Irakli Shkoza nga Divjaka kultivon fruta pasioni
2023-08-03 10:40:45

Shport frutash ekzotike kultivuar nga Irakli Shkoza (Foto Linkedin)

Shport frutash ekzotike kultivuar nga Irakli Shkoza (Foto Linkedin)

Në Divjakë po prodhohen fruta ekzotike, të cilat tashmë kanë hyrë në treg. Irakli Shkoza, me profesion agronom emigroi pas '90-ës në SHBA dhe prej disa vitesh është rikthyer në Divjakë, ku ka kultivuar në një sipërfaqe prej 3 hektarësh, fruta dhe perimeve ekzotike. Kjo është e vetmja fermë që merr farat në Afrikë dhe në Amerikën e Latine për t’i mbjellë në fushën më pjellore të Shqipërisë. Fermeri, Irakli Shkoza që nisi kultivimin si eksperiment, thotë se klima është mjaft e përshtatshme për rritjen e tyre, çmimi është i leverdishëm dhe  një pjesë e mirë e tokave në Shqipëri duhet të përshtaten për kultura të reja. Irakliu ka testuar disa kultura që qëndrojnë mjaft mirë me klimën dhe tokën tonë.

 

Irakli Shkoza (Foto Shqiptarja.com)

Irakli Shkoza (Foto Shqiptarja.com)

“Në fermën tonë të vogël në rreth 2 dynym sera dhe në fushën kater apo pesë vitet e fundit jemi përpjekur të testojmë ca kultura që nuk janë tradicionale për vendin dhe zonën tonë. Këto janë kultura ekzotike, që vijnë nga vendet tropikale, subtropikale, pra nga vendet e ngrohta. Ideja është se ne kemi një klimë shumë të përshtatshme për zhvillimin e bujqësisë dhe meqë klima po vjen duke u ngrohur, nuk mund të rrimë në kulturën tradicionale që kemi 50-100 vjet që e kultivojmë. Ne kemi nevojë të ndryshojmë, por çfare mund tç ndryshojmç? Në këtë aspekt janë disa kultura që unë i kam testuar dhe më kanë dhënë rezultat. Kam mbjellë në sera frutin e pasionit, dragon fruit, guava,  si dhe disa bimë të tjera, kivano që i eksportuam në Europë. Këto fruta mund të bëhen edhe në fushë dhe mundësitë e eksportit jane shumë të mëdha.”, tha fermeri Shkoza

 

Fermeri  largpamës thotë se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që të  kthehet në eksportuese të këtyre frutave, kur kërkesa në treg është e lartë.

 

“Në gjykimin tonë para konkluzionit që kam për aq sa kam testuar ka mundësi që një sipërfaqe e konsiderueshme e zonës sonë bregdetare të mbillet me këto kultura. Eshtë e arsyeshme sepse klima është e përshtatshme, shpenzimet nuk janë marramendëse ose të papërballueshme. Nga ana tjetër është e rendesishme sepse  tregu europian është një treg elitar, i etur për këto fruta, të cilat  i merr mijëra kilometra larg, nga Brazili, Afrika Qendrore apo Azia Juglindore. Në këtë mënyrë tregu europian përballet me kosto të lartë transporti dhe humbje cilësie. Atëherë, pse të mos i marrin nga Shqëiperia?”, tha Shkoza.

 

Fermeri Irakli Shkoza Foto Klan tv

Fermeri Irakli Shkoza Foto Klan tv

Fermeri tregon për eksperimentet e kryera dhe suksesin e arritur deri më tani.

 

“Frutat ekzotike që i kemi bërë masivisht, i kemi mbjellë në fushë të hapur kivane, që është me gjemba dhe  përdoret për koktejle por edhe konsum të freskët.  Ka dhënë rezultat në fushë dhe kemi eksportuar në Kroaci  para nje viti.  Kemi mbjellë dhe një sasi tjetër këtë vit. Eshtë një gjë interesante sepse kivane në Europë vjen nga Zelanda e re. Nuk vjen nga Shqipëria sepse nuk e mbjellin, por e mbjellin në Spanjë dhe në jugun e Francës. Zelanda e re e furnizon Europën në periudhën e dimrit, ndërsa në verë Europa nuk ka produkt, ndaj mund të furnizohet nga Shqipëria, nga zona jonë. Për shembull fruti i pasionit nëse e shikoni në këtë vendin këtu po testoj një mundësi për ta kultivuar jashtë serës, sepse deri tani kam kultivuar brenda në serë frutin e pasionit dhe guavën. Kam një ide që mendoj se do ta realizoj për ta kultivuar në fushë, por do disa ndryshime të vogla teknologjike, të cilat në kosto në raport me investimin e serës është e papërfillshme dhe rezultati besoj do të jetë sinjifikativ. Nëse arrijme që të prodhojmë këtë produkt në fushë është një mundësi e mirë për fermerët."

 

Frut pasioni kultivuar nga Irakli Shkoza (Foto Linkedin)

Frut pasioni kultivuar nga Irakli Shkoza (Foto Linkedin)

Eksperimenti ka rezultuar pozitiv sepse edhe tempereaturat kanë qenë të larta.

 

“Pavarësisht nga kjo edhe dimri më i ftohtë që mund te bëjë në zonën tonë në kushtet e serës nuk ka asnjë lloj problem, sepse fermerët nga eksperienca e tyre, domaten dhe trangullin po e mbrojnë, vetëm thjesht duke vënë plastmasin e dytë, ndaj e njejta gjë mund të bëhet edhe me këtë.”

 

Me shqetësim Irakliu sheh mentalitetin e rrënjosur tek fermerët, të cilët nuk marrin guximin të testojnë bimë të reja.

 

“Fermeri në Shqipëri është shumë konservator dhe e ka të vështirë të përqafojë të renë, megjithatë vitet e fundit ka disa njerëz të apasionuar që kanë qejf të renë. Me sa shikoj ka një trend që vjen duke u përhapur, por është i ngadaltë. Ndaj lind nevoja që institucionet të përfshihen, duke ndihmuar 3 apo 4 fermerë që të testojnë këto kultura të reja për t’u bërë shembull për të tjerët. Institucionet shtetëtore duhet ta përfshijnë këtë në veprimtarinë e tyre, duke nxitur një grup fermerësh, të cilët do të bëhen shembull për të tjerët që nuk kanë guximin të eksperimentojnë”