Shtatorja e Skënderbeut do të vendoset në komunën Tuz të Malit të Zi
2023-08-02 14:17:44

Foto nga ATSH

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët njoftoi se shtatorja e heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, do të vendoset në komunën e Tuzit, në Malin e Zi.

Kryetari i kësaj komune, Nik Gjeloshaj, përmes një postimi në rrjetet sociale, tha se, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, krenaria e kombit shqiptar do të vendoset në sheshin qendror. Njëkohësisht edhe sheshi do të emërohet “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, raporton “ATSH”.

“Në këtë mënyrë, Skënderbeu nderohet duke respektuar të kaluarën, por edhe të shërbejë si një gërshetim mes të ardhmes dhe zhvillimit”, shkruan Gjeloshaj.

Kuvendi Komunal i Komunës së Tuzit njoftoi se ka miratuar vendimin për vendosjen e shtatores së Skënderbeut pa asnjë votë kundër.

Nik Gjeloshaj ka deklaruar se përmendorja do të realizohet në bashkëpunim me diasporën shqiptare të Malit të Zi dhe do të vendoset në sheshin e financuar nga kryeqyteti shqiptar, Tirana. (Elona)