Ky sezon veror e ka gjetur Shqipërinë me disa emërtesa vërtet promovuese, në faqet kryesore të mediave të njohura ndërkombëtare. Quhet “Kroacia e re”, “Maldivet e Europës”, “Karaibet e Europës” apo “Greqia e ardhshme”. Jemi në pikun e sezonit veror dhe shifrat janë mjaft pozitive në sektorin e turizmit, nxitur dhe nga fluksi i madh i turistëve, që kanë zgjedhur Shqipërinë për të pushuar. Analisti Bardhi Sejdarasi, eskspert i ekonomisë në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës komenton fluksin e turistëve të huaj në Shqipëri në këtë sezon veror.
CMG: A është fluksi i turistëve të huaj që po vizitojnë Shqipërinë, më i madhi i shënuar ndonjëherë në vend?
Bardhi Sejdarasi: Pas një fushate jo tërësisht shqiptare sepse mediat e huaja kanë bërë një fushatë të të gjitha formave për Shqipërinë dhe janë vërtet befasuese shifrat e vizitorëve. Nuk po i quaj turistë, por vizitorë. Pas pandemisë të gjithë kemi patur probleme, të gjitha shtetet, përfshirë Shqipërinë, vitet 2020, 2021 dhe 2022 kanë qenë befasues sepse Shqipëria arriti të thithte një numër të konsiderueshëm vizitorësh. 7.7 milion është një shifër vërtet shumë e lartë dhe një rrjedhojë e të gjitha masave të marra nga autoritetet qendrore dhe entet private sepse turizmi është një sektor që bazohet në bazën e partneritetit.
Bardhi Sejdarasi në intervistë për CMG
Sot që flasim shifrat e vitit 2023 janë sërish befasuese sepse vetëm në maj shifrat ishin 706 mijë vizitorë, një shifër që nuk ka qenë kurrë e tillë. Kjo shifër tregon një rritje të ndjeshme, të konsiderueshme, që nuk lidhet vetëm me atë shifër që ne raportojmë si vizitorë në Shqipëri, por veçanërsht me shifra të akomodimit, sepse të ardhurat vijnë nga akomodimi. Po kështu edhe netët e fjetjeve janë në rritje. Ka 46.7 për qind rritje në krahasim me të njejtën periudhë të vitit të kaluar, që është një shifër domethënëse.
Sa i përket vizitorëve dominojnë gjermanët, francezët, italianët apo polakët. Nuk e përmenda Kosovën sepse kemi një vendim të Këshillit të Ministrave që në momentin që nis sezoni turistik ne nuk e regjistrojmë pjesën e Kosovës, sepse kemi kufirin e hapur. Nëse do të shtonim edhe kosovarët, që përbëjnë “pjesën e luanit” shifra është shumë e madhe. Me sa duket do të arrihet ajo shifër që kërkon Ministria e Turizmit deri tek 10 milion vizitorë në vit, që është një shifër e jashtëzakonëshme për Shqipërinë. Kjo shifër është ambicioze, por tregon që potencialet kanë filluar të rriten. Tek shifrat kam parasysh jo vetëm numrin e vizitorëve dhe netët e qëndrimit, por shtimin e njësive akomoduese dhe investimet e mëdha që fillojnë me infrastrukturën rrugore dhe strukturat hoteliere. Sot në Shqipëri kemi një numër brandesh të njohura ndërkombëtare, një ndër to Melia, por dhe shumë të tjera të hapura para saj. Të gjitha këto tregojnë se Shqipëria është një atraksion jo vetëm për turizmin masiv me të cilin jemi mësuar, por dhe turizmin elitar.
Një shifër interesante është se të ardhurat nga turizmi janë 2.8 miliardë euro, që nuk janë pak për Shqipërinë
Mediat ndërkombëtare shkruajnë për plazhet shqiptare(Foto nga tv1-channel)
CMG: Cilët janë faktorët që ndikuan në këtë bum turistësh në këtë sezon veror ?
Bardhi Sejdarasi: Përveç promovimit, pjesa tjetër ka të bëjë me shërbimet që po ofron Shqipëria, e cila e ka diversifikuar tashmë tregun e turizmit. Tani nuk kemi vetëm turizmin e detit, por dhe turizmin e aventurës që është zhvilluar shumë.
CMG: Kemi vënë re që jo vetëm të huajt që e preferojnë shumë turizmin malor, por dhe shqiptarët tashmë po bëhen pjesë e tij
Bardhi Sejdarasi: Kjo është e vërtetë. Nëse shkoni në destinacione malore nuk do të gjeni vend as në Voskopojë, por as në Theth në veri të vendit. Kam qenë javën e kaluar në veri të vendit dhe pashë që numri më i madh i bujtinave ishin të prenotuara dhe më thanë pronarët e tyre që deri në fund të shtatorit nuk ka më vende. Këtu flas për një numër në rritje të bujtinave nëpërmjet investimeve private, por dhe shtetërore sepse infrastruktura është e rëndësishme.
Nëse shikoni rrugën e Thethit apo në Malësinë e Shkodrës thuajse të gjitha janë rregulluar. Ky investim që ka qenë i planifikuar dhe vazhdon të bëhet nga qeveria shqiptare krijon atraksion të jashtëzakonshëm për shqiptarët por edhe për të huajt.
Ndërkohë në Ksamil nuk ka më vende akomodimi. Vura re turistët gjermanë që thonin se do të rrinin një ditë në Ksamil dhe pastaj do të shkonin në Shkodër. Pikërisht ky diversifikim, kjo mënyrë e të ndërthururit të këtij lloj turizmi, përfshirë dhe turizmin e aventurës ka bërë që numri i turistëve që vijnë në Shqipëri dhe shtohet dita-ditës të krijojë tashmë një sektor ekonomik, i cili është dominant. Sektori i turizmit tani jep 48.6 për qind të PBB-së dhe është një nga sektorët prioritarë, që sjell të ardhura. Madje bisedojmë në familjet tona pse është ulur euro në këtë nivel, por është pikërisht kjo dyndje e madhe e turistëve dhe veçanërisht shpenzimet që ata kryejnë që krijon një bollëk të madh të monedhës europiane, euros, sikundër krijon bollëk të valutave të tjera. Në përgjithësi analistët dhe gazetarët trajtojnë vetëm çeshtjen e rënies së euros, por nga ana tjetër po ulet dhe dollari që nuk ka rënë qysh nga viti 2008, gjithashtu po bie franga zvicerane, paundi britanik etj. Të gjitha valutat e huaja janë pjesë e këtij kompleksi faktorësh, që lidhen së pari me turizmin, por dhe me zhvillime të tjera.
Plazhet më të njohura shqiptare (Foto Buletini Ekonomik)
CMG: Të gjitha vendet turistike synojnë turizmin elitar. Cilave kategori u përkasin turistët e juaj që po frekuentojnë këtë verë Shqipërinë?
Bardhi Sejdarasi: Përfshihen pothuajse të gjitha kategoritë. Mjafton të shikojmë deklarimet që bëjnë në Drejtorinë e Emigrimit dhe të Kufirit sepse aty deklarohet destinacioni dhe pastaj janë shifrat e deklaruara nga INSTAT, i cili mat këtë prurje, del se në të gjitha tipologjitë e turizmit ka njerëz që kërkojnë të vizitojnë Shqipërinë.
Për të vizituar lumin e Shalës duhet të prenotosh dy ose tre ditë përpara që të marrësh tragetin.Gjithashtu një hov të madh ka marrë dhe turizmi dentar në Shqipëri. Edhe turizmi i gastronomisë shënon një numër të madh vizitorësh dhe kjo përvojë e të gjitha destinacioneve turistike që kemi transmetohet tek ata që vijnë më pas. Ministria e Turizmit dhe aktorë të tjerë ku përfshihet dhe biznesi ka filluar të hartojë strategji për turizmin dhe madje ky është viti i fundit i strategjisë aktuale, ndërsa strategjia e re do të përfshijë vitet 2024-2030. Kjo përcakton tipologjinë e turizmit që duhet ndjekur lidhur me turizmin masiv, elitar, a do të vazhdojmë të presim kaq turistë sa kemi dhe a kemi kapacitete për këtë. A mundet Shqipëria të presë 10 milion turistë apo do të bëjmë siç veproi Krocia apo shtete dhe qytete që e kufizuan numrin masiv nëpërmjet metodave të ndryshme, por rritën nivelin e turizmit elitar.
Shqipëria i ka të gjitha mundësitë. Kam qenë pjesë e debateve për strategjinë e re të turizmit dhe janë të gjitha të përcaktuara sipas nevojave që ka vendi. Sot ka investime private që janë dominante dhe e zgjerojnë shumë kohën e turizmit,sepse turizmi veror fillon në maj dhe mbaron zyrtarisht në 15 nëntor.
Plazhet e bukura shqiptare (Foto nga Shqiptarja.com)
CMG: A ka Shqipëria kapacitete të mjaftueshme turistike nëse numri i vizitorëve në sezonin veror do të vazhdojë të rritet?
Bardhi Sejdarasi: Në fakt ne nuk kemi aq kapacitete dhe kjo është arsyeja që ndonjëherë kemi paqartësi në shifra. Në Shqipëri vitin e kaluar bujtën 7.5 milion vizitorë, por unë që merrem me shifrat jam dakord me këtë shifër por shtroj pyetjen “Pse 2.8 milion netë fjetje?” Ky është një problem i madh që në disa raste lidhet me informalitetin, por dhe me mënyrën se si jemi të organizuar. Ne kemi një sektor airbnb të cilat në paketën e re fiskale nuk e kanë ende të drejtën e raportimit dhe nuk dihet se sa vizitorë kanë patur.Nga ana tjetër janë emigrantët sepse ka shumë shqiptarë që rikthehen dhe nuk deklarohen si vizitorë. Mendoj se me investimet që janë parashikuar si dhe me strategjinë që po hartohet, por duke parë dhe interesin shumë të madh të kompanive shumë të njohura strategjike ndërkombëtare shohim se në Shqipëri po vijnë brandet më të njohura botërore si dhe po ndërtohen njësi akomoduese shumë cilësore.
CMG: Në këtë fluks turistësh nga vende të ndryshme, a ka edhe turistë kinezë që frekuentojnë Shqipërinë në këtë sezon veror?
Bardhi Sejdarasi: Ka dy zhvillime interesante që filluan në vitin 2023. Së pari në janar u nënshkrua një marrëveshje e rëndësishme mirëkuptimi midis dy vendeve, si dhe ngjarja e dytë është heqja e vizave për shtetasit e të dy vendeve. Këto dy lehtësi, por dhe promovimi i Shqipërisë në Kinë, si dhe në vende të tjera të Azisë kanë bërë që ne sot të kemi vërtetë një prurje të dukshme të vizitorëve nga vendet aziatike, si dhe nga Kina. Këta vizitorë janë të interesuar për Shqipërinë edhe për shkak të traditës, por edhe për faktin këta turistë nuk preferojnë të vizitojnë një vend të vetëm, por një rajon. Guidat që merren me turizmin në Shqipëri dhe e promovojnë atë kanë paketa turistike rajonale. Këta vizitorë sjellin shumë të ardhura dhe kanë dashamirësinë ndaj Shqipërisë edhe për shkak të miqësisë tradicionale midis dy vendeve.
Fluksi i turistëve nga Azia në Shqipëri është në rritje vit pas viti, por lehtësitë që ofrohen tani janë një mjet i mirë për të tërhequr sa më shumë turistë. Kushtet e mira të Shqipërisë, kostoja e lirë, akomodimi dhe ushqimi, si dhe transporti, ndonëse kemi ende probleme të infrastrukturës së brendëshme, agjencitë turistike japin shifra të mirë.
Turistë italianë në plazhin e Durrësit (Foto nga Java News)
CMG: Vitet e fundit vihet te një trend i blerjes së pasurisë së paluajtëshme në zonat bregdetare nga të huajt, kryesisht çekë dhe polakë. Ata pasi kanë ardhur si turistë në Shqipëri prej disa vitesh kanë vendosur të blejnë apartamente në bregdet. Madje këto prona i japin edhe me qira për turistë të huaj që preferojnë plazhet shqiptare.
Bardhi Sejdarasi: Shtrirja e një numri të madh të huajsh në bregdetin shqiptar është interesante. Për shembull në Sarandë do të gjeni irlandezë dhe islandezë, që menaxhojnë pjesën imobiliare. Po kështu në Vlorë të huajt kanë arritur të blejnë për shkak të çmimit të favorshëm njësi akomoduese si apartamente, hotele, që i menaxhojnë vetë. Ndërsa polakët dhe çekët kanë një veçanti që është e ndryshme nga të tjerët sepse kanë agjenci të fuqishme të transportit për turizëm. Që nga tetori i vitit të kaloi ata lidhën kontratat turistike deri në dhjetor të këtij viti.
Këto agjenci në bashkëpunim me turoperatorët shqiptarë e kanë mbyllur axhendën e sezonit veror, madje kemi një problem sepse kjo kontratë e lidhur që nga viti i kaluar është bërë me kursin e këmbimit të atëhershëm të euros, e cila tani ka pësuar rënie të ndjeshme.
CMG: Sa pritet të ndikojë kjo rritje e shifrave në fushën e turizmit në ekonominë e vendit.
Bardhi Sejdarasi: Kemi patur një shifër në fillim të vitit kur thamë që 7% e PBB e zë sektori i turizmit, por tani kjo shifër është 13%. Këtë vit pritet të jetë më e lartë shifra sepse edhe shifrat e gjashtëmujorit të parë të vitit janë domethënëse për sa i përket të ardhurave nga turizmi. Kemi 368 mijë punonjës të punësuar direkt dhe indirekt në turizëm, në zinxhirin që ofron turizmi. Edhe paga bazë në këtë sektor është rritur shumë, madje ka raste kur arrin në 2 mijë deri në 4 mijë euro në muaj. Janë rritur të ardhurat e biznesit privat dhe përveç vendasve që punojnë në turizëm ka dhe shumë të huaj të punësuar në këtë sektor.
Intervistoi Eda Merepeza