Një sërë ekspozitash në lidhje me kryeveprat arkitekturore të njohura botërore nga Spanja, si “Sagrada Familia”, “Casa Vicens” dhe “Casa Batllo”, janë ekspozuar në kryqytetin kinez, Pekin, duke ofruar një përvojë gjithëpërfshirëse për vizitorët. Të gjitha këto thesare arkitekturore klasike u projektuan nga Antoni Gaudi, një arkitekt spanjoll i nderuar dhe i vlerësuar si eksponenti më i madh i modernizmit katalan. Shtatë nga veprat e tij janë regjistruar në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Ky vit shënon 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Kinë-Spanjë. Muzeu “Meet You” në Pekin, në bashkëpunim me Zyrën e Turizmit të Reus të Spanjës, ka organizuar një ekspozitë turistike në Kinë. Ekspozita me temën “Njihuni me Gaudin: Bota e Artit e arkitektit të talentuar”, debutoi në Shangai në muajin mars të këtij viti. Ndërsa në Pekin ekspozita u çel më 29 korrik dhe do të vazhdojë deri në nëntor.
foto: VCG
“Shpresojmë që ngjarja mund të ndërtojë një urë shkëmbimesh kulturore dhe turistike midis Kinës dhe Spanjës dhe Gaudi mund të frymëzojë arkitektët dhe artistët kinezë, si dhe vizitorët për të mësuar më shumë rreth Spanjës”,- deklaroi Sun Xiaobing, zëvendësdrejtoresha e Ekspozitave të Artit në Kinë, e cila po mbështet ekspozitën, në ceremoninë e hapjes së ekspozitës së Shangait.
Me mbështetjen e nëntë organizatave spanjolle të ruajtjes së trashëgimisë, ekspozita ofron një përmbledhje gjithëpërfshirëse të përvojës personale dhe karrierës së Gaudi-t përmes më shumë se 200 ekspozitave. Duke përfshirë mjetet e përdorura nga Gaudi në dizajnin arkitekturor, shënimet e tij të frymëzimit krijues, si dhe duke përfshirë fotografitë historike, videot dhe vizatimet e projektimit të ndërtesave të tij, ekspozitat shfaqen të gjitha për herë të parë për audiencën kineze.
foto: VCG
“Ndryshe nga pikturat, veprat arkitekturore nuk mund të vendosen në mënyrë integrale në sallën e ekspozitës”, tha Li Liyang, përfaqësues i ekipit kuratorial të ekspozitës.
Li shtoi se shfaqja bazohet në shumë elementë të arkitekturës së Gaudi-t dhe e udhëzon audiencën që gradualisht të eksplorojë veprat e tij në çdo fazë të krijimit përmes paraqitjeve të ndryshme të ekspozitës, mjediseve të skenës, të dhënave përmes projektimeve në video dhe përdorimit të zgjuar të dritës dhe hijes, për të krijuar një përvojë gjithëpërfshirëse në të cilën mund të përfshihesh i tëri.
foto: VCG
Sipas Zheng Xiuquan, zëvendësmenaxheri i përgjithshëm i “China Arts and Entertainment Group Ltd.”, që nga viti 2021, muzeu “Meet You” ka sjellë përvojat e pasura dhe shumëngjyrëshe kulturore dhe artistike të botës për audiencën kineze përmes ekspozitave kulturore, përvojave gjithëpërfshirëse, salloneve të artit, projekteve krijuese dhe kulturore, si dhe nismave kërkimore dhe arsimore.
Zheng tha se shpreson që ekspozita “Meet Gaudi” do të inkurajojë gjithashtu më shumë njerëz dhe artistë spanjollë që të vizitojnë Kinën dhe të kuptojnë vendin.