A e keni pyetur ndonjëherë veten, pse një vazo lulesh mbi një tryezë, dy kokrra mollë apo shegë, një shishe uji me një gotë, një dekanter vere me ca libra, e të tjerë objekte të kësaj natyre, pasi pikturohen, quhen “Natyrë e qetë”?
Fjala "natyrë e qetë” që në frëngjisht njihet si (nature morte- natyrë e vdekur), në një kuptim të gjerë është një përshkrim artistik i objekteve të pajetë: bimë, fruta, pjata, libra, etj. Artisti në këtë rast, nuk pikturon objekte "nga natyra", por me vetëdije i rregullon ato në atë mënyrë që të zgjidhë disa nga detyrat e tij të kuptimit dhe të estetikës. Shpesh, natyrat e qeta përmbajnë një alegori të fshehur përmes përdorimit të objekteve të zakonshme, të cilave artisti u vesh nga një simbol dhe kuptim shtesë.
“Natyra e qetë” si një zhanër i pavarur i pikturës, mori formë në shekullin e 17-të me punimet e artistëve holandezë dhe flamandë. Deri në atë kohë, ai nuk ishte një zhanër i pavarur, pasi përfshihej vetëm në zhanre të tjera. “Natyra e qetë” në Shqipëri është lëvruar shumë dhe me sukses nga piktorë të brezave dhe të formimeve të ndryshme estetike. Do ju njohim sot me 10 natyra të qeta, që ia vlen t’i njihni dhe t’i identifikoni si unike në stilin dhe artin e tyre si dhe t’ju njohim me autorët e tyre.
Hasan Reci, Vazo me lule, vaj, pa date - foto GA
Piktori Hasan Reçi zë një vend të veçantë në historinë e artit figurativ shqiptar, që i përket gjysmës së parë të shekullit të XX. Natyra e qetë me titull “Vazo me lule” është ndër më interesantet e piktorit që u shkollua në Itali, ku ra në kontakt me elementët e futurizmit, që gëlonin asaj kohe. Në këtë pikturë ku piktori ka fokusuar një vazo lulesh dhe dy- tre libra mbi një tavolinë, ndihen tendencat e impresionizmit të kohës, potenca e ngjyrave dhe ekspresiviteti i tyre. Tablloja është e punuar me vaj dhe ruhet në Galerinë Kombëtare të Artve në Tiranë, bashkë me 26 punime të tjera.
Simon Rrota, Natyrë e Qetë, vaj në beze, 1949- foto GA
Simon Rrota, është një piktor që i përket brezit që shënoi fillimin e këtij arti në Shqipëri. Natyra e qetë e pikturuar prej tij që kemi zgjedhur për sot paraqet tre enë bakri, një shishe qelqi, një kastravec dhe ca gjethe rrushi. Pak më më sfond, ndodhet një shishe rakije dhe një shportë. Një skenë natyraliste, që rrëfen jetën e përditshme, e pikturuar me tona të ngrohta, ku pak përzihen ato të ftohtat. Një vepër e punuar me vaj në beze, e vitit 1949 e që ruhet në Galerinë e Arteve në Tiranë.
Abdurrahim Buza, Nayrë e qetë me rrush, vaj ne fibër, 1975 - foto GA
Krijimtaria e piktorit Abdurrahim Buza është shumë planëshe dhe e niveleve më të larta artistike. Buza studimet e larta i kreu në Itali dhe Francë, ku u ndikua nga impresionizmi dhe ekspresionizmi i atyre viteve. Ne kemi përzgjedhur natyrën e qetë të titulluar “Një pjatë me rrush”, një tabllo e pikturuar me vaj në fibër, realizuar në vitin 1975. Kjo vepër shquhet për koloritin dhe mënyrën se si komunikon me publikun. Ajo ruhet në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Zef Kolombi, Rrush e pjeshke, vaj, 1940= foto GA
Zef Kolombi vjen me veprën “Rrush e pjeshkë”, një pikturë shumë e dashur për publikun. Në imazhin e saj pasqyrohen fruta dhe imazhe qelqi. Në pikturë dallohen ngjyrat okër dhe të kuqet e lehta dhe transparente. Kafet e çelëta, të kaltrat e bardha dhe të bardhat e ngrohta të dritave, materializojnë shishet, frutierën dhe kupën prej qelqi. Vepra është realizuar në vaj në vitin 1940 dhe ruhet në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Nexhmedin Zajmi - Natyrë e qetë me pulë, vaj në kompensate, 1954 - foto GA
Nexhmedin Zajmi është ndër emrat kryesorë të pikturës shqiptare. Ai spikati me portretet, kompozimet figurale dhe peizazhet e tij, por një natyrë e qetë e tij, është ndër më të bukurat e kohërave. Ajo titullohet “Natyrë e qetë me pulë” dhe në të, ndryshe nga piktorë të tjerë që fokusojnë fruta, libra dhe shishe vere, Nexhmedin Zajmi ka si objekt dhe subjekt të tijin, një pulë të therur mbi tavolinën e punës e pranë saj, shishja e verës apo e rakisë, misër, qepë e domate. Një kompozim fantastik dhe i veçantë, ku piktori prezanton një aftësi të jashtëzakonshme në pikturimin e shpendit, në sajë të plastikës që zotëron dhe një koloriti të ngrohtë ngjyrash. Vepra është e punuar me vaj në kompensatë, i përket vitit 1954 dhe ruhet në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Jakup Keraj, natyrë e qetë me rrush, vaj - foto GA
Jakup Keraj, ndonëse njihet si mjeshtër i portretit, nuk i ka shpëtuar tundimit për të realizuar natyra të qeta, një prej të cilave e kemi përzgjedhur sot në programin tonë. Bëhet fjalë për një vepër e cila ruhet në Galerinë Kombëtare të Arteve, si pjesë e këtij arkivi dhe ka titullin “Natyrë e qetë me rrush”. Në këtë vepër vihet re penelata e tij shpërthyese, e cila krijon ritëm, formë dhe kontraste. Tablloja është e punuar me ngjyra vaji. Gjithçka në atë që mëkon kjo punë është joshëse dhe tregon për një punë delikate dhe një finesë e admirueshme.
Vilson Kilica, Natyrë e qetë (Pastel) 1965
Vilson Kilica ka disa natyra të qeta e ne kemi përzgjedhur njërën prej tyre. Bëhet fjalë për një natyrë të qetë, e shkëputur nga një cikël i punuar i tëri me pastel. Shegët janë pikturuar plot forma dhe ngjyra ku dominojnë e kuqja me të verdhën dhe sfondi ku dominon kafja me blunë. Vihet re ndikimi i impresionistëve dhe postimpresionistëve francezë, në penelatat e çliruara e plot kolorit. Vepra i përket vitit 1965, pasi artisti ishte krhyer nga studimet në Shën Petërsburg ku kishte rënë në kontakt me veprat më të rëndësishme të periudhës.
Alush Shima- natyre e qete, Luledielli,vaj ne kanavace
Alush Shima shquhet për pikturimine e peizazheve dhe të natyrave të qeta. Sa i takon këtyre të fundit bie në sy cikli ku ai pikturon vazo me lule. Ka një numër të madh punimesh të këtij zhanri, ku spikasin vazot me luledielli, tulipanë, trëndafila, zambakë, të gjitha të pukturuara me një kolorit të pasur dhe shprehës.
Llamni Blido, Natyrë e qetë me ibrik, vaj 1975- foto GA
“Natyrë e qetë me ibrik” është një tjetër natyrë e qetë e përfshirë në këtë listë, kësaj radhe tablloja vjen nga piktori Llambi Blido. “Natyrë e qetë me ibrik”, titullohet ajo dhe I përket vitit 1976. Një ibrik çaji, një filxhan aty pranë dhe një fetë bukë e lyer me gjalp në një pjatë. Kjo është e gjitha çfarë fokusohet në këtë natyrë të qetë pikturuara në tone të ftohta, ku mbizotëron bluja dhe e bardha me nuancat e saj. Tablloja është punuar me vaj dhe ruhet në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Edmond Gjikopulli, Natyre e qete, vaj, 2008- foto Edmond Gjikopulli FB
Piktori Edmond Gjikopulli vjen në listën tonë me një natyrë të qetë që i përket arkivit të tij personal. Është një tabllo që është krijuar në vitin 2008 dhe është punuar me teknikën e vajit në kanavacë. Në këtë tabllo, si në shumicën e natyrave të qeta, dominon një enë qelqi plot me rrush e poshtë saj, në një sfond pëlhurë me vija bardhe e blu, gjejmë fruta e vjeshtës: një portokall dhe shegë, një kupë bakri të rrëzuar dhe ca degë dafine. Kombinim perfekt ngjyrash dhe tonesh, në një punim detajist dhe shumë emocional.
Në të gjitha natyrat e qeta që listuam, gjejmë dominimin e frutave dhe luleve, përmes arritjes së magjishmes të penelit. Ngjyrat dhe drita, tonet dhe subjekti edhe kur nuk ndryshojnë dukshëm nga një punë në tjetrën, nga një autor te tjetri, prap se prap të befasojnë dhe të rrëmbejnë në strofkullën e natyrës së qetë, të cilës nuk I ka shpëtuar dot asnjë piktor, i madh apo i vogël qoftë ai. Pasi natyra është streha jonë e parë e ekzistencës.
Neritana Kraja