Një fshat në qytetin Zhuozhou përmbytet pas shirat e rrëmbyeshme, më 2 gusht 2023/ foto nga CFP
Si pasojë e tajfunit "Doksuri", shirat e rrëmbyeshme kanë goditur Kinën Veriore dhe rajonin midis Lumit të Verdhë e lumit Huaihe qysh prej së shtunës, gjë që shkaktoi ngritjen e nivelit të ujit në disa lumenj kryesorë. Përmbytjet në shumë zona në provincën Hebei dhe në pjesën jugperëndimore të Pekinit kanë shkaktuar viktima dhe humbje materiale.
Në Pekin sasia e reshjeve shënoi rekord gjatë 140 vjetëve, sipas Administratës Meteorologjike të Kinës. Deri të martën, në Pekin pati gjithsej 11 të vdekur nga përmbytjet dhe 27 të humbur, bëri të ditur bashkia e qytetit.
Banorët e qytezës Matou të qytetit Zhuozhou u vakuun me anije, më 3 gusht 2023/ foto nga CFP
Përmbytjet rrëmbyen automjete, i kthyen rrugët në lumenj, sollën rrëshqitje dheu dhe shkaktuan ndërprerjen e furnizimit me ujë e energji, si edhe të sinjaleve të komunikimit.
Si pasojë e përmbytjeve dhe e rrëshqitjeve të dheut, tre trena për në Pekin u penguan në distriktin Mentougou qysh prej së dielës. Udhëtarët e bllokuar në tren morën ushqime dhe pije ndërmjet stafit e punonjësve të shpëtimit dhe tashmë janë larguar në mënyrë të sigurt.
Në provincën fqinje të Pekinit, Hebei, 9 veta vdiqën dhe 6 të tjerë ishin të humbur deri të martën, sipas autoriteteve vendore.
Në Zhuozhou, një ndër qytetet e prekura më rëndë nga shirat e rrëmbyera, shumë fshatra janë përmbytur dhe shumë banorë janë bllokuar. Deri të martën, 133 913 njerëz dhe mbi 65 hektarë tokë bujqësore janë prekur. Qyteti ka formuar 28 grupe për shpëtimin urgjent me gjithsej 8755 veta, bashkë me ekipet profesioniste të shpëtimit.
Të moshuarit janë me përparësi në punët shpëtimtare në qytezën Liulihe në Jugun e Pekinit, më 1 gusht 2023/ foto nga CFP
Rrjedha e lumit Haihe është sistemi ujor më i madh në Veri të Kinës dhe një prej shtatë lumenjve kryesorë të vendit. Tani puna e kontrollit të përmbytjeve në rrjedhën e këtij lumi ka hyrë në një periudhë kritike, duke e kaluar nivelin e alarmit në 13 degët e tij të hënën.
Rrjedha e lumit Haihe përfshin krahina me popullsi të dendur, si Pekin, Tianjin, Hebei, Shanxi, Shandong, Henan, Liaoning dhe Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme.
Mbrëmjen e së hënës, Komanda Kombëtare e Kontrollit të Përmbytjeve dhe e Përballimit të Thatësirave e Kinës, bashkë me Ministrinë e Burimeve Ujore dhe departamente të tjera, planifikuan punët e mëtejshme të parandalimit të përmbytjeve dhe të shpëtimit në rrjedhën e lumit Haihe.
Ura Lugou me historinë prej 800 vjetësh në lumin Yongding në Jugperëndim të Pekinit është e sigurt pas përmbytjeve më 2 gusht 2023/ foto nga CFP
Grupet e punës janë dërguar nga komanda në Pekin, Tianjin, Hebei, Shanxi dhe Henan, që janë prekur seriozisht nga shirat e rënda, për të ndihmuar në parandalimin e përmbytjeve.
Të martën, Ministria e Financave dhe Ministria e Menaxhimit të Emergjencave e Kinës shpërndanë 110 milionë juanë (afro 15.35 milionë dollarë amerikanë) nga fondi qendror i shpëtimit gjatë katastrofave natyrore, për përkrahjen e punës së shpëtimit në rajonin Pekin-Tianjin-Hebei. Ndërkohë, Federata Pankineze e Sindikatave dha 15 milionë juanë (afro 2 milionë dollarë amerikanë).