Xhensila Omeri është mjeke gjinekologe, e diplomuar në vitin 2015 në Fakultetin e Mjekësisë së Tiranës, pasuar nga specializimi pranë maternitetit "Mbretëresha Geraldinë" në Tiranë. Së bashku me bashkëshortin e saj Xhensila drejton klinikën gjinekologjike “Lindi”, e cila funksionon prej 5 vitesh. Në klinikë ofrohet një gamë e gjerë e shërbimeve obstetrike dhe gjinekologjike, që mbështet gruan në faza të ndryshme të jetës së saj. Xhensila u njoh me bashkëshortin e saj teksa ishte ende studente dhe fryt i kësaj dashurie është vajza e tyre Amla. Përtej çdo sfide që ka kaluar në profesion si mjeke dhe jetë si nënë, ajo tregon njerëzit që e kanë mbështetur në çdo rrethanë dhe ata janë familja e saj.
Xhensila Omeri dhe Megi Latifi e ftuar Në Studio Ejani
Në një intervistë për Radio Ejani, gjinekologia Xhensila Omeri flet për jetën e saj që shërben si burim frymëzimi për çdo të ri.
CMG: Xhensila, ku je duke punuar si mjeke aktualisht?
Xhensila Omeri: Unë punoj si mjeke gjinekologe në Maternitetin e Sarandës, por kam edhe klinikën time, të cilën e kam themeluar së bashku me partnerin tim të jetës gati 5 vite më parë.
CMG: Si ka qenë momenti kur themeluat diçka të madhe për ju ?
Xhensila Omeri: Klinika është një hapësirë mirëpritëse për çdo çift, i cili ka nevojë për trajtim. E nisëm si diçka të vogël me skepticizëm, i cili na rrethonte të dyve, por edhe me besimin tek njëri-tjetri dhe ja dolëm mbanë. Fitorja më e madhe është që pacientët besuan tek ne që në fillim dhe sot ne kemi punë të përditshme, falë tyre.
CMG: Si ishte shkëputja nga studimet dhe hyrja në tregun e punës ?
Xhensila Omeri ( foto personale)
Xhensila Omeri: Tirana ka një numër shumë të madh klinikash dhe kur mendon që do hapësh një biznes privat është një sfidë në vetvete. Unë në dyert e spitaleve apo jashtë tyre hasja përherë klientë të cilën më thoshin "Doktoresha ku mund të të takoj? " Ky ka qenë një lloj sinjali që ne këtyre pacientëve duhet t’u japim kohë më tepër dhe t'i trajtojmë sipas dijeve që kemi marrë ndër vite. Unë edhe bashkëshorti, kemi ndërtuar përvoja të jashtëzakonshme.
CMG: Ke dashur gjithmonë të bëheshe mjeke?
Xhensila Omeri: Unë jam rritur në një familje të vogël dhe plot dashuri. Nga prindërit tanë kemi pasur një shtysë të madhe për të mësuar dhe për t'ia dalë me studimet. Kanë qenë familje me shumë sakrifica në sensin ekonomik, por jam mirënjohëse gjithë jetën që më kanë nxitur të studioj. Unë gjithmonë kam pasur qejf të bëhem mjeke, por hallka më e rëndësishme për formimin tim për të qenë kjo që jam sot ka qenë dhe do vijojë të jetë babi im. Pasioni për mjekësinë lindi nga biologjia. Unë vetë jam sëmurur shumë herë dhe duke qenë se i kaloja vetë këto probleme vendosa të shëroj edhe të tjerët. Mjeku ka ndjesi të forta humane, ndihma dhe shërimi është qëllimi primar .
CMG: Cilat janë ëndrrat që të kanë rritur?
Xhensila Omeri dhe partneri i saj ( foto personale)
Xhensila Omeri: Si fillim ka qenë ndjesia ime e përhershme të mos zhgënjej prindërit. Kam qenë një vajzë që kam punuar shumë që të jem me këmbë në tokë, duke mos zhgënjyer sakrificën e madhe që bënë prindërit për studimet fillimisht dhe çdo aspekt të jetës më pas. Gjithmonë kam pasur motiv prindërit në jetë, kam pasur një këmbëngulje për të bërë hapa të sigurt. Ideja është që në jetë nuk kam pasur qëllim thjesht të mbyll studimet, por të bëj maksimumin tim.
CMG: A ka pasur momente të vështira në karrierën tënde?
Xhensila Omeri: Patjetër që po, pasi një student i mjekësisë kalon një kalvar të gjatë vështirësie, sepse janë shumë vite studime. Kur të gjithë dalin në jetë dhe në punë ne presim edhe shumë vite të tjera deri sa të kompletohemi. Po, dua të pranoj që ka pasur raste që kam dashur të dorëzohem, por nuk e kam bërë falë mbështetjes që edhe partneri më ka dhënë.
CMG: A mund të na tregoni se si është marrëdhënia juaj më partnerin?
Xhensila Omeri: Ai ka qenë udhëtari im në këtë jetë dhe përpos faktit që më ka mësuar të jem e drejtë në profesion, më hapi dritare mundësie pasi unë jam shumë vite më e vogël se ai. Ai më mësoi ndër të tjera dhe vlerën e të qenit grua dhe nënë. Ka insistuar që unë të mësoj se si vlerësohet jeta në të gjitha aspektet.
CMG: Si ka qenë momenti kur je bërë nënë?
Xhensila Omeri ( foto personale)
Xhensila Omeri: Një moment shumë i shenjtë, por dua të jem e sinqerte që kam pasur edhe frikë. Nuk dija si të isha një mami, por e mësova me bijën time Amla, ajo më ka zgjuar çdo shqisë të jetës dhe më ka zbukuruar jetën. Përtej çdo gjëje ajo meriton gjithçka në jetë dhe unë bashkë me partnerin jemi duke u përpjekur shumë që të të sigurojmë çdo mundësi për të.
CMG: Cili do ishte mesazhi për jetën?
Xhensila Omeri: Nuk ka asgjë në jetë më të bukur se familja.
Intervistoi:Megi Latifi