Industria e sporteve elektronike në Kinë regjistroi të ardhura totale prej 75.99 miliardë juanë (10.6 miliardë dollarë) në gjysmën e parë të vitit dhe pret rritje të mëtejshme të nxitura nga Lojërat e ardhshme të 19-ta Aziatike, thanë ekspertët gjatë Ekspozitës dhe Konferencës së 20-të të Argëtimit Digjital në Kinë, që u zhvillua në Shangai.
Shitjet e produkteve të sporteve elektronike përbënin 84.84 për qind të të ardhurave të industrisë në periudhën gjashtëmujore, të ndjekura nga transmetimi i drejtpërdrejtë i sporteve elektronike dhe lojërat, thuhet në një raport të publikuar nga Komiteti i Sporteve Elektronike i Shoqatës së Publikimeve Audio-Video dhe Digjitale të Kinës.
foto: VCG
Sipas raportit, Kina ka rreth 487 milionë përdorues të sporteve elektronike. Nënkryetari i shoqatës, Zhang Yijun, tha se eventet kryesore të sporteve elektronike do të çlirojnë potencialin e industrisë dhe do të nxisin rritjen e mëtejshme.
“Riot Games”, i njohur si zhvilluesi i “League of Legends”, njoftoi në konferencë se në vitin 2024 Shangai do të presë një nga ngjarjet më të mëdha të sporteve elektronike, “Valorant Masters”.
Shangai ka organizuar edhe më parë evente të njohura të sporteve elektronike, si kampionati botëror i “League of Legends 2020”.
Dylan Jadeja, drejtori ekzekutiv i “Riot Games”, deklaroi se gjatë tetë viteve të fundit, Shangai është bërë një partner thelbësor, duke i ndihmuar për të ndërtuar përvoja të jashtëzakonshme për lojtarët në mbarë botën. “Shangai është një nga qytetet më të pasura kulturore dhe më të gjalla në botë. Po ashtu ndodhen dhe disa prej talenteve më të mirë në industrinë e lojërave”,- tha Jadeja.
foto: VCG
Lojërat e ardhshme Aziatike do ta bëjnë publikun të njihet më mirë me sportet elektronike dhe do të nxisë zhvillimin global të zhvilluesve kinezë të lojërave, thuhet në raport.
“Ngjarja më e rëndësishme në industrinë e sporteve elektronike në vitin 2023 janë Lojërat Aziatike në Hangzhou, ku sportet elektronike u përfshinë zyrtarisht për herë të parë si lojëra për medalje”,- tha Robert Xiao, drejtori ekzekutiv i “Perfect World”. Sipas tij, kjo padyshim që do të sjellë shumë më tepër mundësi të reja për zhvillimin global të sporteve elektronike në Kinë.
“Dota 2” e kompanisë është në mesin e tetë lojërave të sporteve elektronike për medalje që do të bëjnë debutimin e tyre në Lojërat Aziatike në shtator.
foto: VCG
“Si një ngjarje e rëndësishme sportive ndërkombëtare, Lojërat Aziatike do të tërheqin vëmendjen globale dhe po ashtu do të tërheqin eventet e sporteve elektronike”,- tha Xiao. Ai theksoi se përmes kësaj mundësie, industria e sporteve elektronike në Kinë do të shohë më shumë ndryshime dhe zhvillim më të pjekur në standardizimin dhe popullarizimin.
Xiao vuri në dukje se përveç tërheqjes së vëmendjes globale, Lojërat Aziatike pritet gjithashtu të promovojnë bashkëpunimin global në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë zhvillimin e lojërave, prodhimin e përmbajtjes dhe sponsorizimin komercial.
Së bashku me “Dota 2”, “Tencent King of Glory” renditet gjithashtu në tetë sportet për medalje.
foto: VCG
Sam Huang, zëvendësmenaxheri i përgjithshëm i Qendrës “E-sports TiMi” të gjigantit lokal të teknologjisë, tha se historia e sporteve elektronike nuk është ende e gjatë, që do të thotë se ende nuk njihet gjerësisht. Por, sipas tij, përmes Lojërave Aziatike, sportet elektronike mund të njihen gjerësisht brenda dhe jashtë vendit.
Ekspozita katërditore tërhoqi rreth 338.000 vizita nga audienca. Rreth 500 ekspozues nga 22 vende dhe rajone shfaqën risitë e tyre më të fundit. Ndër emrat e mëdhenj ishin “Tencent”, “Perfect World”, “NetEase”, “AMD”, “Qualcomm”, “Sony” dhe “Bandai Namco”.