Ukraina bie dakord me Kroacinë për përdorimin e porteve për eksportin e drithërave
2023-08-02 10:45:43

Foto nga VCG

Ukraina dhe Kroacia janë pajtuar për mundësinë e përdorimit të porteve kroate në Danub dhe në Detin Adriatik për eksportimin e drithërave ukrainase. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, pas takimit me homologun e tij kroat, shkruan “Panorama”.

Rusia është tërhequr nga marrëveshja për drithërat që kishin ndërmjetësuar Kombet e Bashkuara dhe Turqia.

Kjo ka pamundësuar që Ukraina – një prodhuese globale e drithërave – të eksportojë në mënyrë të sigurt prodhimet bujqësore nga portet në Detin e Zi teksa lufta po vazhdon.

“Tani do të punojmë që të ndërtojmë rrugë efikase në këto porte dhe të përfitojmë nga kjo mundësi. Çdo kontribut për të zhbllokuar eksportin, çdo derë që hapet është një kontribut i vërtetë dhe efektiv për sigurinë ushqimore të botës”,- tha Kuleba në Kiev.

Ukraina aktualisht varet nga eksporti përmes rrugëve tokësore në Bashkimin Evropian. (Elona)