foto/CMG
Qeveria japoneze miratoi së fundmi versionin e vitit 2023 të "Librit të Bardhë të Mbrojtjes", duke pretenduar se Japonia "po përballet me mjedisin më të rëndë dhe më kompleks të sigurisë pas luftës" dhe duke e cilësuar Kinën si "sfidën më të madhe strategjike ndonjëherë". Kur analizohet situata ushtarake e vendeve të ndryshme, në librin e bardhë prej më shumë se 500 faqesh, 31 faqe i kushtohen paraqitjes së situatës së Kinës, më shumë se çdo vend tjetër.
I ashtuquajturi "Libër i Bardhë i Mbrojtjes" është dokumenti zyrtar vjetor i Japonisë që paraqet mjedisin e saj të sigurisë kombëtare dhe politikën e mbrojtjes.
Për çështjet që lidhen me Kinën, versioni i ri i "Librit të Bardhë të Mbrojtjes" ndjek refrenin e vjetër të të ashtuquajturit "kërcënim nga Kina" dhe e ekzagjeron më tej atë në kombinim me vlerësimin e ri të mjedisit të sigurisë. Libri i bardhë vë në dukje se duhet të shpenzohen rreth 43 trilionë jenë për mbrojtjen brenda pesë vjetëve deri në vitin 2027, për të zhvilluar të ashtuquajturën "aftësi kundërsulmuese" dhe për të përmirësuar mbrojtjen ajrore dhe aftësitë gjithëpërfshirëse në fusha të reja si hapësira, rrjeti dhe valët elektromagnetike.
Disa analistë mendojnë se ky buxhet i mbrojtjes është mbi 1.5 herë më i madh se ai i "Planit Afatmesëm të Përgatitjes së Forcave të Mbrojtjes" të Japonisë (2019-2023), i cili pasqyron përpjekjen e Japonisë për të justifikuar shtimin e fuqisë së vet ushtarake, duke ekzagjeruar të ashtuquajturat kërcënime periferike, për të hequr dorë prej "Kushtetutës Paqësore" dhe për të realizuar "ëndrrën e një fuqie ushtarake". Të dhënat në librin e bardhë tregojnë që, në dhjetë vjetët e fundit, numri i manovrave të përbashkëta ushtarake vjetore ndërmjet Japonisë dhe ShBA-së është rritur nga 24 në 108, më shumë se katër herë.
foto/CMG
Në versionin e ri të "Librit të Bardhë të Mbrojtjes" shihen shpesh fjalë si "aleanca Japoni-ShBA". Për një periudhë kohe, qeveria amerikane e ka cilësuar gabimisht Kinën si "sfidën më të rëndësishme gjeopolitike" dhe i ka kërkuar aleates së vet, Japonisë, që të ruajë rreshtimin strategjik me ShBA-në dhe të luajë rolin e një "shumëfishuesi të fuqisë".
Për kabinetin e kryeministrit Fumio Kishida, ekzagjerimi i kërcënimeve të jashtme nëpërmjet "Librit të Bardhë të Mbrojtjes" ka si qëllim për të devijuar vëmendjen kombëtare dhe për të rritur mbështetjen. Për shkak të reagimit joefektiv ndaj rritjes së çmimeve e çështjeve të tjera, shkalla e mbështetjes publike ndaj qeverisë Kishida ka rënë së fundmi. Disa analistë besojnë se, për të ndryshuar këtë prirje, qeveria japoneze nxori një version të ri të "Librit të Bardhë të Mbrojtjes" për të theksuar racionalitetin e rritjes së taksave të mbrojtjes në mënyrë që ta ngatërrojë publikun dhe të fitojë mbështetje.
foto/VCG
Sipas një profesori në Universitetin Hosei të Japonisë, mbrojtja e rendit ndërkombëtar të pasluftës dhe ruajtja e kushtetutës paqësore janë gurët e themelit të zhvillimit afatgjatë të Japonisë. Është koha që qeveria japoneze të mendojë se si ta kuptojë më mirë Kinën në të ardhmen dhe si të mbajë premtimet e saj për çështjet kryesore ndërmjet të dy vendeve. (Fang Xiaoyu/Artan)