Vallet e ansamblit (Foto Info Kult)
Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore nisi udhëtimin e tij nëpër Shqipëri. Artistët e Ansamblit do të përshëndesin me një program të larmishëm të këngëve e valleve tradicionale, të gjithë turistët vendas dhe të huaj, në disa qytete të vendit. Me orkestrën, Grupin e Valleve dhe Grupin Vokal të Ansamblit Popullor, nën dirigjimin e Vladimir Hasimit dhe me koreografinë e Brikena Jaupajt, sheshi përpara Bashkisë së Krujës do të buçasë nga vlerat artistike folklorike. Nga Kruja historike, Ansambli Popullor do të udhëtojë drejt bregdetit të Velipojës, ku më 10 gusht në orën 20.00 skena e tyre do jetë te sheshi pranë “Shatërvani-t”. Pas Velipojës Ansambli do të zhvendoset në bregdetin e Adriatikut, duke sjellë këngët e vallet tradicionale shqiptare, për kënaqësinë e qinda turistëve vendas dhe të huaj. Më 12 gusht Ansambi Popullor do të jetë në qytetin e Durrësit, te Vollga në orën 20.00. Ky aktivitet është një nga stacionet e sezonit veror “Kult Art” 2023, organizuar nga Ministria e Kulturës, e cila çon artin dhe kulturën atje ku është publiku. Alban Tahiri, violina e parë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, si dhe përgjegjës i orkestrës dhe i korit të ansamblit në intervistë për Radio Ejani flet për këtë tur veror.
Alban Tahiri (Foto personale)
CMG: Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore ka nisur udhëtimin e tij nëpër Shqipëri. Si i keni pritur ju këto shfaqje lëvizëse?
Alban Tahiri: Këtë vit kemi një tur veror, por kishim kohë pa ndërmarrë një tur të tillë. Përpara 3-4 muajve patëm koncerte në Tepelenë, në Libohovë , Gjirokastër dhe në Përmet. Ishte një tur interesant, përveç faktit të njohjes së traditave tona, të muzikës dhe valleve tona në këto rrethe. Kjo është puna jonë, që kulturën, tabanin tonë kulturor ta shpërndajmë në çdo vend.
CMG: Çfarë ka qenë ndryshe në këtë sezon veror?
Alban Tahiri: Për sa i takon këtij turi veror, është hera e parë që ndodh, sepse nuk kemi lëvizur në muajin gusht. Kemi katër koncerte, ku do nisim nga Kruja më datën 8, më pas do jemi në Shëngjin më datë 10, ndërsa më datë 14 në qytetin e Durrësit, si dhe më datë 18 do jemi në Velipojë.
Alban Tahiri (Foto personale)
CMG: Cili është programi që do shpalosni në këto koncerte?
Alban Tahiri: Në këto koncerte ne do marrim pjesë më vallet, me folklorin tonë, ku mund të përmendim vallën e “Fajes”, “Vallen e Kosovës”, etj, por dhe me këngë nga grupi i korit, me solistët tanë dhe këngët më të bukura që kemi si dhe padyshim me orkestrën tonë që do i shoqërojë gjatë këtyre aktiviteteve. Ndryshe në këtë sezon është thjeshtë periudha, që ne kemi zgjedhur një program sa më konçiz, sa më të saktë dhe një program që t’i përmbledhim të gjitha në një. Do të luajmë nga të gjitha trevat tona, t’i përshtatemi edhe vendit se ku jemi dhe mbi të gjitha për turizmin, Nuk bëhet fjalë këtë herë vetëm për publikun shqiptar, por edhe për turistët e huaj që kanë ardhur në Shqipëri. Është hera e parë që ndodh një bashkëpunim i tillë midis Ministrisë së Turizmit, Ministrisë së Kulturës dhe Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Mendoj se gjithçka do të shkojë mire dhe mezi presim që t’i zhvillojmë këto koncerte dhe të jemi pranë publikut tonë.
Artisti Alban Tahiri është diplomuar ne vitin 1996 në akademine e arteve. Prej 18 vitesh ai është violinë e parë e Ansamblit, drejtues i orkestrës dhe i korit. Ka marrë pjesë në të gjitha koncertet e Ansamblit brenda dhe jashtë vendit. Kulmin ai e arriti në vitin 2006 në “Sanremo” ku si violinë speciale, ka shoqëruar këngëtaren Ana Oxa. Albani ka drejtuar grupe muzikore dhe në spektakle televizive si Al Pazar në televizionin Vizion Plus dhe tashmë në MCN TV, në emisionin “Ne jemi një” . Koncertet me Ansamblin kanë qenë të shumta si në Greqi, Kroaci, Serbi, Kuvajt , Itali, Belgjike, Gjermani, Spanjë etj etj ku Albani ka spikatur si solist.
Intervistoi: Sava Lena
Alban Tahiri dhe Ansambli (Foto për CMG)
Ansambli në koncert (Foto Tv Klan)