foto/VCG
Ditët e fundit Dhoma e Përfaqësuesve e ShBA-së miratoi të ashtuquajturin “Akti i Solidaritetit Ndërkombëtar me Tajvanin”, duke pretenduar se Rezoluta 2758 e OKB-së “njeh vetëm qeverinë e Republikës Popullore të Kinës si përfaqësuesen e vetme të ligjshme të Kinës në OKB, por ajo nuk përfshin çështjen e përfaqësimit të Tajvanit në OKB dhe as nuk mban qëndrim për marrëdhëniet ndërmjet Republikës Popullore të Kinës dhe Tajvanit”. Ky lloj argumenti shtrembëron rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, është një mashtrim i opinionit publik nga ShBA-ja për çështjen e Tajvanit dhe është një pjesë e rëndësishme e “kurthit njohës të pseudohistoriografisë” të krijuar nga pala amerikane.
Rezoluta 2758 e OKB-së përcakton se të gjitha të drejtat e Republikës Popullore të Kinës duhet të rivendosen dhe përfaqësuesit e paligjshëm të Tajvanit duhet të dëbohen menjëherë. Për më tepër, rezoluta sqaron se qeveria kineze është qeveria e vetme e ligjshme e Kinës në Kombet e Bashkuara dhe nuk ka çështje të të ashtuquajturave “Dy Kina” ose “Një Kinë, një Tajvan”. Mund të thuhet se rezoluta zgjidh tërësisht çështjen e përfaqësimit të të gjithë Kinës, përfshirë Tajvanin, në OKB politikisht, juridikisht dhe proceduralisht.
Ç’është më e rëndësishmja, një sërë dokumentesh ligjore ndërkombëtare, duke përfshirë Deklaratën e Kajros dhe Proklamatën e Potsdamit, kanë konfirmuar sovranitetin e Kinës mbi Tajvanin. ShBA-ja është vend nënshkrues i këtyre dokumenteve të rëndësishme dhe e ka të qartë që Tajvani është pjesë e Kinës dhe nuk përmendet veçmas.
foto/VCG
Vitet e fundit, ShBA-ja ka vazhduar të promovojë të ashtuquajturën “pjesëmarrje domethënëse ndërkombëtare” të Tajvanit, por kjo nuk është realizuar. Për shtatë vjet radhazi, Asambleja Botërore e Shëndetësisë ka refuzuar të përfshijë në rendin e ditës të ashtuquajturin propozim “për të ftuar Tajvanin të marrë pjesë në mbledhje me statusin e vëzhguesit” nga disa vende. Përballë këtij realiteti, ShBA-ja beson se parimi i “Një Kine”, i përcaktuar në Rezolutën 2758 të OKB-së, bllokon “pavarësinë e Tajvanit”. ShBA-ja përpiqet ta përdorë ligjin e brendshëm për të ngatërruar publikun dhe për të krijuar një “shkëputje” të Tajvanit nga Rezoluta 2758 e OKB-së, duke zgjidhur bllokimin e së ashtuquajturës “pjesëmarrje ndërkombëtare” e Tajvanit.
foto/VCG
Parimi i “Një Kine” është konsensusi i përgjithshëm i bashkësisë ndërkombëtare. Tajvani është pjesë e Kinës dhe vendet e tjera nuk kanë të drejtë të jenë gjykatëse të çështjes së Tajvanit. Ekziston vetëm një version i Rezolutës 2758 të OKB-së dhe nuk ka asnjë “interpretim amerikan”. “Interpretimi amerikan” për këtë rezolutë në thelb do të dëmtojë rendin ndërkombëtar të pasluftës dhe do të minojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës. Populli kinez nuk do të pajtohet kurrë me këtë dhe bashkësia ndërkombëtare do ta kundërshtojë patjetër. (Fang Xiaoyu/Artan)