
Foto nga VCG
Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka mohuar pretendimet e Polonisë se rreth 100 mercenarët e grupit rus “Wagner” janë afruar pranë kufirit polak, bën të ditur “RTSH”.
“Dëgjova një ditë më parë se Polonia është trembur se gjoja një njësi prej 100 njerëzish janë afruar në kufi. Asnjë njësi e “Wagner”-it nuk është zhvendosur drejt kufirit. Dhe nëse e kanë bërë, ata e kanë bërë këtë vetëm për të përcjellë përvojën luftarake te brigadat, të cilat janë të stacionuara në Brest dhe Grodno”, tha Lukashenko gjatë një vizite pune në distriktin Kamenets, në rajonin jugperëndimor të Brestit.
Muajin e kaluar, Ministria bjelloruse e Mbrojtjes njoftoi se forcat do të zhvillojnë stërvitje të përbashkëta ushtarake me luftëtarët e “Wagner”-it pranë kufirit me Poloninë që është edhe anëtar i NATO-s.
Luftëtarët e “Wagner”-it kanë mbërritur në Bjellorusi pas rebelimit të dështuar nga grupi ushtarak privat në qershor.
“Më duhet të trajnoj personelin tim ushtarak, sepse një ushtri që nuk lufton është gjysma e ushtrisë”, - tha Lukashenko.
Aleati i presidentit rus Vladimir Putin tha se luftëtarët e “Wagner”-it s’duan të shkojnë askund. (Elona)
