Ekuipazhi i anijes kozmike "Shenzhou-15" në konferencën e shtypit më 31 korrik 2023/ foto nga CFP
Tre astronautët e anijes kozmike kineze "Shenzhou-15" u takuan me shtypin të hënën, gjatë daljes së tyre të parë në publik pas kthimit në Tokë në fillim të qershorit.
Sipas konferencës së shtypit të zhvilluar në Qendrën e Astronautëve të Kinës në Pekin, të tre taikonautët, siç quhen ndryshe astronautët kinezë, kanë përfunduar fazat e karantinës e të rimëkëmbjes dhe kanë hyrë në fazën e vëzhgimit.
Ata janë në gjendje të mirë fizike e shpirtërore dhe do të vazhdojnë stërvitjen e rregullt pas përfundimit të kontrollit shëndetësor.
Anije kozmike "Shenzhou-15", që u lëshua më 29 nëntor 2022, i çoi tre taikonautët - Fei Junlong, Deng Qingming dhe Zhang Lu - në stacionin hapësinor të Kinës.
"Trioja" ka arritur shumë përparime në hulumtimet hapësinore të Kinës, duke kryer fazën e fundit të ndërtimit të stacionit hapësinor dhe duke nisur fazën e tij të parë të funksionimit dhe të zhvillimit.
Zbatimi i detyrës jashtë stacionit hapësinor nga ekuipazhi i anijes kozmike "Shenzhou-15", më 9 shkurt 2023/ foto nga CFP
Ata janë ekuipazhi i fluturimeve hapësinore me moshën mesatare më të madhe deri më sot dhe kanë kryer katër aktivitete jashtë stacionit hapësinor, duke shënuar rekord për ecjen në hapësirë të një ekuipazhi taikonautësh.
Fei, komandanti i ekuipazhit, tha se aktivitetet jashtë stacionit hapësinor që kryen ata, shënojnë një pikënisje të re, dhe shprehu besimin se ekuipazhet në vijim do të shënojnë rekorde të reja.
Kur u pyet për zbritjen e taikonautëve kinezë në Hënë, Fei, që ka fluturuar në kozmos për dy herë, tha se ai do të vazhdojë të punojë me zell dhe shpreson se kinezët do të zbresin në Hënë sa më parë.
Si anëtar i "ekuipazhit të realizimit të ëndrrës", Deng priti për afro 25 vjet për debutimin e tij.
Ai tha se këmbëngulja gjatë viteve të kaluara e ka inkurajuar të justifikojë shpresat dhe besimin e PKK-së e të popullit dhe e kanë nxitur të kryejë detyrat në mënyrë të vendosur.
Takimi i ekujpazheve "Shenzhou-15" dhe "Shenzhou-16" më 2 qershor 2023/ foto nga CFP
Gjatë detyrës së tyre, tre taikonautët kryen me sukses dorëzimin me ekuipazhet e "Shenzhou -14" dhe "Shenzhou-16".
Taikonuati Zhang Lu tha se ata ia përcollën kujdesin që ekuipazhi i "Shenzhou-14" tregoi ndaj tyre, ekuipazhit të "Shenzhou-16". "Miqësia e thellë është një besim i ndërsjellë midis jetës dhe vdekjes, por edhe vijimi i shpirtit të fluturimeve kozmike," shtoi Zhang.
Trioja kreu gjithashtu edhe disa detyra të nxjerrjes së materialeve nga stacioni hapësinor, tetë kërkime për faktorët njerëzorë dhe për teknologjinë ergonomike, 28 eksperimente mjekësore të fluturimeve kozmike dhe 38 eksperimente të shkencës hapësinore, përfshirë ekologjinë e jetës, shkencën e materialeve dhe mekanikën e lëngjeve.
Nga këto detyra janë marrë të dhëna të vlefshme eksperimentale, sipas Agjencisë së Fluturimeve Hapësinore me Astronautë të Kinës. (Wang Lei/ Artan)