Piktori Mateo Hoxhalli (Foto personale)
Mateo Hoxhalli është një djalë i talentuar nga qyteti i Korçës, i cili vazhdon studimet për pikturë në Universitetin e Arteve në Tiranë. Përveç arteve figurative një pasion tjetër i Mateos është edhe komedia, ku ka marrë pjesë në disa spektakle humori. Ai gjatë sezonit turistik ka vendosur të shkojë në plazhin e Golemit për pushime, por një pjesë të mirë të kohës e kalon duke bërë art në rrugë, karikatura për pushuesit vendas dhe të huaj. Në një intervistë për Radio Ejani Mateo tregon për pasionin që ka për pikturën dhe komedinë, si dhe kënaqësinë që merr nga klientët që realizojnë karikatura tek ai.
Mateo Hoxhalli duke bere karikatura ne plazh (Foto personale)
CMG: Sa kohë keni që jeni zhvendosur në plazhin e Golemit, ku realizoni karikatura për turistët vendas dhe të huaj.
Mateo Hoxhalli: Kam gati tre javë, ku në fillim mendova që të shkoja për pushime në Golem, por më vonë thashë pse mos të bëj edhe diçka interesante për pushuesit dhe turistët. Kështu që mendova të bëja karikatura dhe po bëj art rruge siç e quajmë ne.
CMG: Do të qëndroni gjatë gjithë sezonit turistik në Golem?
Mateo Hoxhalli: Unë do të qëndroj rreth dy muaj sepse ka interes nga turistët vendas dhe të huaj. Edhe shqiptarët tani kanë filluar që ta vlerësojnë artin.
CMG: Në zonë e Golemit përveç turistëve vendas ka edhe të huaj?
Mateo Hoxhalli: Këtu ka turistë vendas, por ka dhe shumë të huaj nga të gjitha shtetet.
Karikature nga Mateo Hoxhalli (Foto personale)
CMG: Në cilët orare dilni të bëni karikatura për turistët?
Mateo Hoxhalli: Normalisht që mbasdite sepse gjatë ditës njerëzit janë në plazh me familjen dhe nuk e kanë mendjen për të bërë karikatura.
CMG: Ju studioni në Universitetin e Arteve në Tiranë për pikturë, por bëni karikatura. Ka raste që turistët ju kërkojnë të bëni dhe portrete?
Mateo Hoxhalli: Çdo gjë që ka lidhje me bojë, laps, fletë dhe me penela unë i realizoj.
CMG: Cila moshë është më e interesuar për të bërë karikatura tek ju?
Mateo Hoxhalli: Kjo është një gjë që nuk ka moshë sepse njerëzit duan të qeshin, si ai që është 6 vjeç apo 10, 20 dhe 60 vjeç, e qeshura është për të gjitha moshat. Unë kam pasion edhe aktrimin në fushën e komedisë, ku dhe karikatura ka njëfarë komedie sepse kur e shikon klienti direkt gjëja e parë që bie në sy është buzëqeshja. Unë që në moshë të vogël kam menduar se si t’i bëj njerëzit për të qeshur. Kështu që edhe me karikaturë, por dhe me komedinë njerëzit qeshin.
Mateo bashke me nje turist te huaj ne plazhin e Golemit (Foto personale)
CMG: Si i afroni njerëzit për të bërë një karikaturë?
Mateo Hoxhalli: Ka njerëz që ju pëlqejnë, por ka dhe nga ata që nuk e vlerësojnë fare këtë gjë dhe mendojnë se unë po bëj zhgarravina, sepse nuk e kanë parë ose lexuar ndonjëherë se çfarë është karikatura dhe si ndërtohet ajo. Shumë njerëz pyesin se çfarë është kjo dhe pse e bëj hundën kaq të madhe. Kush ka dëshirë vjen dhe më thotë të lutem më bëj një karikaturë, kurse ai që nuk ka interes nuk afrohet fare. Kjo punë është me dëshirë dhe jo me imponim.
CMG: Si kanë reaguar turistët e huaj kur ju kanë parë të bëni art në rrugë?
Mateo Hoxhalli: Të huajt janë ata që të vlerësojnë më shumë sepse kur shohin talente të rinj ose njerëz që kanë iniciativë për të bërë diçka të përkrahin.
CMG: Me këtë punë ju siguroni dhe pak të ardhura për vitin shkollor?
Mateo Hoxhalli: Sigurisht që po, por këtë punë e bëj më shumë për pasion sepse është dëshira ime t’i bëj njerëzit të qeshin, dhe nuk ka rëndësi shumë pjesa financiare. Për mua ka rëndësi që të ndjehem mirë me veten, ta dashuroj atë që bëj dhe të më duan njerëzit që më vlerësojnë.
CMG: Ky është sezoni i parë që ju zhvendoseni në zonat turistike për të punuar?
Mateo Hoxhalli: Në zonat turistike është viti i parë, por më përpara kam dalë në Tiranë te sheshi “Skënderbej”.
CMG: Keni pasur më shumë kërkesa për karikatura në Tiranë, apo tani që jeni në plazh?
Mateo Hoxhalli: Në ditët e ndërrimit të viteve në Tiranë kishte më shumë lëvizje sepse ishte Viti i Ri, dhe natyrisht që kishte dhe më shumë kërkesa për karikatura.
Mateo Hoxhalli ne plazhin e Golemit (Foto personale)
CMG: Qëndroni deri në orët e vona të mbrëmjes për të punuar?
Mateo Hoxhalli: Kjo gjë varet sepse ka raste që lodhesh mendërisht dhe duhet pak kohë për ta marrë veten. Nëse ka klientë që vijnë papritur nga orë 12 e natës për të bërë një karikaturë, unë patjetër që do t’i shërbej.
CMG: Sa punime realizoni zakonisht në ditë?
Mateo Hoxhalli: Kjo varet nga ditët, sepse ka ditë që nuk mund të bësh asnjë karikaturë, por ai që e vlerëson, e kupton mirë dhe është i mirëinformuar për këtë gjë.
CMG: Pse zgjodhët plazhin e Golemit dhe jo ndonjë zonë tjetër turistike të vendit?
Mateo Hoxhalli: Unë zgjodha plazhin e Golemit sepse në jug kam dëgjuar që ka dhe piktorë të tjerë që dalin për të bërë art rruge. Ndërsa Golemi është një zonë që nuk ka të tjerë dhe mendova që pse këta të ngelen pa punime dhe mos të marrin një karikaturë.
CMG: E ndjeni konkurencën në treg me këtë punë që bëni?
Mateo Hoxhalli: Artisti është pak egoist dhe këdo të pyesësh thotë që është më i miri. Unë mendoj se çdo njeri që ka besim tek vetja nuk do t’ja dijë për konkurrencë, sepse çdokush ka fatin e vet.
Mateo bashke me nje vajze me karikaturne e saj (Foto personale)
CMG: Stina e verës kalon më mirë në plazh dhe duke punuar apo në vendlindjen tuaj, Korçën e freskët?
Mateo Hoxhalli: Mendoj se për freskinë normal që në Korçë sepse Korça ka një klimë që unë e dashuroj sepse jam vetë nga ai qytet. Mendoj se për klimën do të zgjidhja Korçën, por që për pushime më mirë vendi bregdetar.
CMG: Keni menduar të hapni ndonjë ekspozitë me punimet tuaja në pikturë dhe karikaturë?
Mateo Hoxhalli: Një ekspozitë do të jetë shumë shpejt, sepse unë e kam bërë dhe një ekspozitë personale në Korçë kur kam qenë në vitin e parë në liceun artistik të Korçës. Shumë shpejt do të hap një ekspozitë personale në Tiranë.
CMG: Dashuroni më tepër pikturën apo komedinë?
Mateo Hoxhalli: Kjo gjë është njëlloj sikur të thuash do më shumë djalin e madh apo të vogël. Unë i dashuroj të dyja këto zhanre të artit dhe nuk i ndaj dot. Kështu që do të vazhdoj pikturën dhe aktrimin paralel.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Mateo Hoxhalli: Unë i përshëndes të gjithë dhe dua të përshëndes edhe familjen time që më ka ndihmuar dhe nuk më ka lënë asnjëherë vetëm.
Intervistoi: Gazmend Agaj