Kompania “Meta” vë rregulla strikte për privatësinë e të dhënave
2023-08-03 16:02:57

Foto nga VCG

Gjiganti i rrjeteve sociale, “Meta”, më 1 gusht njoftoi se synon që të kërkojë nga përdoruesit që gjenden në shtetet e Bashkimit Evropian që të japin pëlqim për lejimin e përdorimit të të dhënave gjatë reklamimit, përfshirë në “Facebook”. Ky njoftim vjen pas presionit të bërë nga rregullatorët evropianë, shkruan “Panorama”. “Meta” njoftoi se ndryshimet synojnë të adresojnë kërkesat e rregullatorëve pas mospajtimeve me Komisionin irlandez për Mbrojtjen e të Dhënave, që mbikëqyr rregullat e BE-së sa u përket të dhënave, në bazë të të cilave “Meta” drejton operacionet e saj evropiane.

Në janar, rregullatorët evropianë kishin hedhur poshtë bazën ligjore që përdorej deri atëherë, që njihen si “interesat legjitime”, duke argumentuar se “Meta” kishte përdorur këtë bazë ligjore për të justifikuar mbledhjen e të dhënave personale të përdoruesve të cilat i ka përdorur gjatë reklamave. Aktualisht, personat që hapin llogari në “Facebook” dhe “Instagram” e kanë të aktivizuar këtë leje, duke bërë që “Meta” të marrë të dhënat e tyre dhe të gjenerojë miliarda dollarë duke i përdorur në reklama.

“Meta” shtoi se do të ndajë informacione gjatë muajve në vijim teksa po vazhdon angazhimin konstruktiv me rregullatorët.

“Meta” dhe kompanitë e tjera të mëdha të teknologjisë nga Shtetet e Bashkuara janë përballur me gjoba të larta për shkak të praktikave të biznesit në BE në vitet e fundit, lidhur me rregullat strikte të bllokut për privatësinë e të dhënave. (Elona)