Mjekët britanikë flasin për përkeqësim të shëndetit të tyre mendor pas pandemisë
2023-08-01 15:08:14

Foto nga VCG

Pothuajse gjysma e mjekëve në Mbretërinë e Bashkuar thonë se shëndeti i tyre mendor është më keq tani sesa gjatë pandemisë së koronavirusit. Ekspertët i bëjnë thirrje qeverisë që të vazhdojë të investojë në mbështetjen e fuqisë punëtore të shërbimit shëndetësor, shkruan “ATSH”.

Shoqëria e Mbrojtjes Mjekësore (MPS) anketoi 861 mjekë dhe zbuloi se 46% e të pyeturve ishin në gjendje më të keqe psikologjike sesa gjatë pandemisë për shkak të presionit të punës, rritjes së kërkesës dhe çështjeve të personelit në shërbimin shëndetësor NHS.

NHS-ja u zotua të ndajë 2.3 milionë paundë (2.96 milionë dollarë) midis shtatë rajoneve për të ruajtur 40 qendra të shëndetit mendor dhe mirëqenies së stafit të shërbimit shëndetësor, të cilat u krijuan në vitin 2021 për t’u ofruar punëtorëve akses të shpejtë dhe të lehtë në mbështetje.

Nga të anketuarit, 75% nuk besojnë se qeveria po bën mjaftueshëm për të ndihmuar punonjësit e kujdesit shëndetësor kur bëhet fjalë për shëndetin mendor, ndërsa 43% po mendojnë për karrierën e tyre të ardhshme për shkak të shqetësimeve për mirëqenien e tyre.

Më shumë se tre të katërtat (76%) e të anketuarve thanë se mungesat e stafit po e bënë të vështirë marrjen e kohës për t’u marrë me çështjet e tyre personale.

Rreth 43% e mjekëve të pyetur thanë se mos të jesh në gjendje të bësh gjënë e duhur për pacientët po ndikon në shëndetin e tyre mendor.

Javën e kaluar, të dhënat e publikuara nga “NHS Digital” zbuluan se 24.2% e ditëve të sëmundjes në shërbimin shëndetësor në mars 2023 ishin për shkak të ankthit, stresit, depresionit ose sëmundjeve të tjera psikiatrike.

Shifra ishte 24.6% në shkurt dhe 23.3% në janar. (Fatosi)