Provinca e Kinës lindore në gatishmëri ndërsa afrohet tajfuni i ri
2023-08-04 10:27:52

Foto nga VCG

Provinca Zhejiang e Kinës Lindore përmirësoi reagimin emergjent nga Niveli IV në nivelin III, ndërsa po afrohet tajfuni “Khanun”, tajfuni i gjashtë i këtij viti.

“Khanun”, i cili vjen pas tajfunit “Doksuri”, ka të ngjarë që në ditët në vijim të sjellë shi të dendur në provincën bregdetare dhe det të trazuar me dallgë 8-10 metra të larta, njoftoi Shërbimi lokal Meteorologjik, citon “Xinhua”.

Sipas këtij shërbimi, mëngjesin e të mërkurës, tajfuni u vëzhgua 610 km në juglindje të qytetit Yuhuan, duke grumbulluar një forcë maksimale të erës prej 16 gradësh pranë qendrës së tij, me mundësi intensifikimi të fuqisë së tij ndërsa i afrohet bregut.

Autoritetet detare në Zhejiang kanë forcuar patrullat e sigurisë dhe kanë këshilluar anijet që të ankorohen dhe të marrin masat e nevojshme.

Observatori Kombëtar i Kinës rinovoi të mërkurën një alarm blu dhe këshilloi provincat bregdetare si Fujian dhe Zhejiang të bëjnë përgatitje emergjente për tajfunin.

Kina ka një sistem paralajmërimi të motit me katër nivele, të koduar me ngjyra, ku e kuqja përfaqëson paralajmërimin më të rëndë, e ndjekur nga portokallia, e verdha dhe bluja. (Irma)