foto nga MPJ e Kinës
Një pjesë forcash kanë bërë vazhdimisht zhurmë me qëllim të keq dhe kanë politizuar shkëmbimet kulturore e bashkëpunimin ekonomiko-tregtar ndërmjet Kinës dhe Italisë në kornizën e nismës "Një brez, një rrugë", duke ndërhyrë në bashkëpunimin normal dhe duke fabrikuar përçarje, veprime të cilat janë regres dhe dëmtojnë veten dhe të tjerët. Kështu u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) të Kinës kur iu kërkua të komentonte në një konferencë shtypi për njoftimet nga ndonjë medie se Italia nuk mendon ta zgjatë dokumentin e bashkëpunimit për ndërtimin e përbashkët të "Një brez, një rrugë", por shpreson se kjo nuk do të ndikojë në marrëdhëniet italiano-kineze dhe se do të vazhdojë të forcojë bashkëpunimin me Kinën.
Zëdhënësi i diplomacisë kineze tha se ndërtimi i përbashkët nga Kina dhe Italia i "Një brez, një rrugë" është zgjedhja e drejtë e të dyja vendeve, në bazë të historisë së gjatë kulturore të tyre dhe të nevojës reale për zhvillim. Nënshkrimi i këtij dokumenti bashkëpunimi ka nxitur shumë entuziazmin dhe potencialin e bashkëpunimit dypalëdh. Gjatë 5 vjetëve të fundit, vëllimi i tregtisë dypalëshe pati një rritje prej 42 për qind, duke iu afruar 80 miliardë dollarëve amerikanë vitin e kaluar. Italia ishte vendi i ftuar i nderit përkatësisht në Ekspozitën Ndërkombëtare të Importit të Kinës në Shangai e në Ekspozitën Ndërkombëtare të Produkteve të Konsumit në Hainan dhe shumë produkte italiane kanë hyrë në tregun kinez. Të dyja vendet kanë ndërtuar bashkërisht dy anije turistike të mëdha dhe kanë zhvilluar bashkëpunim në tregjet e palës së tretë në Afrikë, Lindjen e Mesme e Amerikën Latine. Italia është bërë destinacioni evropian më i parapëlqyer nga turistët kinezë dhe shumë ekspozita e shfaqje artistike të zhvilluara saj kanë gjetur pritje të ngrohtë në Kinë.
Zëdhënësi i MPJ-së theksoi më tej se, gjatë 10 vjetëve pas paraqitjes së nismës "Një brez, një rrugë", në bazë të parimit të konsultimeve, ndërtimit dhe ndarjes së përbashkët, Kina ka nënshkruar mbi 200 dokumente bashkëpunimi me më shumë se 150 vende dhe mbi 30 organizata ndërkombëtare, ka zbatuar mbi 3 mijë projekte bashkëpunimi me investime të përgjithshme afro një trilion dollarë amerikanë dhe ka krijuar 420 mijë vende pune në vendet pjesëmarrëse në "Një brez, një rrugë". Sipas të dhënave nga Banka Botërore, nga këndvështrimi afatgjatë, bashkëpunimi për ndërtimin e përbashkët të "Një brez, një rrugë" do të ndihmojë 40 milionë banorë të mbarë botës të dalin nga varfëria.
"Faktet vërtetojnë plotësisht se ndërtimi i përbashkët i 'Një brez, një rrugë' përputhet me kërkesat e zhvillimit të botës dhe shpresat e bashkësisë ndërkombëtare dhe ka treguar gjithmonë një qëndrueshmëri e gjallëri të madhe. Kina është e gatshme që, bashkë me vendet bashkëndërtuese, të nxitë zhvillimin cilësor të kësaj nisme dhe të japë kontribut më të madh për zhvillimin e vazhdueshëm global dhe për nxitjen e shkëmbimeve e të mësimit të ndërsjellë ndërmjet qytetërimeve," shtoi zëdhënësi i diplomacisë kineze. (Wang Lei/ Artan)