Ky vit përkon me 60-vjetorin e dërgimit të ekipit të parë mjekësor kinez jashtë vendit. Gjatë këtyre gjashtë dekadave të fundit, Kina ka dërguar 30 mijë anëtarë ekipesh mjekësore në 76 vende dhe rajone anembanë botës dhe ka trajtuar 290 milionë pacientë, duke fituar një vlerësim të madh nga komuniteti ndërkombëtar. Sot do të tregojmë eksperiencën e mjekut ushtarak Xu Junyi nga një mision ndihme në Etiopi. Ai është anëtar i grupit të tetë të ekspertëve mjekësorë ushtarakë nga Ushtria Çlirimtare Popullore, i përzgjedhur nga Kolegji Bazë Mjekësor i Universitetit Mjekësor të Ushtrisë të Kinës.
Gjatë misionit të tij për të ndihmuar Etiopinë, ndjenja e tij më e madhe për të punuar dhe jetuar këtu është edhe "e çuditshme", edhe "e njohur". Të praktikosh mjekësinë në një kontinent tjetër, mijëra kilometra larg atdheut, të përballesh me kolegë e pacientë me kombësi, gjuhë dhe zakone të ndryshme, në fillim ishte pak e vështirë, pavarësisht se edhe aty ka kudo gjurmë njohjeje. Për shembull, në Etiopi, pajisjet mjekësore dhe mallrat e tjera të prodhuara dhe dhuruara nga Kina, prej kohësh shihen si simbol i cilësisë. Ndërkohë gjithmonë mjekë nga departamente të ndryshme vijnë për të ftuar mjekët kinezë për të pirë kafe dhe për të marrë përvojën e tyre profesionale ose studimore në Kinë.
Jo vetëm kolegët në spital, por edhe populli etiopian i ka mirëpritur mjekët ushtarakë kinezë me dashamirësinë më të madhe. Kur të sapoardhurit nuk mund të gjejnë një adresë, gjen gjithmonë njerëz entuziastë që i udhëzojnë mjekët kinezë, duke i shoqëruar për disa kilometra vetëm për t'i çuar ata në vendin e duhur. Edhe kur nuk mund të komunikojnë dot me gjuhën lokale, nuk mungojnë vendësit që flasin mirë anglisht dhe shërbejnë si përkthyes pa pagesë të gjuhës amharike me mjekët kinezë.
Gjatë ekperiencës së tij në Etiopi, gjëja më e paharrueshme për mjekun Xu Junyi është përvoja e dhënies së ndihmës së parë në rrugë për një banore të zonës. Ai e tregon atë përvojë në detaje: Në Etiopi, ekipi ynë mjekësor ushtarak duhet të furnizohet dhe ta gatuajë vetë ushqimin. Një herë, ndërsa po blinim në një supermarket, dëgjuam zhurmë jashtë. Në mes të turmës, pashë një grua të shtrirë pa ndjenja në tokë, pantoflat i ishin hequr nga këmbët dhe sendet e saj ishin të shpërndara nëpër dysheme. Ne vrapuam menjëherë jashtë dhe filluam ta ekzaminojmë gruan. Një kalimtar që nuk po e kuptonte mirë situatën dhe duke menduar se gruaja kishte humbur ndjenjat për shkak të vapës vazhdonte t’i hidhte ujë në fytyrë, por kjo vetëm po e përkeqësonte situatën. Ne e ndaluam menjëherë këtë veprim, por njerëzit përreth shprehën habi, madje disa prej tyre u treguan edhe të pakënaqur dhe donin të na largonin".
"Ne jemi mjekë! Mjekë kinezë!" Unë u shpjegova me shpejtësi: "Ju lutem, na besoni dhe na lejoni ta trajtojmë atë!". Pasi zbuluan identitetin tonë, njerëzit përreth ranë dakord për ndihmesën tonë. Pas ekzaminimit, rrahjet e zemrës dhe pulsi i gruas u zhdukën dhe shpejt vlerësuam se ajo kishte pësuar arrest kardiak. Kështu, unë dhe disa anëtarë të ekipit tonë vazhduam me radhë t’i bëjmë reanimim kardiopulmonar. Pas 20 minutash përpjekjeje të pandërprera, gruas më në fund iu rikthyen rrahjet e zemrës dhe frymëmarrja. Ndërsa pritëm të vinte bashkëshorti i saj, u përgatitëm të largoheshim. Por duke parë ndihmën tonë shpëtimtare, njerëzit përreth na ndaluan për të na shprehur mirënjohjen dhe lavdërimet e tyre njëri pas tjetrit. Madje na çuan në shtëpi për të larë rrobat që ishin ndotur për shkak të ndihmës dhe na falënderuan duke na sjellë ujë mineral dhe fruta. Nga këndvështrimi i profesionit, kjo është veçse puna jonë si mjekë. Ndaj mirënjohja e popullit etiopian për ne dhe mjekët kinezë është arritja më e madhe".
Reputacioni i mirë i ekipit mjekësor ushtarak kinez në zemrat e popullit etiopian është grumbulluar edhe përmes këtyre gjërave kaq të vogla. Në spital, mjekët kinezë provuan departamente të ndryshme për të ndihmuar punonjësit mjekësorë vendës në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të vështira. Në jetën e përditshme, kur përballen me nevojat mjekësore të miqve dhe fqinjëve etiopianë, mjekët kinezë përpiqen gjithmonë t'i ndihmojnë ata.
Adis Abeba, kryeqyteti i Etiopisë, njihet si "qyteti i luleve". Përveç luleve të ndryshme shumëngjyrëshe, janë edhe “lulet e miqësisë”, të cilat kultivohen dhe ujiten me kujdes çdo ditë së bashku nga grupet e ekipeve mjekësore ushtarake kineze dhe atyre etiopiane.