SHBA: Rusia mund të jetë e interesuar të kthehet në bisedimet për Marrëveshjen e Drithërave të Detit të Zi
2023-08-03 11:15:37

Foto nga VCG

Përfaqësuesja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara mendon se Rusia mund të jetë e interesuar të kthehet në bisedimet për Marrëveshjen e Drithërave të Detit të Zi.

“Ne kemi parë sinjale se ata mund të jenë të interesuar të kthehen në diskutime. Kështu që ne do të presim të shohim nëse kjo do të ndodhë në të vërtetë”,- tha Linda Thomas-Greenfield, në një konferencë shtypi mbi presidencën e SHBA-së të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për muajin gusht.

Rusia dhe Ukraina nënshkruan veçmas me Turqinë dhe Kombet e Bashkuara Iniciativën për Drithërat të Detit të Zi në Stamboll në korrik 2022, e cila i lejoi Ukrainës të eksportonte grurë dhe produkte të tjera bujqësore nga portet e saj të Detit të Zi.

Rusia pezulloi pjesëmarrjen e saj në marrëveshje më 17 korrik 2023, duke bërë të ditur se do të kthehej në marrëveshje sapo të përmbushet pjesa ruse e kërkesave.

Thomas-Greenfield tha se Shteteve të Bashkuara u është thënë se Rusia është e përgatitur të kthehet në diskutime, por shtoi se ende nuk kanë parë asnjë provë për këtë, bën të ditur “Xinhua”.

Ajo vuri në dukje se shefi i OKB-së, Antonio Guterres, po vazhdon përpjekjet e tij për të gjetur një rrugë për ta rikthyer Rusinë në marrëveshje. (Elona)