
Foto nga VCG
Aleatët e NATO-s, të cilët janë të vendosur përgjatë frontit lindor të aleancës, po shqetësohen gjithnjë e më shumë për praninë në Bjellorusi të mercenarëve të grupit “Wagner”, të lidhur me Rusinë.
Në Poloni, Lituani dhe Letoni, anëtare të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian, që kufizohen me Bjellorusinë, janë shtuar shqetësimet qëkur trupat e “Wagner”-it filluan të mbërrinin në Bjellorusi pas rebelimit në Rusi.
Polonia, Lituania dhe Letonia njoftojnë se kanë vendosur më shumë trupa dhe pajisje ushtarake në kufijtë e tyre, raporton “RTSH”.
Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, deklaroi se rreth 100 luftëtarë “Wagner” në Bjellorusi i ishin afruar kufirit me Poloninë, veçanërisht një zone të ndjeshme strategjike të njohur si Hendeku Suwalki.
“Tani situata bëhet edhe më e rrezikshme. Ky është sigurisht një hap drejt një sulmi të mëtejshëm hibrid në territorin polak”,- deklaroi Morawiecki para gazetarëve.
Një incident të martën shtoi më tej shqetësimet, kur dy helikopterë bjellorusë hynë në hapësirën ajrore polake në lartësi të ulët ndërsa kryenin stërvitje. Ministria e Mbrojtjes e Polonisë e raportoi incidentin në NATO. Aleanca njoftoi se po monitoron situatën.
Guntis Pujats, kreu i Gardës Kufitare Shtetërore të Letonisë, deklaroi se rreziqet e sigurisë në afërsi të kufirit të Bjellorusisë kanë qenë të larta qëkur Minsku zyrtar filloi të përdorë emigrantët si një mjet lufte hibride, por janë rritur me ardhjen e trupave “Wagner”.
Sipas tij, rojet kufitare kanë filluar trajnimin e një force speciale në përgjigje. (Irma)
