Sportistët kinezë të wushu-së bënë një paraqitje të shkëlqyer në ditën e 6-të të Lojërave Universitare Botërore të FISU-s në Chengdu të Kinës, duke fituar katër medalje të arta në Sanda (konkurrim i luftimit të lirë) dhe duke forcuar pozitën e vendit mikpritës në krye të tabelës së medaljeve.
Li Zhiqin e Kinës ka ngritur dorën e saj në fitore pasi fitoi finalen e Sandës për 60 kg për femra në Lojërat Universitare Botërore në Chengdu, Provinca Sichuan, Kinë, 3 gusht 2023./CFP
Mes brohoritjeve të turmës vendase, Li Zhiqin, studente në Universitetin e Sporteve të Pekinit, doli fituese në finalen e 60 kg për femra. "Paraqitja e sotme meriton notën 9 për mendimin tim,"u shpreh me gëzim Li, që është stërvitur në wushu për mbi një dekadë. "Kundërshtarja ime bëri një luftim të mirë, por arrita ta kaloja me mendësinë time të shkëlqyer dhe nervat e qëndrueshme, duke siguruar fitoren siç pritej."
Ma Yigu i Kinës feston fitoren në finalen e Sandës për 60 kg për meshkuj në Lojërat Universitare Botërore në Chengdu, Provinca Sichuan, Kinë, 3 gusht 2023/CFP
Ma Yigu, që përfaqësoi Universitetin e Sporteve të Chengdu-së, vijoi paraqitjen e mirë për Kinën, duke dalë në krye në finalen e 60 kg për meshkuj. "Wushu-ja e ka transformuar vërtet jetën time në mënyra që nuk i kisha imagjinuar kurrë më parë. Pa wushu-në mund të jetoja edhe tani në fshatin tim malor," u tha Ma reporterëve.
"Fillova të mësoja wushu në moshën 9 vjeçe dhe ka qenë një udhëtim me shumë sfida, i mbushur me gjak, djersë dhe lot. Por këmbëngula e i kapërceva të gjitha pengesat dhe qëndrimi në podiumin më të lartë të Lojërave Universitare Botërore e bën gjithçka t'ia vlejë."
Shoku i klasës i Ma-së, He Feng, i përmbushi gjithashtu shpresat dhe fitoi titullin në 70 kg për meshkuj. "Për mua, çdo ndeshje është një sfidë, dhe kyçi për fitoren është ruajtja e qetësisë në tapet," u shpreh Ma pas ceremonisë së ndarjes së medaljeve.
Liu Wenlong i Kinës (blu) në aksion gjatë finales së Sandës për 80 kg për meshkuj në Lojërat Universitare Botërore në Chengdu, Provinca Sichuan, Kinë, 3 gusht 2023./CFP
Në konkurrimin e fundit në wushu, Liu Wenlong nga Universiteti i Henan-it mori medaljen tjetër të artë, këtë herë në 80 kg për meshkuj. Gjatë ndeshjes intensive, Liu përdori epërsinë e tij të forcës për ta hedhur në mënyrë të përsëritur kundërshtarin e vet iranian në tokë, duke u pritur me ovacione nga shikuesit.
“Kundërshtari im ishte shumë i fortë dhe sportistët iranianë janë të njohur për forcën e tyre të jashtëzakonshme. Megjithatë, isha i vendosur ta provoja veten. Pas raundit të parë, kuptova shpejt se kundërshtari im nuk ishte aq i fortë sa kisha menduar. Kështu, shfrytëzova rastin dhe përfundova me lehtësi raundin e dytë," shpjegoi Liu pas triumfit.
Megjithëse ka 15 vjet që stërvitet në wushu, Liu shtoi se kjo ishte hera e parë që merrte pjesë në një turne të nivelit botëror. Në vitet e fundit, ai ka dëshmuar një numër më të madh të huajsh të dashuruar me artet marciale kineze dhe niveli i sportistëve është rritur.
Universiada e Chengdu-së e këtij viti ka gjithsej gjashtë disiplina Sanda, dhe Kina konkurron në katër prej tyre, duke marrë katër medalje të arta.
Liu Wenlong i Kinës vrumbullon nga kënaqësia pasi fitoi finalen e Sandës për 80 kg për meshkuj në Lojërat Universitare Botërore në Chengdu, Provinca Sichuan, Kinë, 3 gusht 2023./CFP
"Këto ndeshje ma bënë të qartë se e ardhmja e Sandës kineze varet nga qasja sulmuese. Nuk mjafton të ndjekim taktikën 'godit dhe vrapo'... Duhet të përpiqemi të kapërcejmë dobësitë tona e të mos mbështetemi vetëm në këtë taktikë. Nëse vazhdojmë në atë rrugë, Sanda kineze do të ketë pak shpresë për përparim," tha trajneri Li Jie. (Xu Guang)