"Absurd e i pavlefshëm": Partia e Punës e Tajvanit, kundër projektligjit së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së për rezolutën 2758 të OKB-së
2023-07-31 11:44:40

Foto nga VCG

Partia e Punës e Tajvanit, e cila është pro ribashkimit, e dënoi ashpër një projektligj të Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së për Tajvanin si "absurd dhe të pavlefshëm", duke thënë se ky projektligj ishte një shtrembërim dhe mohim i Rezolutës 2758 të Kombeve të Bashkuara dhe tregon përçmimin e ShBA-së ndaj OKB-së dhe normave të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Dhoma e Përfaqësuesve e ShBA-së miratoi të martën e kaluar një projektligj, të quajtur "Akti i solidaritetit ndërkombëtar me Tajvanin", sipas të cilit Rezoluta 2758 e OKB-së e vitit 1971, e cila e njeh Republikën Popullore të Kinës si qeverinë e vetme të ligjshme të Kinës, nuk vlen për Tajvanin.

"Rezoluta nuk trajtoi çështjen e përfaqësimit të Tajvanit dhe banorëve të tij në Kombet e Bashkuara apo ndonjë organizatë të lidhur me të, as nuk mbajti qëndrim mbi marrëdhëniet ndërmjet Republikës Popullore të Kinës (RPK) dhe Tajvanit apo përfshiu ndonjë deklaratë lidhur me sovranitetin e Tajvanit," theksohet në projektligj.

Partia e Punës tha se ky pretendim po përpiqet të minojë politikën e "Një Kine" dhe të nxisë separatizmin e "pavarësisë së Tajvanit".

Partia vuri në dukje se rendi ndërkombëtar i mishëruar te OKB-ja ishte rezultati i Luftës së Dytë Botërore dhe çlirimi i Tajvanit ishte një pjesë e rëndësishme e fitores së Aleancës Botërore Antifashiste. Deklarata e Kajros dhe Proklamata e Potsdamit, si pjesë të rëndësishme të sistemit ndërkombëtar pas luftës, pranojnë dorëzimin e të gjitha forcave të armatosura japoneze dhe kthimin e Tajvanit në Kinë.

"De jure dhe de facto nuk ka asnjë dyshim për rikthimin e sovranitetit të Kinës mbi Tajvanin," tha partia.