Kiribatianja Deari dhe bebi i saj i porsalindur, të shoqëruar nga mjeket e infermjeret kineze në anijen spitalore kineze/ foto nga Xinhua
Mbrëmjen e 16 korrikut, të qarat e forta të një të porsalinduri jehuan në portin e Tarauas, kryeqytetit të Kiribatit. Në anijen spitalore "Arka e Paqes" të Forcave Detare të Kinës, që po merrte pjesë në "Misionin e Harmonisë 2023", mjekët ushtarakë kinezë ndihmuan 29-vjeçaren kiribatiane Deari për të lindur një foshnjë të shëndetshme. Ky është "bebi paqësor" i nëntë që lind në këtë anije spitalore gjatë kryerjes së "Misionit të Harmonisë". Duke parë lindjen e sigurt të foshnjës, nëna tha me emocion: "Jam shumë mirënjohëse që jam ndër ata kiribatianas që kanë marrë shërbim në 'Arkën e Paqes'. Çdo mjeke dhe infermiere këtu u kujdes për mua dhe bebin. Ndihem me shumë fat."
Presidenti i Kiribatit Taneti Maamau vizotoi anijen spitalore "Arka e Paqes"/ foto nga Xinhua
Dy ditë më vonë, gjatë vizitës së tij në anijen spitalore, presidenti i Kiribatit Taneti Maamau e quajti të porsalindurin "Aken Teraoi", që do të thotë "Arka e Paqes" në gjuhën kiribatiane. Me të njëjtën lumturi është mbushur plot çdo kënd i kësaj anijeje. Haveli, punëtor në një fabrikë të përpunimit të frutave, që i mpiheshin duart, provoi mjekimin me akunpukturë, ndërsa Kuri, që vuante nga katarakti i syrit, e ripa dritën me ndihmën e mjekëve ushtarakë kinezë.
Anija spitalore "Arka e Paqes" është pasqyrë e gjallë e synimit paqësor të trupave kineze në botë dhe është në shërbim të krijimit të bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit. Qysh prej fillimit të shërbimit në vitin 2008, kjo anije ka kryer disa detyra mjekësore jashtë vendit, duke lundruar 260 mijë milje detare, duke ofruar mbi 250 mijë shërbime në 43 vende e rajone të botës dhe duke kryer mbi 1 500 operacione.
Anija spitalore "Arka e Paqes" vizitoi për herë të tretë në mbretërinë e Tongas më 28 korrik 2023 / foto nga CFP
Ushtria kineze është një forcë e shkëlqyer edhe në veprimet paqeruajtëse të OKB-së. Më 25 korrik, të gjithë oficerët e ushtarët e kontingjentit të 26-të të trupave paqeruajtëse të Kinës në Kongo (Kinshasa) u dekoruan nga OKB-ja me Medaljen e Nderit të Paqes, nderimi më i lartë i OKB-së për paqeruajtësit.
Kina është vendi anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit që ka dërguar më shumë forca paqeruajtëse. Gjatë mbi 30 vjetëve, gjithsej 50 mijë paqeruajtës kinezë kanë marrë pjesë në 25 veprime paqeruajtëse të OKB-së. Në mbi 20 vende e rajone të botës, paqeruajtësit kinezë kanë ndërtuar e riparuar 18 mijë kilometra rrugë, kanë kryer detyrat e transportit prej 13.86 milionë kilometrash, kanë zbatuar mbi 6 200 detyra të shoqërimit e të patrullimit, kanë hequr 18 mijë mina të pashpërthyera dhe kanë shpëtuar 267 mijë të sëmurë dhe të plagosur. Trupat kineze përshkruhen nga bashkësia ndërkombëtare si forcë kyçe për veprimet paqeruajtëse.
Ceremonia e dekorimit të trupave paqeruajtëse kineze në Kongo (Kinshasa) më 25 korrik 2023/ foto nga Xinhua
Krahas kësaj, trupat kineze kanë marrë pjesë aktivisht edhe në shpëtimin pas katastrofave dhe ndihmën humanitare në vende të tjera. Qoftë pas një tërmeti apo cunami, qoftë gjatë epidemive, ushtarakët kinezë gjenden në vendin më të rrezikshëm dhe ku ka më shumë nevojë.
Në Gjirin e Adenit dhe në hapësirën detare të Somalisë, anijet e Forcave Detare Kineze kanë mbrojtur edhe anijet civile e tregtare. Deri më 7 korrik i këtij viti, Forcat Detare Kineze kanë dërguar gjithsej 44 formacione anijesh, që kanë ofruar shërbimet e mbrojtjes për mbi 100 anije kineze dhe të huaja.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Kinës Zhang Xiaogang tha se Kina është ndërtuese e paqes botërore, kontribuuese në zhvillimin global dhe mbrojtëse e rendit ndërkombëtar. Trupat kineze do të vazhdojnë të praktikojnë Nismën e Sigurisë Globale dhe të shkruajnë me sinqeritet e dashuri më shumë histori të ngrohta. (Wang Lei/ Artan)