në eksportet bujqësore shqiptare.       

 

CMG: Qeveria po nxit formalizimin e fermerëve. Si ka shkuar ky proces? A i ndihmon ai eksportet bujqësore?

 

Ilir Pilku: Do ta shikoj këtë çështje në një spektër pak më të gjerë. Pra, më të gjerë, se thjesht vetëm për eksportet.

Në rradhë të parë, skemat e subvencionimit kanë sjellë jo vetëm një formalizim të bujqësisë shqiptare. Kanë arritur që të mos kemi vetëm një kod fermeri, që merrej në Ministrinë e Bujqësisë, por të kemi një numër fiskal, një NIPT fermeri. Ky është një hap shumë i mirë drejt formalizimit. Kemi mbi 96 mijë fermerë që kanë NIPT-in e tyre në organet tatimore.

Së dyti, një gjë e lënë në harresë, një gjë e pakërkuar ndër vite, kanë qenë pagesat e sigurimeve shoqërore për fermëret. Efektin e këtyre pagesave sot, fermerët do ta shikojnë në moshën e pensionit. Sado që kjo pagesë mund të jetë jo në nivelin e dëshiruar, sërisht ajo është një ndihmë për fermerët. Edhe kjo është pjesë e formalizimit.

Përfitimi përfundimtar kuptohet që është rritja e prodhimit bujqësor. Pra, eksportet e tregojnë më së miri këtë.

Ajo që do të theksoja, është që prodhimin bujqesor ta drejtojmë drejt atyre produkteve që na hyjnë nga doganat, pra nga importet. Ne kemi një masivitetet të produkteve të mishit, që vijnë nga importi, kemi shumë produkte bujqësore që penetrojnë në Shqipëri, në sezonet kur nuk kultivohen në Shqipëri.

Të gjitha këto duhet t’i kemi parasysh, në mënyrë që të hartojmë politika bujqësore sa më efiçiente.

Eksperti i lartë i bujqësisë Ilir Pilku

Eksperti i lartë i bujqësisë Ilir Pilku

CMG: Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural thotë se ne eksportojmë mallra bujqësore në 78 vende të botës. Çfarë nënkupton kjo shifër? Mund ta shtrijmë akoma më shumë gjeografinë e produkteve tona?

Ilir Pilku: Sinqerisht 78-a është një numër shumë i lartë. Ndoshta Ministria përfshin eksportet dhe importet bashkë. Ne, për shembull kemi importe nga Kina. Kemi importe në vëllime shumë të larta të arrorëve, pra arra, lajthi dhe bajame, që vijnë nga Kina. Rreth 70 përqind të importeve të tyre janë nga Kina. Kemi produkte si hudhra dhe qepa, që importohen nga Kina.

Të gjitha këto produkte ne mund t’i prodhojmë fare lehtë. Sigurisht, kjo politikë asnjëherë nuk e ndalon konkurrencën e lirë. Por Shqipëria, me kushtet klimaterike që ka, me një tokë shumë të pasur, të pashfrytëzuar dhe të pa infektuar, mund të japë rezultate të mira në kultivim.

Përmes rritjes së prodhimit vendas, ne mund të arrijmë të përmirësojmë edhe anën sociale të fermerëve.

Patjetër që kemi shumë eksporte. Ne jemi një vend që eksportojmë fuqishëm në vendet ballkanike dhe të Evropës Juglindore. Në vitet e fundit, kemi gjetur edhe disa tregje, për produkte të veçanta, si Lituania, Estonia, etj., të cilat kanë filluar të jenë një treg i mirë për prodhuesit shqiptarë.

 

 

CMG: Cila është problematika e sotme e mprehtë e eksporteve bujqësore? Çfarë u mungon atyre sot?

Ilir Pilku: Patjetër që ka shumë gjëra për të riparuar. Për nga vetë analiza që ne bëjmë, ne jemi më shumë të drejtuar për të eksportuar drejt vendeve të Evropës Juglindore. Kjo do të thotë që kërkesa për standarde, të tilla si standardet në lidhje me cilësinë, marketingun dhe sigurinë ushqimore janë më të ulta, në krahasim me standardet e vendeve të Bashkimit Evropian, si Gjermania, Franca, Hollanda, Italia, etj.

Ajo që unë do të theksoja është që përmirësimi i standardeve, si për sigurinë ushqimore dhe për standardizimin e produkteve, do na orientonte drejt një tregu më të mirë. Pra, do të ishte ky orientim një vlerë e shtuar për të ardhurat në ekonominë shqiptare.  Kjo duhet të jetë në prioritetet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe të mbarë qeverisë në tërësi.

CMG: Në gjykimin tuaj, takimet b2b, pra biznes me biznes, të fermerëve tanë, të agro-përpunuesve tanë, a ndihmojnë në rritjen e eksporteve tona? A mund të ndihmojë qeveria dhe Ministria përkatëse me programet e saj?

Ilir Pilku: Kjo është “Thembra e Akilit”. Patjetër që fermeri ka nevojë për informacion. Patjetër që ai ka nevojë për trajnim dhe orientim. Të gjitha këto së bashku përbëjnë paketën e sfidës 1 miliardë dollarë.

Pa një orientim të mirë në paketat teknologjike, në kultivarët e kërkuara nga tregjet evropiane, pa një paketë të mirë në lidhje me standardet që kërkon tregu evropian, nuk mund të ecim. Kuptohet që tregu evropian është shumë i ndjeshëm ndaj sigurisë ushqimore.

Po të shikojmë standardet e cilësisë dhe sigurisë ushqimore, vërejmë që nga viti në vit, standardet bëhen edhe më të rrepta dhe më të forta. Pra, nëse përpara 2-3 viteve kemi patur Global Gabis që kërkonin vendet e Evropës si çertifikim, tashmë kemi standardet BRC, BSCI, IFC, etj. Janë standardet më të larta, “top of the top”.

Janë standarde që nuk lidhen thjesht vetëm me produktin e prodhuar, por lidhen me mënyrën e operimit të strukturës rurale që nxjerr produktin. Lidhen edhe me mënyrën e trajtimit të punonjësve. Pra janë edhe standarde sociale. Sa punonjësit janë të trajtuar, si në lidhje me pagën, po ashtu dhe me kushtet e punës.

Ne duhet patjetër që këto standarde dhe kërkesa t’i vendosim në një axhendë, në plan të parë. Dua të theksoj që titullarët e ministrive përkatëse, kur paraqesin projektet tek donatorët, duhet t’i shikojnë këto përparësi. Nuk është gjithshka që mund të bëhet vetëm përmes një investimi. Ne kemi nevojë që të japim vlerën e shtuar edhe përmes respektimit dhe zbatimit të standardeve më të larta evropiane.

 

Prodhime bujqësore (ATSH)

Prodhime bujqësore (ATSH)

CMG: Një prognozë tuajën për ecurinë e eksporteve bujqësore deri në fund të këtij viti.

Ilir Pilku: Jemi sërisht me sfida. Ky gjashtëmujor i dytë ka shumë sfida. Kemi një vreshtari të dëmtuar në Shqipëri. Rreshjet e shumta që patëm në periudhën prill-maj 2023 kanë dëmtuar minimalisht me 60 përqind vreshtarinë shqiptare. Kjo nënkupton jo vetëm produktin më të pakët në tavolinat tona, por edhe atë për përpunim. Afërisht 120 kantina do të kenë nevojë për lëndë të parë. Çfarë do të na sjellë kjo? Do kemi produkt nga importi.

Do të kemi sfida me produktet e pemtarisë, sidomos me mollën, edhe pse mendoj se ajo nuk ka dëmtim deri tani, nga kushtet klimaterike.

Presim që të marrim 10-12 milionë euro eksporte nga shalqini i vonshëm deri në fund të gushtit. Shpresoj shumë që sipërfaqet e kultivuara dhe cilësia të jenë të mjaftueshme, për të plotësuar kontratat e eksportit.

Kemi pastaj agrumet, kryesisht mandarinën. Mendoj që do të kemi një histori suksesi për këtë vit, pavarësisht stresit nga temperaturat e larta. Italia dhe Spanja parashikohet të kenë një humbje 50 përqind me prodhimin e mandarinës. Ndërkohë, dy shtete të fuqishme në eksport si Greqia dhe Turqia po rezistojnë. Greqia ka deri tani një humbje dhe dëm rreth 20 përqind. Ne ngelemi një faktor për të plotësuar boshllëqet e tregjeve evropiane.

Do ta mbyllja me ullirin. Shpresoj shumë që prodhimi i ullirit këtë vit të jetë në një nivel të kënaqshëm, për arësye se kërkesa për vajin e ullirit vazhdon të jetë e lartë. Sot vaji i ullirit po kërkohet nga tregjet italiane me vlera më të larta. Litri i vajit te ullirit ka arritur në 580 lekë, ndërkohë që fermerët e tregtuan në dhjetor 2022 me 380 lekë, pra, me një çmim shumë të disfavorshëm. Shpresoj që të kemi një prodhim të mbarë në ullinj dhe në vajin e ullirit.

Për perimet e fushës, si lakra, lulelakra dhe karrota, kërkesa e tyre është kostante në eksport. Në tërësi, ecurinë e eksporteve tona e shikoj pozitive.   

Intervistoi Fatos Çoçoli