Centrali i energjisë së erës në lartësi ultra të madhe në Xizang të Kinës lidhet me rrjetin
2023-08-04 13:01:19

Foto nga Chinanews.com

Një central i energjisë së erës i ndërtuar në një lartësi 5 000 deri 5 200 metra është lidhur me rrjetin të enjten në prefekturën Shannan të Rajonit Autonom të Xizang-ut të Kinës Jugperëndimore, duke u bërë centrali i energjisë së erës në lartësinë më të madhe në Kinë deri tani.

Në veprat e energjisë së erës, një central i ndërtuar në një lartësi nga 3 500 deri në 5 500 metra konsiderohet si ultra e lartë, sipas kompanisë ndërtuese të këtij centrali, Korporatës "Tri Grykat" të Kinës.

Ky projekt, me një kapacitet të instaluar prej 72.6 megavatësh, do të prodhojë 200 milionë kilovatorë elektricitet çdo vit, çka mund të përmbushë kërkesën e rreth 140 000 familjeve për energji elektrike në vit.

Centrali, që gjendet në rrëzën veriore të Himalajave, është vepra e parë e energjisë së erës që lidhet me rrjetin energjetik të Rajonit Autonom të Xizang-ut.

Energjia që përmban era është në përpjesëtim të drejtpërdrejtë me dendësinë e ajrit. Me uljen e dendësisë së ajrit në rrafshnaltë, edhe energjia e disponueshme ulet, tha për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) Wang Liang, përgjegjës për projektin në Korporatën "Tri Grykat".

Turbinat e erës mund të përshtaten për lartësinë e madhe, rrezet ultravjollcë, vetëtimat dhe temperaturën e ulët, me qëllim që të funksionojnë në mënyrë të qëndrueshme për një kohë të gjatë në mjedise të vështira natyrore, bëri të ditur Wang.

Ai shtoi se, meqenëse mjedisi ekologjik në rrafshnaltë është relativisht i brishtë, ata kanë mbajtur parasysh mbrojtjen mjedisore.