Xi dërgon letër urimi për 10-vjetorin e Korridorit Ekonomik Kinë - Pakistan
2023-08-01 11:04:28

Foto nga VCG

Presidenti kinez Xi Jinping theksoi të hënën që Kina do të punojë me Pakistanin për të arritur rezultate të standardit të lartë, të qëndrueshme e që përmirësojnë jetesën e njerëzve dhe për ta bërë Korridorin Ekonomik Kinë-Pakistan një shembull të bashkëpunimit për "Një brez, një rrugë" me cilësi të lartë.

Në një mesazh urimi për veprimtarinë e kremtimit të Dekadës së Korridorit Ekonomik Kinë-Pakistan të zhvilluar në Islamabad të Pakistanit, Xi vuri në dukje se Korridori Ekonomik Kinë-Pakistan është një vepër e rëndësishme pioniere e bashkëpunimit në kuadër të "Një brez, një rrugë". Që nga nisja në vitin 2013, Kina dhe Pakistani e kanë zbatuar këtë projekt sipas parimit të konsultimeve të gjera, kontributit të përbashkët e përfitimeve të ndërsjella dhe kanë pasur një numër arritjesh.

Ky korridor ekonomik i ka dhënë një nxitje të re zhvillimit ekonomik e shoqëror të Pakistanit dhe ka hedhur themele të forta për lidhjen e integrimin rajonal, theksoi kryetari i shtetit i Kinës, duke shtuar që kjo vepër është një dëshmi e gjallë e miqësisë në të gjitha rrethanat ndërmjet të dy vendeve dhe ofron një mbështetje të rëndësishme për ndërtimin e një bashkësie edhe më të afërt me një të ardhme të përbashkët Kinë-Pakistan në epokën e re.

Duke theksuar se Kina dhe Pakistani do të vazhdojnë të përmirësojnë planifikimin e përgjithshëm dhe të zgjerojnë e të thellojnë bashkëpunimin, Xi tha se, pavarësisht si mund të ndryshojë peizazhi ndërkombëtar, Kina do të qëndrojë gjithmonë përkrah Pakistanit.

Ai shtoi se Kina dhe Pakistani do të vazhdojnë të punojnë së bashku dhe do të përparojnë në solidaritet për të vazhduar miqësinë e hekurt dypalëshe, për të bashkërenduar zhvillimin e sigurinë, për të pasur një bashkëpunim me standarde më të larta,  më të gjerë e më të  thellë dhe për ta ngritur partneritetin e bashkëpunimit strategjik në të gjitha rrethanat Kinë-Pakistan në lartësi të reja, duke dhënë kontribut edhe më të madh për paqen e begatinë e dy vendeve e të rajonit.