Zeneida Skenderaj ( foto personale)
Zeneida Skënderaj, këngëtare e re e muzikës popullore është shndërruar në një fenomen në rrjetet sociale për shkak të zërit dhe këngëve popullore që interpreton. Zeneida tregon se përveç origjinës së saj nga Mallakastra dhe shtysës nga familjarët, ajo ndjen që ka shumë pak të rinj të cilët i përkushtohen muzikës popullore, ndaj pasionin e saj filloi ta ushtronte në platformën “YouTube” nga ku arriti të bëhej virale. Ajo ka zbuluar talentin e saj, duke kënduar live disa nga këngët më të bukura të muzikës popullore.
Gjatë intervistës u bashkua edhe këngëtarja Irini Qirjako, duke e dëgjuar Zeneidën në interpretimin e këngëve të saj. Irini Qirjako, një ndër këngëtaret më të mira të muzikës popullore shqiptare, i premtoi asaj se do të bëjnë një bashkëpunim të ardhshëm. Për Radio Ejani Zeneida tregon pasionin dhe planet e saj për muzikën popullore.
Zeneida Skenderaj ( foto personale)
CMG: Zeneida, kur ke nisur të merresh me muzikë?
Zeneida Skënderaj: Jam marrë me muzikë që e vogël. E kam dashur muzikën, por kurrësesi diçka që ta konsideroja si profesion timin. Gjithçka erdhi shumë natyrshëm dhe unë e nisa si testim, fillimisht në rrjetin social Tik-tok, që të oforn shumë mundësi të mira për të ndarë përvoja me ndjekësit. Më pas nisa edhe një kanal në Youtube.
CMG: Të komplimentojnë shpesh për zërin?
Zeneida Skënderaj: Po e bëjnë shumë shpesh, ju bie në sy zëri im. Unë kendoj muzikë shpirti, jam shumë origjinale dhe përpiqem që çdo këngë që e risjell ta mbush me dashuri dhe emocion. Është ndjesi e veçantë nuk di ta përshkruaj me fjalë, por ende nuk më besohet që njerëzit më duan kaq shumë për mënyrën se si këndoj.
CMG: A ka ndikuar fakti që është muzikë popullore?
Zeneida Skënderaj: Po ka ndikuar. Kam kuptuar se ata më së shumti e duan muzikën popullore dhe nuk jam e sigurt nëse do duan kaq shumë rryma të tjera. Por edhe nga fakti që mua më shkon kjo rrymë muzikore.
CMG: Jemi shumë kuriozë se si të sheh familja në këtë hap të rëndësishëm?
Zeneida Skënderaj: Familja është aty për mua, është kudo me mua. Ka qenë një shysë shumë e madhe që të nis të këndoj dhe të vijoj studimet në muzikë, ndoshta janë ata të parët të cilët e kanë vënë re këtë talent.
Zeneida Skenderaj ( foto personale)
CMG: A ëndërron për karrierë muzikore në Shqipëri?
Zeneida Skënderaj: Po ëndërroj, e dua shumë këtë vend dhe dua të jap më të mirën time, pastaj muzika të lehtëson gjithçka nuk është njësoj si rryma të tjera apo profesione të tjera të jetës, muzika është ushqim i shpirtit tone, për të cilin ne duhet të punojmë për ta mbajtur të pastër.
CMG: A ke këngëtarë të preferuar të muzikës popullore shqiptare?
Zeneida Skënderaj: Nuk dua të bëj diferencime, pasi unë i këndoj të gjitha këngët e tyre dhe nuk mund të them kush është më i mirë. Po patjetër që ka këngëtarë të cilët, muzika apo teksti i tyre më kanë përfshirë më shumë, por kjo nuk do të thotë që janë më të mirët, secili në llojin vet ka shumë origjinalitet.
CMG: Një nga këngëtaret që ti e këndon më shpesh muzikën e saj dhe që të jep shumë emocion është Irini Qirjako apo jo?
Zeneida Skënderaj:Po më pëlqen shumë mënyra e saj e interpretimit, më jep emocion, përfshirje, më jep gjithçka që e kompleton një artisit për të kënduar. Irini e zotëron skenën në formën e saj më të mirë.
Zeneida Skenderaj ( foto personale)
Gjatë bisedës një nga surprizat për Zeneidën ishte vëtë këngëtarja Irini Qirjako, e cila i dha asaj dhe publikut një mesazh të fortë për të gjithë këngëtarët e rinj.
CMG: Irini, si t’u duk gjithë interpretimi i këngëtares së re në moshë, por tepër të talentuar?
Irini Qirjako: Jam shumë e lumtur që kemi të rinj kaq të talentuar me një botë të pasur. Këndoi shumë bukur dhe ju më dhatë nje energji për ta vazhduar ditën me motivim.
CMG: A mendoni se duhet të mbështeten më tepër këngëtarët e rinj?
Irini Qirjako: Po! Për ne është një formë e detyrimit tonë moral, tek i cili duhet të fokusohemi për t’i mbështetur këta të rinj apo të reja që kanë një zë të tillë. Unë po i them vajzës të ruajë kontaktet e mia sepse ndoshta në në të ardhmen diçka mund të punojmë bashkë.
CMG: Zeneida, si ndihesh që të mbështet një artiste e madhe?
Zeneida Skënderaj:Absolutisht që ndihem e lumtur dhe shumë e respektuar, e falenderoj për çdo fjalë sepse më motivoi shumë. Kjo është intervista ime e parë dhe kam tepër emocion, por uroj të kem përcjellë sa dhe si duhet pasionin tim për muzikën popullore.
Intervistoi:Megi Latifi