
Foto nga VCG
Parlamenti i Hungarisë shtyu seancën e posaçme për ratifikimin e pranimit të Suedisë në NATO, për shkak të mos pranisë së përfaqësuesve të partisë në pushtet.
Partia qeverisëse e Viktor Orban ka një shumicë prej dy të tretash në Parlament dhe për shkak të mungesës së tyre ratifikimi nuk mund të arrihej, bën të ditur “RTSH”.
Sipas medieve vendase, opozita kritikoi veprimet e partisë së Orban duke i quajtur si të papërgjegjshme.
Javën e kaluar, Hungaria njoftoi se do të mbështesë vendimin e Turqisë për çështjen e pranimit të Suedisë në NATO.
“Nëse ka ndryshim në qëndrimin e Turqisë, atëherë sigurisht që ne do të mbajmë premtimin tonë se Hungaria nuk do të frenojë asnjë vend në drejtim të anëtarësimit”,-, deklaroi ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, në një konferencë për media në Budapest.
Finlanda dhe Suedia aplikuan për anëtarësim në NATO menjëherë pas nisjes së konfliktit Rusi-Ukrainë në shkurt 2022. Të gjithë anëtarët, përfshirë Turqinë, kanë miratuar anëtarësimin e Finlandës në aleancë, ndërsa për pranimin e Suedisë, Turqia kërkon që Stokholmi zyrtar të përmbushë detyrimet për mos t’u dhënë strehë terroristëve dhe mbështetësve të terroristëve dhe për mos të lejuar aktivitetet e tyre. (Elona)
