Xinjiang, porti ndërkombëtar tokësor i Urumqit zhvillohet me një koncept të ri
2023-08-01 17:20:45

Në korrik 2022, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping bëri një inspektim në portin ndërkombëtar tokësor të Urumqit. Qysh prej asaj kohe, porti ndërkombëtar tokësor i Urumqit ka synuar standardin e lartë dhe ka krijuar rrugë të reja, duke zbatuar një model të ri transporti dhe teknologji të reja në menaxhimin e linjave të transportit. Kjo e ka ngritur në mënyrë të dukshme aftësinë e konkurrimit të këtij porti.

 

Status i ri

Gjatë vizitës në vitin 2022, Xi Jinping vuri në dukje: “Me thellimin e nismës ‘Një brez, një rrugë’, Xinjiang-u nuk është më një rajon i largët, por një zonë thelbësore dhe një nyjë transporti.” Këto fjalë i kanë inkurajuar punonjësit e portit ndërkombëtar tokësor të Urumqit të punojnë për ndërtimin e portit me një vullnet më të vendosur.

 

Në një intervistë për CMG-në, zv.kryemenaxheri i Grupit të Portit Ndërkombëtar Tokësor të Xinjiang-ut, Zhao Yi, u shpreh: “Fjalët e kryetarit Xi janë shumë inkurajuese dhe na kanë motivuar shumë. Xinjiang-u, si zonë thelbësore në Rrugën e Mëndafshit, është përfshirë në strategjinë shtetërore. Kjo ka shumë rëndësi. E shohim portin tonë si nyjën më thelbësore, pasi këtu në Xinjiang mund të integrohen kapacitetet logjistike nga i gjithë vendi dhe të çlirohen drejt Azisë Qendrore dhe Europës.”

 

Punonjësja e Qendrës së Postës së Shpejtë në Portin Hekurudhor të Urumqit, Yao Sanxi, vuri në dukje: “Të gjithë punonjësit në portin tonë i kanë mbajtur në mend fjalët e kryetarit Xi, duke bërë përpjekje aktive, me synim që të integrohemi më aktivisht në sistemin e ri të zhvillimit të vendit dhe të vazhdojmë të forcojmë rolin e Urumqit në zonën thelbësore të Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit.”

 

Model i ri

Për një efektivitet më të madh të transportit dhe tregtisë në Brezin Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit, porti ndërkombëtar tokësor i Urumqit ka bashkëpunuar aktivisht me sektorët doganorë dhe hekurudhorë, duke nxitur zhvillimin e korridorit të transportit rrugor e hekurudhor Kinë – Kirgizistan - Uzbekistan. Porti ndërkombëtar tokësor i Urumqit ka nisur me sukses transportin e rregullt tokësor-hekurudhor Kinë - Kirgizistan -Uzbekistan dhe provën e “transportit me shumë mënyra + korridor tokësor-detar”, duke formuar modelin e ri me “shumë korridore dhe shumë biznese”.

 

Përveç tregut të jashtëm, porti ndërkombëtar tokësor i Urumqit ka zhvilluar aktivisht bashkëpunim me portet dhe nyjat kryesore të transportit të Kinës, duke formuar modelin e zhvillimit të përbashkët. Kjo ka ngritur më tej efektivitetin e tregtisë dhe transportit në Brezin Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit.

 

“Porti tokësor ndërkombëtar i Urumqit ka shtuar bashkëpunimin me portet detare të Tianjin-it e të Shandong-ut. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2023, janë bërë 280 udhëtime të përbashkëta transporti detar-hekurudhor. Krahas kësaj, porti i Urumqit ka shtuar aktivisht bashkëpunimin me qendrat logjistike në rang kombëtar. P. sh., me portin ndërkombëtar tokësor të Lanzhou-t dhe portin ndërkombëtar tokësor të Zhengzhou-t janë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi strategjik, çka ka plotësuar më tej rrjetin e logjistikës të portit tokësor të Urumqit,” u shpreh Yao Sanxi.

 

 

Teknologji të reja

Për të nxitur më tej zhvillimin e vet me cilësi të lartë, si edhe të tregtisë në Rrugën e Mëndafshit, porti ndërkombëtar tokësor i Urumqit ka bërë shumë punë lidhur me zbatimin e teknologjive moderne.

 

Përveç sistemit 5G+MEC, që përmirëson efektivitetin e punës së brendshme dhe pakëson koston e prodhimit, tani në portin e Urumqit janë përdorur gjerësisht teknologjitë, si vinçat-urë pa drejtues dhe ngarkim-shkarkimi i automatizuar. Një nga risitë e fundit është përdorimi i mikroçipave 5G në transport hekurudhor. Me instalimin e mikroçipave 5G në kontejnerët, që mundëson të mblidhen të dhënat e trenave dhe mallrave në mbarë botën.

 

Zhao Yi bën të ditur: “Më parë bënim shkëmbim informacioni në sistemin hekurudhor brenda e jashtë vendit dhe të dhënat bazoheshin në numrin e trenave dhe lokomotivave. Ndërsa tani, në portin ndërkombëtar tokësor, të dhënat bazohen te kontejnerët.”

 

Përveç lokalizimit me mikroçipa, duhet të sigurohen më shumë informacione, me të cilat mund të monitorohen të dhënat e plota mbi trenat dhe ndalesat përgjatë linjave. Për këtë porti ndërkombëtar tokësor ka aplikuar hartat e ndalesave të transportit hekurudhor e rrugor të mbi 94 vendeve të botës. Në këtë bazë, porti i Urumqit ka grumbulluar të dhënat e vendndodhjes të çdo ndalese transporti, duke formuar një sistem të plotë të dhënash mbi çdo tren e çdo kontejner, dhe kjo njihet si “treni digjital”.

 

Arritje të reja

Statusi i ri e ka inkurajuar portin e Urumqit të përparojë pandërprerë. Me modelin e ri dhe shfrytëzimin e teknologjive moderne, porti ndërkombëtar tokësor i Urumqit në vitin e fundit ka pasur përparime dhe arritje të dukshme.

 

 “Deri në qershor 2023, janë nisur gjithsej mbi 7 mijë trena të rregullt Kinë-Europë. Në gjashtëmujorin e parë të sivjetshëm janë bërë 618 udhëtime, 1.5 % më shumë se gjatë së njëjtës periudhë të një viti më parë, çka përbën 84 % të trenave në mbarë Xinjiang-un. Një vit pas vënies në përdorim të qendrës së postës të shpejtë, J&T dhe ‘Cainiao’ kanë pasur një import-eksport prej mbi 60 milionë pakosh në vit nëpërmjet portit hekurudhor të Urumqit,” prezanton Yao Sanxi.

 

Siç mësohet, në janar-qershor, në portin ndërkombëtar tokësor të Urumqit janë tërhequr 22 ndërmarrje të reja me një kapital të regjistruar që arrin në 275 milionë juanë. Me stimulimin e portit ndërkombëtar tokësor, janë eksportuar një vëllim i madh mallrash nga Xinjiang, si çelik, PVC dhe salcë domatesh, gjë që i ka dhënë një gjallëri të re metalurgjisë, rafinimit të naftës dhe industrisë tekstile e kimike.

 

Zhao Yi u shpreh që, në të ardhmen, porti ndërkombëtar tokësor i Urumqit do të zhvillohet me integrimin e “dy 1.4 miliardëve”: domethënë 1.4 miliardë banorëve të tregut vendas kinez dhe 1.4 miliardë banorëve në Azinë Qendrore dhe Europë. Me një horizont më të gjerë dhe me një status të ri më të lartë, porti ndërkombëtar tokësor i Urumqit do të vazhdojë ta përfshijë zhvillimin e vetes në strategjinë kombëtare të Kinës dhe do të luajë një rol më të madh në ndërtimin e “Një brez, një rrugë”. (Jiang Lei)