Shkencëtarët ngrenë alarmin: Akulli në Antarktidë, në nivelet më të ulëta ndonjëherë
2023-08-01 14:14:51

Foto nga VCG

Ndërsa Hemisfera Veriore përballet me një valë të nxehti rekord të verës, shumë më në jug, në thellësi të dimrit, po thyhet një tjetër rekord i tmerrshëm klimaterik. Akulli i detit të Antarktidës ka rënë në nivele të ulëta të paprecedentë për këtë periudhë të vitit, shkruan “RTSH”.

Çdo vit, akulli në Antarktidë tkurret në nivelet më të ulëta në fund të shkurtit, gjatë verës së kontinentit. Më pas, akulli ngrihet përsëri gjatë dimrit.

Por këtë vit shkencëtarët kanë vërejtur diçka ndryshe. Akulli nuk është kthyer në nivelet e pritura. Ai është në nivelet më të ulëta për këtë periudhë të vitit që nga fillimi i regjistrimeve 45 vjet më parë.

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e të Dhënave për Dëborën dhe Akullin (NSIDC), akulli është rreth 1.6 milionë kilometra katrorë nën rekordin e mëparshëm të dimrit të vendosur në vitin 2022.

Në mesin e korrikut, akulli i detit të Antarktidës ishte 2.6 milionë kilometra katrorë nën mesataren e viteve 1981-2010. Kjo është një zonë pothuajse aq e madhe sa Argjentina.

Fenomeni është përshkruar nga disa shkencëtarë si i jashtëzakonshëm, diçka që është kaq e rrallë, sa gjasat janë që të ndodhë vetëm një herë në miliona vjet.

Në fund të shkurtit të këtij viti, akulli në Antarktidë arriti shtrirjen më të ulët që nga fillimi i regjistrimeve, në 691.000 milje katrore. (Fatosi)