Zëdhënësi: Kina nuk e pengoi arritjen e konsensusit në mbledhjen e mjedisit të G20-s
2023-08-02 19:35:37

foto/VCG

foto/VCG

Kina nuk e pengoi mbledhjen e mjedisit të G20-s të arrinte konsensus mbi çështjet kryesore si ulja e lëshimeve, ndalimi i përdorimit të lëndëve djegëse fosile dhe rritja e përdorimit të energjisë së ripërtëritshme, theksoi të mërkurën një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze.

Zëdhënësi tha se Mbledhja e Ministrave të Mjedisit dhe Klimës të G20-së, që u zhvillua kohët e fundit në Çenai të Indisë, ka arritur rezultate "pozitive dhe të ekuilibruara", por meqë disa vende përfshinë çështjet gjeopolitike, mbledhja nuk arriti të miratonte një komunikatë, çka është "për të ardhur keq".

foto/VCG

foto/VCG

Sipas tij, Kina është aktive në nxitjen e qeverisjes globale të klimës dhe ka publikuar kornizën e politikës "1+N" për zbatimin e objektivave të arritjes së kulmit dhe asnjanësimit të karbonit, ka sistemin më të madh të prodhimit të energjisë së pastër në botë, ka kontribuuar për një të katërtën e zonave të reja të gjelbra në botë dhe ka një ekonomi që rritet me një normë mesatare vjetore 6.2 për qind, me një rritje mesatare prej tre për qind në vit të konsumit të energjisë.

Kina është gjithashtu një ndër vendet me uljen më të shpejtë të intensitetit të energjisë dhe kapacitetet e saj të instaluara të energjisë ujore, të erës dhe diellore renditen që të gjitha në vendin e parë të botës, shtoi zëdhënësi. 

"Kina ka dhënë një kontribut pozitiv për krijimin e një sistemi të drejtë, të arsyeshëm dhe me përfitime të përbashkëta të qeverisjes globale të klimës," u shpreh ai.

G20-a mban një përgjegjësi të rëndësishme në përparimin e zhvillimit të qëndrueshëm botëror, bashkërendimin e zhvillimit ekonomik me mbrojtjen e mjedisit dhe trajtimin e ndryshimeve klimatike, tha zëdhënësi, duke shtuar se duhet  konsensusi i përbashkët politik i vendeve, duke respektuar plotësisht fazat e tyre të ndryshme të zhvillimit dhe realitetet e ndryshme. Duhet të zhvillohet komunikim dhe të ndahen praktikat e përvojat më të mira, të inkurajohen veprimet  pragmatike dhe të nxitet komuniteti ndërkombëtar të bashkëpunojë për të reaguar ndaj ndryshimeve klimatike dhe për forcimin e besimit dhe aftësive globale në realizimin e zhvillimit të gjelbër, me karbon të ulët dhe të qëndrueshëm.

foto/VCG

foto/VCG

"Kina do të vazhdojë të shtojë shkëmbimin e politikave dhe bashkëpunimin praktik mbi çështjet mjedisore e klimatike me vendet e tjera në kuadrin e G20-s dhe korniza të tjera për të nxitur së bashku zhvillimin e gjelbër, me karbon të ulët dhe të qëndrueshëm anembanë botës," vuri në dukje zëdhënësi i diplomacisë kineze. (Artan)