Financat vendore dhe rritja e të ardhurave bashkiake 2023
2023-08-01 09:47:24

Grafiku për taksën e pasurisë (Foto Meteoalb)

Grafiku për taksën e pasurisë (Foto Meteoalb)

Edhe pse të ardhurat e bashkive janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, disiplina financiare e tyre është sot, më shumë sesa asnjëherë tjetër, një domosdoshmëri, e cila ka të bëjë me thellimin e decentralizimit vendor si përgjegjësi, jo vetëm si autonomi.

Në lidhje me detyrimet e prapambetura të pushtetit vendor, qeveria ka hyrë në një fazë shtrëngimi pa tolerancë, në bazë të parametrave të dakordësuara me bashkitë.

Rritja e performancës financiare të bashkive është një përparësi për shoqërinë shqiptare. Asgjë nuk mund të bëhet për të shtuar cilësinë dhe numrin e shërbimeve ndaj qytetarëve në nivel bashkiak, nëse bashkitë nuk punojnë realisht dhe seriozisht, për të shtuar burimet e tyre financiare, me të ardhura që burojnë nga tregu.

Bashkitë duhet të rrisin ndjeshëm aktivitetet e tyre ekonomike të pavarura, që prodhojnë të ardhura, duke filluar nga ndërtimi. Bashkitë i kanë të gjitha mundësitë që të ndërtojnë dhe të krijojnë shumë më tepër shanse për njerëzit që kanë nevojë për strehim, por njëkohësisht edhe të fitojnë para për buxhetin e tyre. Duhen themeluar sa më shpejt kompani bashkiake që ndërtojne në funksion të strehimit social në Shqipëri.

Në këtë mënyrë, me një gur, bashkite vrasin dy zogj. Krijojnë mundësi të reja për të pastrehët e tyre dhe nuk rrinë të presin nga Enti i Banesave në Tiranë, por strehojnë njerëzit e tyre të pastrehë, bëjnë politikë strehimi të mirëfilltë dhe nga ana tjetër, shesin, për të mbledhur të ardhura.

Ndërkohë, sa janë tregjet bujqësore, të prodhimit bujqësor me pjesëmarrje apo pronësi bashkiake? Sa janë pikat e grumbullimit të prodhimit dhe të shpërndarjes me pjesëmarrje apo pronësi bashkiake? Sa nga bashkitë e kanë shfrytëzuar fondin e garancisë sovrane për bujqësinë, për të adresuar nevoja të fermerëve në zonat e tyre, pa pritur që të gjitha këto t’i zgjidhë investuesi privat?

Janë ende shumë pak bashkitë që merren me aktivitete të tilla ekonomike, që u sigurojnë fonde për të rritur shërbimet ndaj qytetarëve. 

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj,lidhur me këtë shprehet:

“Buxheti vendor i vitit 2022 ka qenë 72 përqind më i lartë se buxheti vendor i vitit 2015, pra, i periudhës përpara reformës territoriale. Në terma të Prodhimit të Brendshëm Bruto(PBB) të vendit, buxheti i vetëqeverisjes vendore në vitin 2015 ka qenë 2.3 përqind e PBB-së, ndërkohë që sot është 3 përqind e tij. Të ardhurat e pushtetit vendor nga 11.7 miliardë lekë në vitin 2015, sot janë 27.6 miliardë lekë, pra janë 2.3 herë më të larta në vitin 2022.

Të ardhurat e pushtetit vendor(Foto Top Channel)

Të ardhurat e pushtetit vendor(Foto Top Channel)

Sipas burimeve të bashkive, të ardhurat kanë ardhur në rritje për të gjitha kategoritë. Për vitin 2022, të ardhurat kanë qenë 1.5 miliardë lekë më shumë, se sa në vitin 2021.

Ministria e Financave dhe Ekonomise ka filluar një proces të konsultimit publik, i cili synon të ndryshojë ligjin mbi taksën e pasurisë. Ky proces ka nisur në fillim të këtij viti. Ne synojmë që brenda vitit të miratojmë ligjin. Sigurisht që ligji do të konsultohet gjerësisht me bashkitë. Ne jemi në procesin e konsultimit me Universitetin e Ekonomisë të Tiranes dhe me Universitetin Bujqësor të Tiranës. Synohet që përmës këtij ligji të rritet ndjeshëm taksa mbi pasurinë, gjë e cila do të ndikojë në rritjen e të ardhurave të të gjitha bashkive”.           

 

Taksa e pasurisë është taksa më e rëndësishme bashkiake në të gjithë globin. Megjithatë, taksa e pasurisë në Shqipëri është taksa më e shpërfillur dhe kjo ka sjellë pamjaftueshmëri fondesh për të gjitha shërbimet vendore ndaj qytetarëve. Nuk mund të taksohet njëlloj pasuria e një familjeje që jeton me të ardhura mesatare, me shtëpinë e dytë e me shtëpinë e tretë të një familje tjetër.

Disa bashki bashkëjetojnë me thellimin e borxheve, bashkëjetojnë me abuzimin me këtë pasuri publike, që janë asetet e pushtetit vendor. E kështu, kjo pasuri nuk prodhon veçse borxhe. Pa folur për shërbimet e tjera vendore, pastrimin ose transportin publik, që janë shërbime jo të lehta për t’u organizuar.

Lind pyetja: pse duhet të jetë qeveria qendrore kampione në digjitalizimin e shërbimeve? Pse të mos jenë bashkitë? Ndërkohë që, në të gjithë botën ndodh e kundërta. Eshte sektori privat, pushteti vendor dhe pastaj qeveria qendrore, që është zakonisht më e ngadalta. Në Shqipëri, qeveria qendrore ka bërë një revolucion me shërbimet e digjitalizuara deri në masën 95 përqind të tyre.

Ka kuptim që shërbimet publike bashkiake me dokumente të vazhdojnë të jepen me letra e të mos jenë online? Ka kuptim që bashkitë të jenë të prapambetura në digjitalizim, ndërkohë që roli i kryetarit të bashkisë është roli i qytetarit të parë që është njeriu më i afërt me gjithë qytetarët e tjerë.

Përse duhet që qeveria qendrore ta ketë nivelin e përgjigjeve ndaj ankesave të qytetarëve në platformën e Bashkëqeverisjes mbi 90%? Pra, jane institucionet e qeverisjes qendrore që janë kaq larg qytetarëve për fiziologjinë e tyre dhe ndërkohë bashkitë, aq afër me qytetarin, e kanë nën 30 përqind mesataren e përgjigjeve ndaj qytetarit.

Çfarë ndodh? Borxhet akumulohen nga bashkitë dhe i lihen në derë qeverisë qendrore. Bashkitë i akumulojnë problemet financiare dhe presin t’i zgjidhë qeveria, ndërsa projektet i kufizojmë të gjitha në projekte që financohen vetëm nga buxheti i Shtetit.

45 bashki nuk kanë probleme financiare. Çfarë tregon kjo? Kjo tregon që disiplina financiare dhe përgjegjshmëria është e një niveli të duhur në këto bashki. Janë bashki të mëdha, bashki mesatare dhe bashki të vogla. Për shembull, Konispoli është një bashki e vogël, që nuk ka mundësi të barabarta me një pjesë të konsiderueshme të bashkive dhe nuk ka probleme financiare. Ku ndryshon Konispoli nga Tropoja? Pse Tropoja ka probleme të mëdha financiare? E gjitha është çështje e administrimit dhe çështje e përgjegjësisë së drejtuesve të pushtetit vendor.

Taksa e pronës (Foto Homeland.al)

Taksa e pronës (Foto Homeland.al)

Potenciali për të bërë aktivitet ekonomik, financiar, fitimprurës nga ana e bashkive është i plotë dhe mosshfrytëzimi më tej i këtij potenciali është i pajustifikueshëm. Bashkitë duhet të organizojnë aktivitetin e tyre ekonomik fitimprurës. Është plotësisht e mundur, kërkon vetëm vizion, vullnet.

Nga ana e saj, Qeveria qendrore do të marre masa, në rast të mos përmbushjes së detyrimeve financiare, në raport me disiplinën financiare, duke marrë bashkinë nën administrim, siç bëhet në Itali e në Francë, kur bashkitë shkojnë në kolaps dhe kur situata financiare bëhet një gropë që nuk mbushet dot më, duke bërë sikur nuk e sheh.

Qeveria do te marre masa. Nuk do të kalohen dot buxhete në Këshillat Bashkiakë dhe nuk do të miratohen nga Prefektët buxhete që nuk janë brenda parametrave financiarë që garantojnë stabilitetin e Bashkive.

Bashkitë duhet të tregojnë disiplinë financiare, burime të reja të ardhurash dhe përgjegjshmëri më të lartë në raport me qytetarët, për sa i përket shërbimeve, duke i digjitalizuar dhe modernizuar më tej dhe dukshëm ato.

Fatos Çoçoli