
Foto nga VCG
Ukraina ka vendosur të fillojë bisedimet me SHBA-në në ditët në vijim për të marrë garancitë e sigurisë që do të ishin në fuqi, përderisa pranimi i planifikuar në NATO po mbetet pezull, deklaroi kreu i Zyrës së Presidentit ukrainas.
Andriy Yermak deklaroi përmes një postimi në “Telegram” se qëllimi i bisedimeve ishte marrja e angazhimeve konkrete dhe afatgjata nga SHBA-ja për të ndihmuar Ukrainën në konfliktin e vazhdueshëm me Rusisë dhe për të parandaluar agresionin e ardhshëm prej fqinjit, raporton “ATSH”.
G7-a kishte premtuar mbrojtje afatgjatë ndaj Ukrainës në samitin e NATO-s në Vilnius.
Yermak tha se bisedimet me SHBA-në do të fokusoheshin rreth marrjes së angazhimeve dypalëshe të sigurisë për Ukrainën, ndërsa vendi pret të bashkohet me NATO-n, duke shtuar se ky do të ishte vetëm hapi i parë.
Ai tha se bisedimet duhet të përfshijnë mbështetjen dhe financimin e mbrojtjes si dhe sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë.
Shefi i Zyrës Presidenciale ukrainas konfirmoi gjithashtu se javën e ardhshme do të zhvillohet një samit i përfaqësuesve ndërkombëtarë në Arabinë Saudite, i cili do të fokusohet në zbatimin e formulës së paqes së Zelensky-t për një zgjidhje të konfliktit.
Thelbi i formulës është kërkesa për tërheqjen e trupave ruse nga Ukraina.
Rusia nuk është e përfshirë në dhënien e garancive të sigurisë dhe as në takimin në Arabinë Saudite.
“Wall Street Journal” ka raportuar se Arabia Saudite do të presë bisedimet e paqes me përfaqësues nga 30 vende, në Xhedah, më 5 dhe 6 gusht. (Fatosi)
