"Gruaja e thyer” në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës “To the stars” në Varna të Bullgarisë
2023-08-03 18:16:37

(Foto nga instagrami)

(Foto nga instagrami)

Shfaqja "Gruaja e thyer" me interpretim nga Adriana Tolka produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” merr pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës “To the stars” në Varna të Bullgarisë. Monodrama “Gruaja e thyer”, e cila premierën e saj e kishte në mars të këtij viti në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli” do të shfaqet më 6 gusht në Bullgari. Edicioni i njëmbëdhjetë i festivalit ndërkombëtar të monodramës “To the stars” 2023 është pjesë e programit kulturor të qytetit të Varnës dhe nis nga 3 – 9 gusht. Regjizori i shfaqjes Endri Çela në intervistë për Radio Ejani flet për realizimin e pjesës dhe vënien në skenë të saj në Bullgari.

Endri 脟ela -Regjisori  (Foto nga instagrami)

Endri Çela -Regjisori  (Foto nga instagrami)

CMG:Shfaqja "Gruaja e thyer",  produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental  "Kujtim Spahivogli" merr pjesë në edicionin e njëmbëdhjetë të Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës "To the stars", që zhvillohet në Varna të Bullgarisë. Si e pritët ju si regjisor, si dhe trupa teatrale këtë ngjarje kulturore?

Endri Çela:  Shfaqja ime "Gruaja e thyer" e autores Simone De Beauvoir me regjinë time, do të interpretohet nga aktorja Ardriana Tolka. Kjo shfaqje është përzgjedhur nga Festivali "To the Stars" një festival që organizohet në qytetin e Varnës në Bullgari, ku sivjet shënon edicionin e tij të 11-të. Padyshim që ftesa erdhi në Teatrin Kombëtar Eksperimental "Kujtim Spahivogli", sepse shfaqja është një prodhim i teatrit, u prit  mjaft mirë nga i gjithë stafi organizues dhe administrativ i teatrit, por gjithashtu kënaqësinë më të madhe e mbajnë krijuesit,  që jam unë, aktorja Adriana Tolka dhe gjithë stafi ynë.

Posteri i shfaqjes (Foto Sot)

Posteri i shfaqjes (Foto Sot)

CMG: Cilat janë pritshmëritë tuaja aty?

Endri Çela:  Kur një artist shkon dhe konkuron në një festival nuk mendoj se më të rëndësishëm ka çmimin sesa komunikimin me spektatorin, ose të paktën kështu e mendoj unë. Të them të drejtën nuk e di nëse festivali ka çmime apo jo, sepse  për mua është i rëndësishëm  komunikimi nëpërmjet artit tim, dua që të kem sa më shumë ura bashkëpunimi me sa më shumë artistë të huaj. Nëse unë shkoj në festivale ndërkombëtare, dua të shoh edhe shfaqjet e tjera konkuruese, në mënyrë që të përballem me artin që bëjnë të tjerët. Ai është festival ndërkombëtar, kështu që pres të takoj artistë ndërkombëtarë, të takoj artistë të tjerë që flasin apo nuk flasin  në të njëjtën gjuhë me timen, pres që të shkëmbej kontakte me ta, që në të ardhmen, ndoshta unë mund të kem një bashkëpunim me ta. Pres që të shoh shfaqje të mira dhe të kem kontakt të drejtëpërdrejtë  nëpërmjet artit edhe me artistë të tjerë ndërkombëtarë. Tani që flasim jemi në një fazë provash përsëritëse, sepse shfaqja ka 3-4 muaj që nuk është dhënë në Teatrin Kombëtar Eksperimental "Kujtim Spahivogli".

Unë bashkë me Adriana Tolkën jemi duke u përgatitur për festivalin, duke kujtuar tekstin dhe gjithçka kishim përgatitur për publikun shqiptar, në mënyrë që të jemi gati me artin tonë përballë publikur ndërkombëtar. Për publikun shfaqja do jepet me titra në gjuhën bullgare. Ne e kemi dërguar tekstin në anglisht dhe organizatorët e festivalit mendoj se do e kenë përfunduar përkthimin. Shfaqja do të luhet në gjuhën shqipe, por publiku aty do mund ta kuptojë nëpërmjet titrave  në gjuhën e tyre. Pra presim që arti ynë të komunikojë me publikun bullgar, atë ndërkombëtar, por edhe me artistët aty.

Pjesë nga shfaqja (Foto Shqiptarja .com)

Pjesë nga shfaqja (Foto Shqiptarja .com)

CMG: Cilat janë synimet tuaja në vazhdim?

Endri Çela: Pas Varnës ne nisemi me shfaqjen "Gruaja e thyer" për në Sarandë dhe Pogradec, me një tur veror  të organizuar nga Ministria e Kulturës, për të qenë sa më pranë publikut artdashës dhe turistëve. Muaji gusht është muaji i pushimeve, për t’u kthyer më pas fuqishëm me sezonin e ri artistik, që Teatri Kombëtar Ekspermental do të organizojë. Kështu që synimet janë punë, punë, por ende nuk ka diçka konkrete.

Këtë vit, programi përfshin performanca nga artistë të njohur bullgarë dhe të huaj, pjesë e saj janë edhe seminaret, prezantime librash dhe evente të ndryshme. Përgjatë këtij programi do konkurrojë edhe shfaqja "Gruaja e thyer", e cila është produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Kjo është një monodramë e kohës, që trajton boshllëkun njerëzor, vetminë dhe krizën e individit në marrëdhënie me shoqërinë ku jeton. Pjessa është shqipëruar nga Amantia Kapo, skenografia është realizuar nga Beqo Nanaj, kostumografia nga Sofi Kara, muzika nga Adriana Tolka dhe në violonçel Sotiraq Jorgji. Kjo vepër është shkruar nga Simone De Beauvoir një nga shkrimtaret më të mira të letërsisë frënge dhe botërore gjatë shekullit XX.  Festivali Ndërkombëtatr i monodramës “To The Stars” organizohet nga Fondacioni  “Osnova-ta” me mbështetjen financiare të Bashkisë së Varnës  përmes Fondit “Kultura”.

Intervistoi: Sava Lena