Peskov: Garancitë e sigurisë për Ukrainën do ta përkeqësonin situatën
2023-08-02 10:23:11

Foto nga VCG

Kremlini i është përgjigjur negociatave për garancitë e mundshme të sigurisë perëndimore për Ukrainën duke paralajmëruar për një përkeqësim të situatës së sigurisë në Evropë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se çdo garanci dypalëshe e sigurisë për Ukrainën do të prishë parimet e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe nuk duhet të bëhet në kurriz të nevojave të Rusisë, citon “ATSH”.

“Sipas mendimit tonë, kjo do të çojë vetëm në përkeqësim të mëtejshëm të situatës së sigurisë në kontinentin evropian”, theksoi Peskov.

Rusia ka thënë vazhdimisht se siguria e saj është e kërcënuar nga aspiratat e Ukrainës për t’u afruar me Perëndimin, duke përfshirë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO-n. NATO ka deklaruar vazhdimisht se nuk përbën kërcënim për Rusinë.

Ukraina shpreson të nisë bisedimet këtë javë me Shtetet e Bashkuara për garancitë e sigurisë përpara se të bashkohet me NATO-n në një datë të mëvonshme. (Elona)